Më shumë sesa ruajtja e fëmijëve: Si kopshtet në Mitrovicën e Veriut dhe Lleposaviq stimulojnë zhvillimin e fëmijëve
Institucionet parashkollore “Danica Jaramaz“ në Mitrovicën e Veriut dhe “Gëzimi Ynë” në Lleposaviq vitin e ri mësimor e pritën me gjithsej 1.075 fëmijë të rregjistruar nën fokusin e veçantë për zhvillimin e tyre, socializim dhe qëndrim të sigurtë. Ndërsa në Mitrovicën e Veriut është rritur numri i fëmijëve dhe është rinovuar pjesa e objektit qëndror, në Lleposaviq puna vijon me 22 grupe, ndërsa të punësuarit përpiqen që fëmijëve t’u sigurohen kushte për lojëra, mësim dhe shoqërim pavarësisht hapësirës së kufizuar.
Në institucionin parashkollor “Danica Jaramaz“ në Mitrovicën e Veriut viti mësimor 2026/2027 nisi me 720 fëmijë gjithsej dhe përveç rritjes së numrit të rregjistrimit të fëmijëve, këtë vit u shënua dhe përmirësimi i kushteve për qëndrim dhe punë në kopsht. Gjatë pushimeve vjetore kolektive, u rinovua pjesa e vjetër e objektit qëndror, ndërsa në objektin e vjetër në Lagjen Boshnjake u çel grupi i ri i edukatoreve.
Pedagogia e këtij institucioni parashkollor Ivana Todoroviq thekson se janë krenarë për numrin e fëmijëve të rregjistruar duke bërë të ditur se nga viti në vit shënohet gjithmonë e më shumë numër i lartë i fëmijëve që frekuentojnë kopshtin.
"Në vitin e ri mësimor 2026/2027, u regjistruan gjithsej 720 fëmijë, numër për të cilin jemi vërtet krenarë, kështu që është treguar se çdo vit kemi numër në rritje të fëmijëve në institucion. Grupet u formuan në tre objekte-në objektin tonë qëndror, objektin tek Boshnjakja dhe objektin ku realizohet programi përgatitor katër-orësh. Këtë vit çelëm grup të ri tek Boshnjakja, grup edukatoresh të reja. Më parë, grupet e edukatoreve ishin me përbërje të përzier, kështu që këtë vit tek Boshnjakja kemi grup të përzier për çerdhe, për fëmijë të moshës 1-3 vjeç, si dhe grupe edukatoresh për të rinj, të mesëm e të rritur", tha Todoroviq.
Duke folur për organizimin e punës, ajo u shpreh se në objektin qëndror ndodhen gjashtë grupe çerdhesh, katër grupe edukatoresh të reja, katër grupe të mesme e katër të rritur, si dhe tre grupe brenda programit përgatitoro-parashkollor. Në objektin ku realizohet qëndrimi katër-orësh, u formuan edhe katër grupe të programit përgatitoro-parashkollor.
"Këtë vit, numri i parashkollorëve është diçka më pak, gjithsej 134 fëmijë të ndarë në shtatë grupe përgatitore", tha Todoroviq.
Ajo theksoi se gjatë pushimeve vjetore kolektive, u rinovua pjesa e vjetër e objektit, ndaj fëmijët dhe punonjësit e pritën vitin e ri mësimor në kushte shumë më të mira.
"Përpiqemi dhe sigurisht kjo duket. Këtë vit pati pushime vjetore kolektive dhe me këtë rast i falënderoj prindërit për mirëkuptimin e tyre. Shumica e tyre nuk kanë një muaj pushim, por në emër të të gjithë institucionit, i falënderoj për mirëkuptimin, durimin dhe për dëgjueshmërinë që treguan. Ajo periudhë njëmujore u shfrytëzua për të rinovuar pjesën e vjetër të objektit, kështu që filluam në shtator me kushte shumë më të mira pune. Tani çdo dhomë në pjesën e vjetër ku kishte lagështirë, tani nuk ka, kështu që e bën punën shumë më të lehtë për edukatoret. Janë ndërruar dritaret dhe dyshemetë, ndërsa korridoret janë shumë më të bukura dhe më të gjera. Sigurisht, fëmijët e ndiejnë këtë, puna e edukatoreve dhe infermierëve është bërë më e lehtë dhe shpresojmë që edhe prindërit të jenë të kënaqur", tha Todoroviq.
Adaptimi i fëmijëve i përshtatur sipas nevojave individuale
Rreth procesit të adaptimit të fëmijëve në qëndrim në institucionet parashkollore, foli ekspertja dhe bashkëpunëtorja si dhe psikologia Ana Gariq e cila tha se adaptimi ndërmerret gradualisht nën vëzhgimin e nevojave të çdo fëmije dhe bashkëpunimit me prindërit dhe edukatoret.
Sikurse spegoi, plani është që fëmija javën e parë të qëndrojë në kopsht dy orë në ditë, pas së cilës koha e qëndrimit do të zgjatet gradualisht.
