Në lokalitetin e manastirit të Virgjëreshës së Hvostanit,u mbajt rit katolik pa dijeninë e KOS, Eparkia kërkon mbrojtje

Verski obred na lokalitetu manastira Boorodice Hvostanske bez znanja SPC
Burim: Facebook

Eparkia rashko-prizrenase paralajmëroi sot se në lokalitetin arkeologjik të manastirit mesjetar të Virgjëreshës së Hvostanit, në fshatin Studenicë afër Istogut, brenda zonës së mbrojtur speciale të përcaktuar me ligj, të mërkurën më 23 korrik është mbajtur një tubim publik me rit fetar pa dijeninë dhe pëlqimin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të Ligjit për zonat e mbrojtura speciale. Ata theksojnë se gjatë ritit, prifti katolik nga Kosova, Fran Kolaj, ka mbajtur një fjalim me mesazhe të hapura nacionaliste, duke përdorur gjuhë nxitëse që nxit urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare, me qëllim të qartë të keqinterpretimit të fakteve historike të dokumentuara dhe të përvetësimit të trashëgimisë së KOS.

Eparkia e dënon ashpër këtë shkelje të rëndë të ligjit si vazhdim i një sërë provokimesh të drejtuara kundër KOS-it dhe urgjentisht u bën thirrje subjekteve ndërkombëtare që të angazhohen aktivisht për mbrojtjen e pasurive fetare dhe kulturore të KOS që janë të rrezikuara, si dhe të sigurojnë garanci të besueshme ndërkombëtare për Kishën në kushte të shkeljeve gjithnjë më të shpeshta të normave ligjore në fuqi dhe mungesës së reagimeve adekuate nga institucionet e Kosovës.

Nga Eparkia kujtojnë se manastiri mesjetar i Virgjëreshës së Hvostanit është rindërtuar mbi themelet e një bazilike më të vjetër gjatë dekadës së tretë të shekullit XIII.

Është ndërtuar në stilin arkitektonik të njohur të shkollës së Rashkës, nën përkujdesjen kishtare pas themelimit të eparkisë ortodokse serbe të Hvostanit në vitin 1219, si seli episkopale e themeluar nga Shën Sava.

Manastiri ka qenë në përdorim liturgjik të pandërprerë të Kishës Ortodokse Serbe deri në fund të shekullit XVII, për çka dëshmojnë dokumente dhe artefakte të shumta kishtare të ruajtura. Pas kësaj periudhe, manastiri pësoi dëmtime nga ngjarjet e trazuara historike, u braktis, dhe materiali ndërtimor filloi të shpërndahej gradualisht.

Sot në këtë vend janë ruajtur vetëm mbetjet e kishës së madhe mesjetare, objekteve përcjellëse dhe fortifikatës. Lokaliteti është hulumtuar në mënyrë të plotë nga arkeologë të shquar gjatë dekadave të fundit, me dokumentacion të gjerë që është ruajtur. Shumë mbishkrime mesjetare dhe dokumente që datojnë nga shekulli XIII e më vonë dëshmojnë për rëndësinë shpirtërore dhe historike të këtij vendi të shenjtë.

Duke qenë se bëhet fjalë për një pasuri fetare dhe kulturore me rëndësi të jashtëzakonshme, rreth mbetjeve të kishës së Virgjëreshës së Hvostanit më 4 qershor 2008, bashkë me mbi 40 zona të tjera më të mëdha apo më të vogla të mbrojtura që përfshijnë kisha dhe manastire mesjetare serbe, është themeluar Zonë Speciale e Mbrojtur në një rreze prej 100 metrash, në përputhje me Ligjin për zonat speciale të mbrojtura.

Brenda kësaj zone nuk mund të mbahen asnjë aktivitet i ndaluar apo i kufizuar, përfshirë tubimet publike, pa pëlqimin paraprak të Kishës Ortodokse Serbe dhe Këshillit për zbatimin dhe mbikëqyrjen e ligjit.

Megjithatë, Eparkia thekson se, sipas dëshmive publike të disponueshme, përfshirë fotografi dhe video-incizime, një grup shqiptarësh të Kosovës të udhëhequr nga prifti katolik Fran Kolaj më 23 korrik, në lokalitetin arkeologjik të kishës mesjetare ortodokse serbe, brenda zonës speciale të mbrojtur, kanë kryer një rit fetar të paautorizuar.

