Karaj: Rezoluta e parlamentit të Shqipërisë për liderët e UÇK nuk do të ketë ndikim në Hagë

Karaj
Burim: Kosovo Online

Analisti politik dhe pronari i zyrës së avokatisë LEAL nga Tirana Leonard Karaj ka thënë për Kosovo onlajn se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e ish liderëve të UÇK që gjykohen në Gjykatën Speciale ka qenë e pritshme, por që beson se ajo nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në Hagë.

“Në raste të tilla, në procedurat gjyqësore e veçanërisht në Hagë, duhet të kuptojmë më në fund se është pothuajse e pamundur që të ushtrosh presion apo ndikosh tek gjykata. Ajo çka duhej të ishte bërë në kohë, ishte lobimi në botën e praktikës gjyqësore. Pra, lobimi në 'korridoret' e Gjykatës së Hagës, sepse ky lobim është diçka normale. Ndërhyrjet e tjera janë të pamundura. Ne këtë nuk e bërëm. Ndoshta këtë nuk e bërën pasi nuk dinin si t’a bënin apo nuk donin t’a bënin. Ndoshta nuk kishin shumë interes për këtë çështje", thotë Karaj.

Dhe pavarësisht rezolutës së miratuar në parlamentin e Tiranës, sikurse thekson, Shqipëria e veçanërisht Kosova, duhet të kishin bërë shumë më tepër për çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit para pesë apo gjashtë vitesh.

"Mes të tjerash, nuk egziston qëndrim zyrtar i kryeministrit Kurti për këtë. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk mund të gjej asnjë rast të vetëm ku zoti Kurti si kryeministër i Kosovës të ketë shprehur një lloj pakënaqësie për atë çka i ndodh Hashim Thaçit, kundërshtarit të tij politik. Kurrë nuk kam dëgjuar që Albin Kurti të përmendë emrin e Hashim Thaçit. Kurrë nuk e kam dëgjuar të përmendë emrat e atyre që janë në gjyq në Hagë. Duket se këta nuk janë shqiptarë. Duket se kundërshtari politik është armiku tënd. Pra, qasje mjaft vulgare për personin që e promovoi veten si politikan me mentalitet të hapur", tha Karaj.

Ai beson se duhej të ndërmerrej ajo çka më herët bëri Kroacia kur u gjykua Ante Gotovina. 

"E gjithë bota pankroate dhe jo vetëm shteti kroat, mblodhi fonde. Negociuan me zyrat më të mëdha avokatore botërore, lobuan fort për të mbrojtur atë që e konsideronin jetike për veten e tyre. Kjo sepse nuk bëhet fjalë thjesht për fitimin e një çështjeje gjyqësore. Flasim për çështje kombëtare. Në këtë rast, po luhet me fatin e Kosovës. Pra, po shkojmë drejt idesë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë terroriste dhe jo luftë për liri. Këtu nuk flasim rreth fatit të katër anëtarëve politikë të UÇK, ndërsa ata nuk ishin as komandantë ushtarakë të UÇK", mendon Karaj.

Sikurse shton, bëhet fjalë për gjyqe jashtëzakonisht të kushtueshme, me tarifa shumë të larta, dhe në vitet e mëparshme kishte katër avokatë mbrojtës në Hagë që ikën pikërisht për shkak të problemeve financiare.

"A ishte kjo kaq problem për Shqipërinë dhe Kosovën, apo për diasporën shqiptare, të mblidhnin fonde për mbrojtje efikase? Nuk besoj se ishte kështu. Shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës duhet të kishin investuar në këtë çështje që është çështje kombëtare, kjo nuk është çështja e katër personave që shkuan para Gjykatës së Hagës. Si avokat, nuk dëshiroj të hyj në çështjen nëse ata kanë të drejtë apo jo. Gjykata do të vendosë se sa fajtorë apo të pafajshëm janë. Sigurisht çdo shqiptar mund të thotë se ata janë të pafajshëm apo çdo sërb mund të thotë se janë fajtor. Pyetja është se përse qeveritë tona në Prishtinë e Tiranë nuk kanë punuar për këtë çështje, që sot e shpallin kombëtare. Përse nuk ka qenë kështu prej gjashtë vitesh?", bën të ditur ky analist.