Eparkia apelon për ndihmë për familjet në Kosovë që kanë humbur shtëpitë në zjarre

Eparhija Raškoprizrenska SPC
Burim: Eparhija Raškoprizrenska SPC

Me rastin e zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë ditët e fundit shumë pjesë të Serbisë qendrore, Kosovës dhe mbarë Ballkanit, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi, prona dhe pasuri të tjera, Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit shpreh ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi. Eparkia ka bërë thirrje organizatave humanitare, fondeve bamirëse, bashkësive fetare dhe njerëzve vullnetmirë që, sipas mundësive të tyre, të organizojnë mbledhjen e fondeve dhe ndihmave të tjera të nevojshme për familjet që i kanë humbur të gjitha në këto zjarre.

Në njoftim, Eparkia tërheq veçanërisht vëmendjen mbi vuajtjet e besimtarëve në komunën e Zubin Potokut dhe në fshatin e kthyer Osojan në Metohi, ku para disa ditësh shpërthyen zjarre që shkatërruan deri në themel katër shtëpi familjare, dogjën grurin gati për korrje dhe rrezikuan gjithë komunitetin që tashmë jeton në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Banorët e fshatit, së bashku me murgeshat nga manastiri i Gorioçit, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar shtëpitë përreth nga shkatërrimi. Pa hezitim bartën aparatet për shuarjen e zjarrit nëpër tym dhe flakë, duke qëndruar të palëkundur në përpjekjet për të ndalur stuhinë e zjarrit dhe për të parandaluar dëme edhe më të mëdha për komunitetin e tyre. Shembulli i tyre vetmohues ka zgjuar tek shumëkush ndjenjën e rilindur të unitetit, përgjegjësisë dhe shpresës”, thuhet në njoftim.

Theksohet se, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, dëmet janë të mëdha.

“Familjet që pas vuajtjeve të vitit 1999 kishin rindërtuar shtëpitë e tyre, tani sërish kanë mbetur pa strehë mbi kokë. Shumë të moshuar dhe banorë të pambrojtur kanë humbur jo vetëm shtëpitë, por edhe sendet e vogla personale, fotografitë familjare dhe kujtimet që asnjë rindërtim nuk mund t’i kthejë. Banorët me hidhërim dëshmojnë se shtëpitë e tyre janë djegur për herë të dytë brenda një brezi, gjë që ka thelluar më tej traumat dhe kujtimet e shpërnguljes”, theksohet në njoftim.

Për këtë arsye, Eparkia u ka bërë thirrje organizatave humanitare, fondeve bamirëse, bashkësive kishtare dhe njerëzve vullnetmirë që, sipas mundësive të tyre, të organizojnë mbledhjen e fondeve dhe ndihmës tjetër të nevojshme për familjet që në këto zjarre i kanë humbur të gjitha.

Siç theksohet, ndihma është veçanërisht e nevojshme për banorët e Osojanës dhe fshatrave të tjera të rrezikuara, që të rindërtojnë shtëpitë e tyre, të rivendosin lidhjet elektrike dhe infrastrukturën bazë, dhe të rikthejnë ndjenjën e sigurisë dhe dinjitetit.

“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa urgjente dhe efektive për të eliminuar shkaqet e këtyre tragjedive, përfshirë rrjetet elektroenergjetike të pasigurta dhe të vjetruara në vendbanimet e të kthyerve, të cilat, sipas dëshmive të banorëve, kanë kontribuar drejtpërdrejt në shpërthimin e zjarreve. Shumë shtylla elektrike janë të dëmtuara dhe të përkulura, mbahen vetëm nga telat, gjë që përbën rrezik të përhershëm për njerëzit dhe pasurinë”, theksohet në njoftim.

Në fund, u shprehën mirënjohje për guximin e të gjithë vullnetarëve, banorëve dhe murgeshave që me solidaritetin, dhembshurinë dhe veprimet e tyre të patrembura treguan çfarë do të thotë të jetosh si një trup në Krishtin, ku vuajtjen e njërit e ndajnë të gjithë me solidaritet.

“Qoftë dëshmia e tyre e dashurisë, sakrificës dhe njerëzillëkut frymëzim për të gjithë ne që t’u ndihmojmë të afërmve tanë në nevojë. Zoti i mbrojtë të gjithë ata që vuajnë, u japë forcë atyre që po rindërtojnë shtëpitë e tyre dhe ngrohë zemrat tona për vepra mëshire, bamirësie dhe paqeje”, thuhet në njoftimin e Eparkisë.