"Viti i ri mësimor nisi. Jemi të lumtur e të kënaqur që mund të pranojmë një numër kaq të madh fëmijësh. Plani ynë i adaptimit, për të cilin jemi dakordësuar vitet e mëparshme, është që në përputhje me atë që është ligjërisht e mundur dhe e realizueshme, adaptimin t’a ndërmarrim ditët e para të qëndrimit të fëmijës në institucion. Plani ynë është që, kur fëmija të nisë të qëndrojë në kopsht, në javën e parë të qëndrojë dy orë, nga ora 08:00-10:00. Pas kësaj qëndrimi zgjatet nga ora 08:00-12:00 para fjetjes dhe diku javën e tretë e monitorojmë fëmijën dhe nëse është gati, t’a lëmë të flejë", tha Gariq.
Ajo theksoi se procesi i adaptimit dallon nga fëmija në fëmijë, ndaj plani fillestar përshtatet sipas nevojave sesi fëmijëve t'u lehtësohet kalimi nga mjedisi familjar në mjedis të ri.
"Mund të ndodhë që procesi i adaptimit të shkojë shumë lehtë dhe diku egzistojnë disa rrethana më pak rënduese, të cilat, sigurisht, i marrim parasysh. Në përputhje me to korrigjojmë planin fillestar që vlen për çdo fëmijë. Kështu që mund të ndodhë që ndonjë fëmijë të adaptohet për një muaj, dikush brenda një jave dhe për dikë nuk janë të mjaftueshme madje as dy muaj. Ndaj në bashkëpunim me prindërit dhe mësuesit, monitorojmë se si shkon procesi, e vëzhgojmë fëmijën dhe konsultohemi me njëri-tjetrin sesi të shikojmë sesa kohë mundemi për të zgjatur qëndrimin tonë apo për t'iu përmbajtur planit tonë fillestar", spegoi Gariq.
Nuk egziston rregull universal se kur fëmija duhet të nisë kopshtin
Gariq vuri në dukje se nuk egziston rregull i vetëm se kur është koha më e mirë që fëmija të nisë të frekuentojë institucionin parashkollor, por vendimi duhet të bazohet tek nevojat dhe zhvillimi i tij individual.
"Egzistojnë disa bindje dhe rregull i pashkruar se rreth moshës 3 vjeç është më mirë që fëmija të hyjë në mjedis të ndryshëm, mjedis të zgjeruar familjar. Megjithatë vitet e fundit kuptuam se nuk ka rregulla, sepse ndjekim nevojat e fëmijës. Kur fëmija në familjen dhe mjedisin e vet primar fiton aftësi të caktuara, mëson se si funksionon mjedisi shoqëror dhe tregon shenjat e para se është gati të hyjë në mjedis të ndryshëm më të gjerë, qëndrimi në kopsht mund të nisë edhe më herët", tha ajo.
Sipas saj, prindërit duhet t'i kushtojnë vëmendje interesave dhe sjelljes së fëmijës, veçanërisht kur nis të tregojë dëshirë për shoqëri, për të luajtur bashkarisht dhe fituar përvoja të reja.
"Kjo është individuale nga fëmija tek fëmija dhe do të ishte më mirë nëse prindi ndjek nevojat e fëmijës së vet. Sapo nis të tregojë interes për fëmijët e tjerë, për lojë bashkëpunuese, për ndarje, për të fituar përvoja të reja dhe përvetësuar zakone të reja, kjo është shenja e parë se është e nevojshme përfshirja në institucion parashkollor", deklaroi Gariq.
Socializimi i hershëm është i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijës
Duke folur për rëndësinë e qëndrimit në kopsht, Gariq theksoi se socializimi i hershëm kontribuon në zhvillimin e aftësive sociale e emocionale, njohjen e rregullave të jetës në grup dhe fitimin e përvojave që fëmijët nuk mund t'i marrin përherë vetëm në mjedis familjar.
"Socializimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për shkak të të mësuarit të zakoneve dhe rregullave të reja të grupit, njohjes së njerëzve të tjerë, kontaktit me mjedis e stimuj të ndryshëm. Kjo është, thjesht, pasurimi i botës së fëmijës. Mund të vërejmë në këtë mënyrë se kur fëmija ndodhet në mjedis familjar, siç thotë populli, është nën zile qelqi. Nuk ka aq shumë përvoja dhe kontakte me botën e jashtme. Pasi përfshirjes në kopsht ose në ndonjë formë tjetër të organizuar qëndrimi, fëmija fiton përvoja të reja", sqaron Gariq.
Ajo shtoi se përmes aktiviteteve të ndryshme të organizuara, fëmijët njihen me tema të reja, vijnë në kontakt me bashkëmoshatarët dhe zhvillojnë empatinë, aftësinë për të ndarë dhe cilësi të tjera emocionale.
