Në Rahovec, mbishkrime të reja "UÇK" në një veturë dhe disa shtëpi rreth kishës
Mëngjesin e sotëm në Rahovec, mbi një veturë, një garazh, si dhe në disa shtëpi në rrugët përreth kishës në atë vend janë shfaqur grafite të reja “UÇK”, transmeton Radio Gorazhdevac.
Pronari i veturës, Dobrivoje Gjoriq, herët në mëngjes e ka vërejtur grafitin “UÇK” të shkruar me bojë të zezë, kur ka shoqëruar vajzën e tij në shkollë dhe ka lajmëruar rastin në polici, e cila ka kryer hetime.
“Nuk e pashë kush e bëri, por sot në mëngjes kur shkova të çoja vajzën në shkollë, pashë një mbishkrim në makinë, që na shqetësoi. Policia erdhi me ftesë, bëri një hetim dhe më ftoi të jap deklaratë në stacion”, tha Gjoriq.
Grafitet janë shkruar në disa shtëpi të tjera në rrugët përreth kishës në Rahovec, duke përfshirë shtëpinë e Radisha Llukiqit, i cili jeton në atë shtëpi, si dhe në shtëpinë në pronësi të Zoran Kujunxhiqit, e cila nuk ka banorë.
Vëllai i Dobrivoje Gjoriqit, Gjorgje, u rrëmbye në vitin 1998, ndërsa vëllai i Radisha Llukiqit, Radivoje u rrëmbye në vitin 1999.
Të gjitha incidentet me mbishkrime në Rahovec që kanë ndodhur dy ditët e fundit kanë ndodhur afër kishës, e cila është qendra e grumbullimit të serbëve në atë qytet.

komentet