UNS dhe DNKiM: Policia e Kosovës të ndalojë ngacmimin e gazetarëve të redaksive serbe
Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS), së bashku me degën e saj Shoqata e Gazetarëve të Kosovës dhe Metohisë (DNKiM), ka shprehur protestë për shkak të ndalimit nga ana e policisë së Kosovës që gazetari i Radio Gorazhdevcit, Damjan Portiq, të xhirojë heqjen e grafiteve nga një objekt në këtë vend. Ai është legjitimuar dhe më pas i është urdhëruar të largohet nga hapësira publike, ka njoftuar UNS.
Gazetari Damjan Portiq i tha UNS-it se afër kishës në Gorazhdevc, punëtorë të angazhuar nga komuna e Pejës, në prani të policisë së Kosovës, i kanë lyer muret ku më parë ndodheshin grafite të ndryshme dhe se ai kishte dalë në terren për të dokumentuar këtë ngjarje.
„Dy policë me uniformë dhe dy civilë më legjitimuan, më pas më sulmuan verbalisht, duke më urdhëruar të largohem nga vendi i ngjarjes me fjalët: 'ik prej këtu', 'largohu' dhe 'shporru'. Njëri nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës tentoi të më ndalojë të fotografoj, duke iu referuar ligjit, edhe pse ngjarja po ndodhte në një hapësirë publike“, thotë Portiq.
Portiq thotë se nuk i është dhënë ndonjë sqarim pse nuk lejohet të xhirojë dhe konsideron se bëhet fjalë për një përpjekje për kufizimin e të drejtës së gazetarëve për të ushtruar punën e tyre lirshëm.
UNS dhe DNKiM kërkojnë që të përcaktohet përgjegjësia e policëve që e kanë penguar gazetarin në kryerjen e detyrës dhe bëjnë thirrje që të ndalohen presionet ndaj gazetarëve të redaksive serbe.
UNS dhe DNKiM theksojnë se është e papranueshme që në këtë mënyrë të trajtohen punonjësit e medias dhe rikujtojnë se filmimi në hapësira publike është i lejuar dhe nuk guxon të ndalohet në asnjë mënyrë.
komentet