"Bukur është kur organizohen aktivitete të ndryshme, sepse kështu fëmijët mësojnë rreth gjërave dhe temave të reja, vijnë në kontakt me fëmijë të tjerë, çka është më e rëndësishme dhe mësojnë nga njëri-tjetri. Ky është mësim horizontal me bashkëmoshatarët, duke zhvilluar cilësi emocionale, empati dhe aftësinë për të ndarë. E gjitha kjo do të thotë shumë. Nga përvoja, kemi parë se egziston ndryshim të madh mes fëmijëve që qëndronin në kopsht qysh në moshë të vogël, le të themi pas vitit të parë ose të dytë të jetës dhe fëmijëve që hasin për herë të parë këtë lloj mjedisi në vitin e katërt ose të pestë", konkludoi Gariq.
Ditë e strukturuar qartë
Në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë” në Lleposaviq shkojnë 355 fëmijë, të ndarë në 22 grupe, nga çerdhja deri në moshën përgatitore parashkollore.
Drejtoresha e institucionit, Zorica Jovanoviq, thotë se puna e kopshtit është e organizuar që fëmijët të kenë ditë qartësisht të strukturuar nën përshtatje moshore e nevojave të tyre individuale.
"Orari i punës i institucionit parashkollor është nga ora 06:00-16:00. Pritja e fëmijëve është nga ora 06:00-08:00 pas të cilës pasohet me mëngjesin, aktivitetet e lira dhe të drejtuara, dreka, pushimi i pasdites, pasdreke e lehtë dhe më pas marrja e fëmijëve", thotë Jovanoviq.
Ajo thekson se vëmendje të veçantë i kushtohet sigurisë, kujdesit dhe zhvillimit të përgjithshëm të fëmijëve.
"Ky është një institucion që merret me kujdesin, ushqyerjen, kujdesin shëndetësor parandalues dhe punën edukativo-mësimore. Përpiqemi që të gjithë fëmijët që vijnë tek ne, para së gjithash të jenë të sigurt dhe që prindërit të jenë të sigurt kur na besojnë atë çka është më e vlefshme për ta-fëmijën e tyre", vëren Jovanoviq.
Sipas saj, qëndrimi në kopsht nuk është vetëm ruajtja e fëmijës, por dhe pjesë e rëndësishme e zhvillimit të tyre.
"Çdo fëmijë ka nevojë për strukturë. Tek ne fëmijët në varësi nga mosha, kanë kohë për lojë, aktivitete të drejtuara, socializim, pushim dhe gjithçka që është e rëndësishme për zhvillimin e tyre", thekson Jovanoviq.
Periudha mes vitit të dytë e të tretë është më e përshtatshme për të nisur kopshtin
Duke folur për moshën për nisjen e kopshtit, Jovanoviq bën të ditur se periudha mes vitit të dytë e të tretë është një nga më të përshtatshmet për përfshirjen e fëmijës në kolektiv.
"Kur flasim për anën psikologjike të fëmijës dhe gatishmërinë e tij për ndarje nga familja, periudha më ideale është mes vitit të dytë e të tretë. Atëherë fëmija është më i pavarur, i zhvillohen zakone higjienike, ka fond fjalësh dhe mund t'i shprehë lehtë nevojat e tij” tha Jovanoviq.
Megjithatë, sikurse shton, nevojat e familjes shpesh diktojnë se kur fëmija do të nisë kopshtin.
"Jeta shpesh nuk pyet se kur është koha më e mirë. Shumë prindër duhet të kthehen në detyrat e tyre të punës tashmë pas gjashtë muajsh ose një viti. Ne jemi të hapur për të punuar me këta fëmijë dhe përpiqemi që, në përputhje me moshën e tyre, të ndihmojmë kryesisht fëmijën dhe për vetëm për këtë edhe prindërit", shtoi Jovanoviq.
Edukatorja e grupit përgatitor parashkollor, Milica Saviq, thekson qëndrimi në kopsht do të thotë shumë për fëmijët për socializim.
"Fëmijët socializohen, mësojnë tolerancën dhe lojën e ndershme, përmes lojës fitojnë përvoja dhe njohuri të reja dhe zhvillojnë imagjinatën dhe kreativitetin", thotë Saviq.
Sipas fjalëve të saja, fëmijët që nisin kopshtin më herët në përgjithësi përshtaten më lehtë me kolektivin dhe krijojnë kontakt më lehtë me bashkëmoshatarët e tyre.
Mungesa e hapësirës rëndon zbatimin e programeve moderne
Kur është fjala për kushtet, punonjësit bëjnë të ditur se hapësira paraqet një nga kufizimet, veçanërisht për zbatimin e programeve moderne të punës. Mungon hapësira për fëmijët dhe lodrat.
"Përpiqemi që aq hapësirë sa kemi që na lejon, të ndjekim nevojat e fëmijëve dhe programeve moderne", thotë Saviq duke theksuar bashkëpunimin e mirë me prindërit të cilët, kur është e nevojshme, ndihmojnë në realizimin e aktiviteteve.
komentet