Popoviq: Fushata e Kurtit bazohet në urrejtje ndaj serbëve dhe Listës Serbe
Fushata e Albin Kurtit bazohet vetëm në urrejtjen ndaj serbëve dhe kufizimin e të drejtave të Listës Serbe, theksoi Srxhan Popoviq, kandidati i Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme.
Popoviq, për Newsmax Balkans, ka theksuar se Lista Serbe që në fillim është përballur me pengesa të ndryshme.
“Ne prisnim që do të duhej të luftonim deri në fund dhe se do të viheshin gjithnjë e më shumë pengesa para nesh. Pritej që ankesa jonë të mos pranohej. Jemi të dëmtuar dhe kjo sigurisht që do ta vështirësojë pozitën tonë në zgjedhje”, tha ai.
Kur është fjala për legjitimitetin e zgjedhjeve, Popoviq tha se qeveria në Prishtinë, siç shihet, ka diçka më shumë se një inat personal ndaj Listës Serbe.
“Në atë hapësirë që na është dhënë, duhet të luftojmë. Por ne shohim që njerëzit tanë e kuptojnë atë në mënyrën e duhur,” shtoi ai.
Ai tha se është i kënaqur me fushatën e deritanishme të Listës Serbe, duke shtuar se po shkon mirë.
“Shkojmë shtëpi më shtëpi, duke biseduar me qytetarët tanë në gjithë territorin e Kosovës dhe Metohisë. Ka mbetur ende shumë kohë. Ne jemi vazhdimisht me njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi dhe ndajmë fatin e tyre. Populli e sheh se ne jemi në anën e duhur bazuar në gjithçka që po na ndodh. Përderisa Prishtina proteston, ne e dimë se jemi në rrugën e duhur”, ka theksuar ai.
I pyetur për bisedimet e kaluara të Listës Serbe me vëzhguesit evropianë, ai tha se tema ishin gjithçka me të cilën ballafaqohet Lista Serbe dhe mohimi i të drejtave të saj.
“Ne jemi të pakënaqur me gjithë situatën. Vëzhguesve i kemi prezantuar se çfarë po bëhej në terren, cilat ishin parregullsitë, çfarë përjetuam nga qeveria në Prishtinë, çfarë nga KQZ-ja. Ne nuk kemi përvoja pozitive me komunitetin ndërkombëtar. Shpresojmë që ata ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, theksoi ai.
Popoviq theksoi se Lista Serbe dëshiron që zgjedhjet të vazhdojnë rregullisht dhe askush të mos rrezikojë rezultatet e saj.
Kur është fjala për fushatën e Albin Kurtit, ai tha se nuk ka fushatë, por gjithçka varet nga sa urrejtje do të tregojë ndaj serbëve dhe sa do t'i mohojë të drejtat e Listës Serbe në gjithë territorin e Kosovës.
"Unë mendoj se një politikë e tillë populiste nuk mund të jetë afatgjatë. Mendoj se të gjithë qytetarët në Kosovë dhe Metohi dëshirojnë diçka të prekshme, programe ekonomike, se si do të ecin përpara. Siç po e shihni, nuk ka asgjë nga kjo, gjithçka zbret në retorikë boshe dhe pikë të lira politike, të cilat askujt nuk i sjellin asgjë të mirë”, nënvizoi Popoviq.
0 komentet