Zaporozhac: Kurti po përpiqet në çdo mënyrë ta shtyjë Rashiqin në parlament dhe të formojë një qeveri përmes tij

Beograd_240222_Sajam turizma_Ivan Zaporožac
Burim: Kosovo Online

Nënkryetari i Listës Serbe, Ivan Zaporozhac, ka deklaruar se dihej që nga përfundimi i procesit zgjedhor se Kurti do të përpiqet të pengojë Listën Serbe që t'i fitojë të dhjetë mandatet.

“Kjo marrje e mandateve dhe rishkrimi i vullnetit të popullit serb tregon më së miri pozitën e popullit tonë. Dëshira e Kurtit është të shtyjë në parlamentin e Kosovës serbët e rrejshëm dhe pasardhësit e tij, të cilët do të jenë në gjendje të kontrollojnë vullnetin e popullit serb. Sa i përket popullit serb, ata kanë treguar se duan të zbatojnë politikat e Listës Serbe dhe të udhëheqjes shtetërore të Serbisë”, tha Zaporozhac për televizionin Prva.

Ai shtoi se Nenad Rashiq ka tentuar dje në një konferencë për media të akuzojë Listën Serbe, duke përfshirë edhe atë personalisht, se i kërcënon qytetarët dhe se kushdo që nuk do ta votojë Listën Serbe do të përballet me pasoja.

“Ata, nëse shkojmë më radh, tentuan të na ndalojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, më vonë përmes rrjeteve sociale u përpoqën ta karakterizojnë Listën Serbe si tradhtare dhe e gjithë kjo u shoqërua me represion policor për të frikësuar popullin serb”, theksoi Zaporozhac.

Ai shtoi se dëshira e Rashiqit dhe Kurtit është që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të shkarkohet për të hequr qafe më lehtë serbët në Kosovë.

“Ata e dinë që Vuçiq po na jep mbështetje absolute për mbijetesën tonë në Kosovë sepse pa ndihmën e shtetit të Serbisë nuk do të mund të qëndronim këtu”, tha nënkryetari i Listës Serbe.

I pyetur se si mund të luftojnë serbët me marrjen e mandateve, Zaporozhac thotë se Lista Serbe do t'i raportojë të gjitha parregullsitë në Kolegjin e Ankesave Zgjedhore.

“Fillimisht u përpoqën të na ndalojnë, pastaj të na ndalojnë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe tash e kanë rishkruar vullnetin e popullit serb dhe na kanë hequr mandatet. Diçka e tillë nuk mund të ndodhë në asnjë sistem demokratik në botë. Gjithçka është e mundur, do të mundohemi ta rifitojmë mandatin me apel, por nuk besoj se do t'ia dalim. Ata e shtynë Rashiqin përpara në zonat ku nuk ka serb dhe ai fitoi vota atje. Në anën tjetër, duhet të theksojmë se në zgjedhjet e fundit një partie boshnjake i është hequr mandati sepse e kanë fituar me votat e një populli tjetër, por këtu jam i sigurt, sepse Kurti ka nevojë për Rashiqin, nuk do t'i hiqet mandati, pavarësisht se çfarë ankesash do të bëjmë”, ka theksuar Zaporozhac.

Ai shtoi se edhe sot nuk ka ende rezultate përfundimtare.

“Kurti po përpiqet në çdo mënyrë ta shtyjë Rashiqin në parlament dhe të formojë një qeveri përmes tij. Shpresoj se komuniteti ndërkombëtar do ta shohë problemin e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe se do të na ndihmojë të fillojmë të jetojmë më mirë. Shpresoj se nuk do ta lejojnë një qeveri kaq të paligjshme dhe jo legjitime. Kurti është shumë nervoz, nuk ka mundur të ndikojë tek votuesit e tij. Shpresoj se ai nuk do të jetë dikush që do të formojë qeverinë në Prishtinë, se opozita do ta bëjë këtë për të zbutur tensionet këtu në Kosovë ku jeton populli serb”, përfundoi Zaporozhac.