Hoxha: Sasia e madhe e armëve ilegale si pasojë e luftërave por dhe tensioneve të përhershme në rajon
Ish zv ministri i punëve të brendshme të Kosovës Valdet Hoxha thotë për Kosovo onlajn se sasia e madhe e armëve ilegale në duart e qytetarëve, është pasojë jo vetëm e luftërave të viteve ’90, por dhe tensioneve të përhershme në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tragjedia si ajo e Cetinjës të gjithëve duhet të n’a shërbejë si pikënisje për ndërmarrjen e hapave ligjorë sesi këto armë të merren.
“Fatkeqësisht në rajonin e Ballkanit egziston një numër relativisht i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve. Besohet se kjo është pikërisht si pasojë e historisë së luftërave gjatë viteve ‘90, por dhe si rrjedhojë e tensioneve shpesh konstante të larta në këtë rajon. Por sikurse shikojmë prezenca e armëve ilegale në duart e qytetarëve sjellin dhe viktima të pafajshme dhe tragjedi sikurse rasti i Cetinjës. Këto raste duhet të na shërbejnë të paktën si pikënisje për ndërmarrjen e akteve të shumta ligjore ndaj eleminimit apo pakësimit të numrit të armëve ilegale në duart e qytetarëve”, ka thënë Hoxha.
I pyetur për Kosovën, Hoxha tha se zhvillimet në Banjskë, apo dhe shpërthimi në kanalin e ujit Ibar-Lepencit nuk kontribuojnë në krijimin e ambjentit paqësor.
“Fatkeqësisht sikurse shikojmë, vendet e rajonit të Ballkanit pavarësisht sfidave të sigurisë së brendshme, gjithashtu po përballen dhe sfida serioze destabilizuese nga faktorë të jashtëm” ka theksuar Hoxha.
Ky i fundit tha se përveç kësaj çka institucionet kompetente ndërmarrin fushata të përhershme, thotë se në Kosovë në përdorim të qytetarëve ndodhen sasi të mëdha të armëve ilegale.
“Për institucionet e sigurisë në Kosovë, ka qenë dhe është sfidë e vazhdueshme për t’a eliminuar apo vënë nën kontroll, pavarësisht strategjive, planeve, fushatave, madje edhe amnistive të ndërmarra nga viti 1999 e deri më sot. Nuk mund të jemi idealistë dhe të pretendojmë se ky numër i armëve të mund të eliminohet ose të vihet 100% nën kontroll, por Kosova duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa ligjorë bazuar në legjislacionin penal në kuptimin e konfiskimit të armëve ilegale, por dhe të vazhdojë të ndërgjegjësojë, dizajnojë dhe zbatojë efektivisht strategjitë që do të mundësonin konfiskimin apo kontrollin e armëve ilegale, duke shtypur kontrabandën e armëve në masën më të madhe të mundshme dhe forcimin e kritereve ligjore për zotërimin e tyre me leje” thotë Hoxha.
Ky i fundit bëri të qartë se fjala është për problem global dhe se tragjeditë ndodhin madje dhe në vendet më të zhvilluara.
“Sikurse shikojmë në mbarë botën, çështja e armëve në duart e qytetarëve, ka qenë e liçensuar apo ilegale mjaft sfiduese pasi egzistojnë raste kur tragjeditë ndodhin shpesh madje dhe në vende në të cilat egziston politika për zotërimin e armëve. Kjo tregon se pavarësisht dhe kësaj çka shteti mund të ketë dijeni dhe regjistar të qytetarëve me armë me leje, kjo nuk është e mjaftueshme për ndalimin e tragjedive. Megjithatë, përpjekjet për të ndërtuar modelin e veprimit institucional drejt eliminimit të armëve, vendosjen e tyre nën kontroll dhe mbi të gjitha sigurimit të mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit, duhet të jenë angazhim i përhershëm dhe ambicioz i institucioneve shtetërore” ka thënë Hoxha.
0 komentet