Vulletiq: Pranimi i kushtit të Kurtit për zgjedhjet do të nënkuptonte njohje të Kosovës

Beograd_231122_Vladimir Vuletić 06
Burim: Kosovo Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shfrytëzon çdo mundësi që politikën e tij që ka shkaktuar jostabilitet në të gjithë rajonin ta çojë në synimin e saj dhe në këtë këndvështrim, kushti i tij për një “marrëveshje ndërshtetërore” me Serbinë duhet parë në mënyrë që të mundësohet votimi i serbëve në Kosovë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për Kuvendin e Serbisë në dhjetor, sipas sociologut Vlladimir Vulletiq.

Ai thotë për Kosovo online se ajo që Kurti në të vërtetë kërkon është që Serbia “de fakto dhe de jure ta njohë pavarësinë e Kosovës, ku atëherë në zgjedhje mund të marrin pjesë edhe ata që kanë nënshtetësi serbe”.

Këmbëngulja e Kurtit se Serbia dhe Kosova janë dy “shtete krejtësisht të pavarura” nuk është asgjë e re, thekson Vulletiq dhe thekson se edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka treguar se serbët në Kosovë nuk do të mund të votojnë në komunat ku jetojnë. Ai po ashtu kujton se që kur Kurti ka qenë në krye të institucioneve në Prishtinë, serbët në Kosovë nuk kanë pasur mundësi të votojnë.

“Marrëveshja që Kurti po përmend tani do të thotë se Serbia e njeh plotësisht pavarësinë e Kosovës. Me fjalë të tjera, le të jetë si rasti i vendeve të tjera ku qytetarët tanë votojnë, si Austria dhe të tjerët, që marrëdhënia ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të jetë si ajo ndërmjet Prishtinës dhe Vjenës apo ndonjë kryeqyteti apo shteti tjetër. Kjo është përpjekje e tij për të shantazhuar dhe vështirësuar jetën normale të serbëve në Kosovë”, thotë Vulletiq.

Kur është fjala për një ndryshim të mundshëm të vendimit të autoriteteve të Kosovës, nëse do të rritej presioni i bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare, Vulletiq beson se kjo nuk ka gjasa.

“Nuk mendoj se në Kosovë do të mbahen zgjedhje, do të ketë presione të caktuara, nën petkun e akuzave, vetëm në atë masë sa të vlerësohet se kjo mund të kontribuojë në stabilizimin e situatës, vazhdimin e negociatave. Problemi kryesor është se shumica e institucioneve ndërkombëtare, në të cilat fjalën kyç e kanë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, në thelb e shohin këtë çështje në mënyrë të ngjashme me Kurtin. Dhe të gjithë do të donin dhe dëshironin që Serbia ta njohë Kosovën, dhe shpresojnë dhe mendojnë se në atë mënyrë do të stabilizohej situata në Ballkan. Ky është këndvështrimi i tyre për situatën, më duket se nuk është një rrugë e mirë”, thekson Vulletiq.

Ai shton se kjo situatë me pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë do të thotë vetëm një akt tjetër, simbolik, në të cilin tregohet se serbët në Kosovë nuk kanë të drejta elementare njerëzore.

“Kur bëhet fjalë për zgjedhjet, e drejta e votës është një nga një sërë të drejtash që shkelen. Për serbët dhe për përditshmërinë e tyre është problem shumë më i madh që po shkelen edhe shumë të drejta të tjera ekzistenciale”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Beogradi i dërgoi kërkesë OSBE-së në Prishtinë që të angazhohet në organizimin e procesit zgjedhor për Kuvendin e Serbisë, në dërgimin e materialeve zgjedhore në vendvotime, si dhe në mbledhjen e fletëvotimeve dhe transportimin e tyre pas përfundimit të votimin, siç ishte praktikë deri në vitin 2020 dhe ardhjen e Kurtit në pushtet.

Kurti iu përgjigj atyre kërkesave që “Serbia të propozojë një marrëveshje që do t'i mundësonte komunitetit serb të votojë”, pra se pa një “marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë, nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë”.

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka njoftuar dje Komisionin Republikan të Zgjedhjeve se për shkak të “kushteve të papranueshme të Prishtinës dhe Kurtit, në këtë moment nuk është e mundur të organizohet një proces zgjedhor në Kosovë, i cili do të ishte në përputhje me ligjin, interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.