Zyra për KdheM: Rrahja e Subotiqit është dëshmi se Prishtina përdor "metodat Gestapo" të dhunës ndaj serbëve

Kancelarija za KiM/bekdrop
Burim: Kosovo Online

Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se rrahja e mbrëmshme e serbit nga Mitrovica e Kosovës, Millosh Subotiqit, në stacionin policor konfirmon edhe një herë se Prishtina tashmë në mënyrë rutinore po përdor metodat e Gestapos të frikësimit dhe dhunës ndaj pjesëtarëve të popullit serb.

Ata paralajmërojnë se përdorimi i tepruar i forcës dhe tortura policore kanë qenë prej kohësh të zakonshme në veri të Kosovës.

"Është e qartë se aktet e dhunës dhe torturës ndaj serbëve kanë vetëm një qëllim – frikësimin në funksion të dëbimit dhe spastrimit etnik të pjesës veriore të krahinës”, thuhet në njoftim.

Zyra për KdheM tha se Serbia do të vazhdojë të regjistrojë në mënyrë metodike të gjitha sulmet ndaj serbëve, sepse përgjegjësit do të duhet të dalin para drejtësisë.

Ata po ashtu theksojnë se prezenca ndërkombëtare në Kosovë është e obliguar që në përputhje me të drejtën dhe rregulloret ndërkombëtare që duhet të zbatohen në terren, të parandalojë torturimin e serbëve dhe shkeljen gjithnjë e më të hapur të drejtave të njeriut të popullit tonë.

“Javën e ardhshme, raporti i ri gjashtëmujor i UNMIK-ut për situatën në Kosovë dhe Metohi do të diskutohet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Serbia do ta shfrytëzojë këtë rast për të tërhequr vëmendjen e publikut botëror për të gjitha format e dhunës fizike dhe ligjore kundër serbëve nga regjimi i Albin Kurtit”, thuhet në njoftim.