"Gjatë këtij akti, prifti Kolaj mbajti një fjalim politik me përmbajtje të theksuar nacionaliste, duke promovuar mosdurimin ndaj personave që nuk janë me prejardhje etnike shqiptare apo katolike romake, duke sulmuar veçanërisht serbët ortodoksë dhe myslimanët. Siç dëshmohet në fjalimin e tij, ai pa asnjë bazë historike apo juridike e quajti këtë manastir ortodoks serb, i dokumentuar mirë, 'etnikisht shqiptar dhe ilir'," thuhet në deklaratën e Eparkisë, e cila bashkë me komunikatën ka publikuar edhe transkriptin e fjalimit të priftit Kolaj.

Gjithashtu vihet re se fotografitë tregojnë fytyra që duken më shumë si ndjekës politikë sesa si besimtarë, gjë që e bën të gjithë aktin një përdhosje të hapur të një vendi të shenjtë.

Eparkia rashko-prizrenase paralajmëron se kjo procedurë përfaqëson gjithashtu një abuzim serioz të shërbesës fetare për qëllime politike dhe nacionaliste.

"Nuk dihet nëse ky abuzim i fundit provokues i një riti dhe hapësire fetare është kryer me dijeninë ose miratimin e peshkopit katolik në Kosovë", shtoi deklarata e Eparkisë.

Eparkia kujton se një akt i ngjashëm provokues është kryer në vitin 2018 në vendin arkeologjik të Kishës Ortodokse Serbe në Novobërdë, brenda Zonës së Mbrojtur Speciale.

"Pas kësaj, Patriarkana e Kishës Ortodokse Serbe i dërgoi një letër zyrtare Vatikanit, duke shprehur shqetësim të thellë për abuzimin e fesë në Kosovë dhe Metohi me qëllim të inkurajimit të hapur të intolerancës dhe mosmarrëveshjes fetare, si dhe përdorimin jashtëzakonisht provokues të vendeve arkeologjike dhe Zonave të Mbrojtura Speciale", shtoi deklarata.

Eparkia thekson se ky është vetëm incidenti më i fundit në një varg ngjarjesh që tregojnë një erozion shqetësues të të drejtave dhe lirive të saj, të cilat ose shpërfillen hapur, ose interpretohen në mënyrë të njëanshme.

“Janë të shumtë incidentet ndaj të cilave institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar në mënyrë ligjore, ose i kanë injoruar plotësisht. Në të njëjtën kohë, sulmet e hapura ndaj Kishës Ortodokse Serbe në disa media dhe në rrjetet sociale po krijojnë një atmosferë të pandëshkueshmërisë totale për veprat e paligjshme të drejtuara kundër Kishës dhe trashëgimisë së saj në Kosovë dhe Metohi. Për fat të keq, pas dy dekadash shpifjesh publike të vazhdueshme, revizionizmit historik të shoqëruar me promovimin e narrativave nacionaliste provokuese, paraqitjeve të rreme, mohimit të identitetit, përhapjes së vazhdueshme të gjuhës së urrejtjes kundër Kishës Ortodokse Serbe, si dhe hyrjeve të dhunshme në objekte kishtare dhe shkeljeve të shpeshta të Ligjit për zonat speciale të mbrojtura, që në radhë të parë janë themeluar për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare të KOS-së, këto veprime të paligjshme po realizohen gjithnjë më shpesh pa pasoja ligjore,” thuhet në deklaratë.

Ata shtojnë se Kisha Ortodokse Serbe do të shqyrtojë me kujdes të gjitha mundësitë ligjore në dispozicion për të nisur procedurat ndaj autorëve të këtij akti, i cili mund të konsiderohet vepër penale, si dhe për shkak të shkeljes së Ligjit për zonat speciale të mbrojtura.

“Megjithatë, për shkak të neglizhencës institucionale shumëvjeçare dhe zbatimit selektiv të ligjeve që lidhen me dhunën ndaj objekteve të KOS-së, ekziston një shqetësim serioz se edhe ky incident i fundit do të mbetet pa ndëshkim. Ky rast i pakëndshëm, si edhe të tjerët në vitet e fundit që gjithnjë e më shumë prekin të drejtat e garantuara të Kishës, tregojnë se deri në çfarë mase është dëmtuar kuadri ligjor që rregullon jetën e KOS-së. Këto ngjarje theksojnë nevojën urgjente për forcimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, në përputhje me iniciativat ndërkombëtare, në mënyrë që të sigurohet prania e përhershme dhe siguria e klerit të saj, e monakëve dhe besimtarëve, si dhe mbrojtja efikase e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare, me garanci të forta ndërkombëtare,” përfundon njoftimi i Eparkisë së Rashkës dhe Prizrenit.