Ymeri: Nuk pres që Bondstili të mbyllet, nga Kosova do të pritet të shpenzojë më shumë për forcat e sigurisë
Analisti politik Visar Ymeri nuk beson se administrata e re amerikane do të punojë për mbylljen e bazës Bondstil në Kosovë, por thotë se sigurisht që do të varet nga politika e përgjithshme e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump.
Sa i përket pranisë së KFOR-it në Kosovë, ai thekson se qëndrimi i të gjithë anëtarëve të NATO-s është se është ende e nevojshme, sidomos pas ngjarjeve në Banjskë, pasi që vendet që janë prezente në KFOR e kanë shtuar numrin e ushtarëve në atë mision.
Në lidhje me atë se si do të ndikonte mbyllja eventuale e Bondstilit në FSK, Ymeri thotë se FSK ka filluar fazën e dytë të transformimit “drejt Ushtrisë së Kosovës” dhe se ky plan ka nisur me presidentin Trump.
“Ushtria e Kosovës është themeluar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump dhe kur z. Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës. Nga ky këndvështrim, është e qartë se administrata Trump është më e interesuar që të gjitha vendet të shpenzojnë më shumë për forcat e mbrojtjes dhe mendoj se do të ketë ndikim dhe në Kosovë do të pritet që të shpenzojë më shumë për forcat e sigurisë”, thotë Ymeri.
Për sa i përket politikës së jashtme, siç shprehet ai, Trump nuk është aq i ndryshëm nga presidentët e tjerë amerikanë, megjithëse qasja, stili dhe mënyra e tij e vendimmarrjes janë krejtësisht të ndryshme.
“Sa i përket qasjes ndaj Kosovës, ne e dimë se Trump ka qenë një nga presidentët e parë që i ka dërguar një letër presidentit të Serbisë, Vuçiq, dhe atij të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe mendoj se do të jetë sërish politika e administratës Trump se si do të zbatohet në terren varet edhe nga ajo që ndodh këtu”, thotë Ymeri.
Megjithatë, ai shton se nuk pret dhe shpreson se nuk do të ketë kaq shumë ndryshime të rëndësishme në politikën amerikane ndaj rajonit, pasi rajoni, siç beson ai, ende nuk është në një gjendje krejtësisht paqësore.
"Do të sjellë më shumë probleme në rajon nëse kemi një politikë që e konsideron zgjidhjen më të mirë zgjidhje të shpejtë. Në këtë kuptim, mendoj se mund të shohim diçka ndryshe nga administrata e re në krahasim me administratën e Bidenit", thotë Ymeri.
0 komentet