Suzana Trajkoviq: Sllagjan është i pafajshëm, kërkojmë që ai të mbrohet nga liria
Para ndërtesës së Prokurorisë Speciale në Prishtinë mëngjesin e sotëm janë mbledhur familjarët e ish-policit Sllagjan Trajkoviq, i cili u arrestua në mes të dhjetorit të vitit të kaluar me akuzën për pjesëmarrje në krime lufte.
Të mbledhurit kërkojnë lirimin nga paraburgimi të Trajkoviqit, i cili është në gjendje të keqe shëndetësore, në mënyrë që të mbrohet nga liria.
Familjarët mbajnë një pankartë "Babai im është i pafajshëm" si dhe pankarta në gjuhën shqipe.
Bashkëshortja e Trajkoviqit, Suzana Trajkoviq, ka thënë sot se familja është mbledhur para Prokurorisë Speciale për ta përkrahur bashkëshortin e saj i cili është i pafajshëm dhe për të kërkuar që ai të lirohet dhe të transferohet në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.
“I bëj apel organeve gjyqësore të Prishtinës që ta lejojnë Sllagjanin të mbrohet nga liria. Ai ka qenë pa terapi për 11 ditë, vetëm të mërkurën e kaluar është dërguar për ekzaminim në spitalin e Prishtinës. Unë e di që procedura është që të burgosurit udhëhiqen me zinxhirët rreth duarve dhe këmbës së tyre, por nuk e kam të qartë se një burrë që ka një plagë në shputën e këmbës nuk lejohet të shkojë me ashensor në katin e dytë, por të shkojë në këmbë. Unë i bëj apel organizatat e të drejtave të njeriut të na ndihmojnë, po ashtu po bëj apel sepse edhe Lajçak po vjen sot, për të parë se çfarë po i bëhet popullit serb”, tha Trajkoviq.
Trajkoviq shtoi se asnjë nga dëshmitarët, serb dhe shqiptar, nuk guxohen të vijnë dhe të mbështesin bashkëshortin e saj.
Sllagjan Trajkoviq u arrestua më 15 dhjetor në Mëhallën e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut. Ai akuzohet për një krim të dyshuar lufte kundër popullatës civile.


komentet