Zyra për KdheM: Është thyer Kisha e Shën Dimitrit në Dobrotin
Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se grabitësit gjatë natës kanë thyer Kishën e Shën Dimitrit në Dobrotin, kanë thyer derën hyrëse dhe kanë vjedhur kutinë ku ndodheshin paratë nga kontributet e besimtarëve. Në njoftim theksohet se sulme të tilla janë pasojë e politikës ekstremiste dhe antiserbe të Prishtinës, për çka Zyra për KeM kërkon reagim më të vendosur dhe konkret nga përfaqësuesit ndërkombëtarë si dhe ndëshkimin e ekstremistëve.
Në njoftimin e Zyrës për Kosovë dhe Metohi thuhet se sulmi i mbrëmshëm është i dyti ndaj kësaj faltoreje në vitet e fundit, duke pasur parasysh se para tre vitesh ishte thyer edhe zyra e famullisë së Dobrotinit.
“Sulmet në Kosovën qendrore dhe Metohi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, kështu që para 10 ditësh u shkruan grafite të organizatës terroriste UÇK në shtëpinë e shëndetit dhe në kopshtin e fëmijëve në Dobrotin, ndërsa së fundmi është përdhosur edhe varri i Ivica Taliq në Skulanëvë afër Lipjanit dhe prej tij është marrë flamuri serb trengjyrësh”, rikujtohet në njoftim.
Zyra thekson se sulme të tilla ndaj serbëve, pronës së Kishës Ortodokse Serbe, si dhe përdhosja e varreve serbe, janë pasojë e politikës ekstremiste dhe antiserbe të Prishtinës, si dhe e politikës së mosndëshkimit të autorëve të incidenteve, të cilët zakonisht kalojnë pa asnjë sanksion për veprat e tyre.
Prandaj kërkohet reagim më i vendosur dhe konkret nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“Kërkojmë reagim më të vendosur dhe konkret të përfaqësuesve ndërkombëtarë ndaj sulmeve gjithnjë e më të shpeshta në Kosovën qendrore dhe Metohi dhe ndëshkimin e ekstremistëve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndalet kjo seri incidentesh me motive etnike, të cilat që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet numërojnë më shumë se 730 raste. Vetëm gjatë vitit të fundit janë regjistruar 26 sulme, objektiv i të cilave kanë qenë besimtarët serbë, varrezat dhe objektet e Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa këto sulme asnjëherë nuk janë zbardhur”, shtohet në njoftim.
0 komentet