Zhiofre: Bashkësia e Komunave Sërbe duhet të formohet, kam besim në vijimin e bisedimeve
Shefi i Delegacionit të BE në Sërbi Emanuel Zhiofre, ka shprehur bindjen e vet në vijueshmërinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Në një bisedë për tv publik sërb RTS, ai ka zbuluar detaje të projekt-propozimit franko-gjerman i ndryshuar dhe njëkohësisht ka deklaruar se Bashkësia e Komunave Sërbe duhet të formohet.
Duke komentuar rreth ndryshimeve të kryera në projekt-propozimin nga Brukseli me të cilën është njohur Beogradi dhe Prishtina, Zhiofre thotë se bisedimet diplomatike janë sigurisht delikate.
"Drejtuesit kanë shprehur komentet e veta. Mendoj se duhet të nënvizojmë faktin siç dhe është shprehur nga BE, gjithçka që është dakordësuar të zbatohet, duke përfshirë edhe formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe. Por urgjentisht kemi mundësinë të avancojmë drejt një marrëveshjeje që detyron ligjërisht Beogradin dhe Prishtinën të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre" ka thënë Zhiofre.
Ndërsa për avancimin e mëtejshëm të hapave, Zhiofre ka nënvizuar se dialogu do të vijojë.
"I dërguari special i BE Miroslav Lajçak, ditë më parë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën ku më pas raportoi në Bruksel. Shpreh bindjen në vazhdimin e dialogut”-thotë Zhiofre.
Ky i fundit në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor i cili u organizua dy ditë më parë në Tiranë, ka thënë se samiti ishte mjaft i rëndësishëm dhe prej tij janë cuar mesazhe politike mjaft të rëndësishme.
"Të mos harrojmë se samiti është mbajtur nën hijen e agresionit rus në Ukrainë cka kërcënon sigurinë europiane dhe globale prandaj duhet të qëndrojmë të bashkuar. Dje drejt prej liderëve europianë, janë përcjellë mesazhe mjaft të qarta vendeve të këtij rajoni dhe kanë theksuar se BE është mjaft i përkushtuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e saj”-ka nënvizuar Zhiofre.
Sipas tij mesazhet kurrë më parë nuk kanë qenë aq të qarta përfshirë edhe përshpejtimin e këtij procesi ndërkohë që njëzëshëm u ra dakord se veçanërisht në këto rrethana gjeopolitike, është koha për përshpejtimin e reformave dhe ndërmarrjen e hapave të mëtejshme me qëllim harmonizimin me politikat e BE.
Në Tiranë, liderët kanë biseduar edhe rreth energjitikës, sigurisë, migracionit ku u nënshkrua edhe deklarata finale.
"Kemi ndërmarrë hapa shumë konkrete me qëllim që qytetarët e rajonit, të ndjejnë sa më parë benefitet sidomos në fushën energjitike cmimi i të cilës është problem global. Është bërë e ditur dhe paketa e madhe e ndihmës e cila varion në 1 miliardë euro për rajonin, ku 500 milionë euro janë caktuar për përdorim direkt në zbutjen e pasojave të krizës energjitike. Prej kësaj shume, 165 milionë janë destinuar për Sërbinë. Këto të holla do të mbërrijnë shumë shpejt pra në janar" thotë Zhiofre.Ai shtoi se këto janë burime të dedikuara të cilat do t’i marrin direkt nga qeveria, ku t’u vijnë në ndihmë familjeve që përballen me rritjen e çmimeve dhe vështirësitë e shkaktuara nga kriza energjetike.
"Pjesa e dytë e paketës ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës energjetike, diversifikimin. Kemi punuar shumë edhe në periudhën e kaluar për të lehtësuar komunikimin mes njerëzve. Por nënshkrimi i djeshëm i deklaratës nga operatorët e telekomunikacionit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarët e Unionit, do të sjellë uljen e kostove të roming vitin e ardhshëm me synim shmangien e plotë gjatë viteve pasuese. Ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe qytetarët e Serbisë tashmë do t'i ndjejnë përfitimet vitin e ardhshëm kur të udhëtojnë në vendet e BE" u shpreh shefi i delegacionit të BE në Sërbi.
komentet