Simiq: Turp për KQZ-në dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që për herë të tretë po shkelet ligji
Anëtari i Presidencës së Listës Serbe, Igor Simiq, theksoi sot se Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim lidhur me përbërjen e këshillave zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po vijnë, me të cilin shkel ligjin dhe rregulloren e vet në dëm të Listës Serbe, për çka, siç thotë, ata kanë dorëzuar përsëri ankesë. Ai theksoi se është turp për KQZ-në dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që për herë të tretë këtë vit shkelet ligji në dëm të serbëve.
“Duhet ironikisht të konstatoj se konferenca të tilla për media janë bërë tradicionale. Zgjedhjet e treta këtë vit, dhe për herë të tretë partitë shqiptare në KQZ duan që populli serb të mësohet me paligjshmëri dhe shkelje të të drejtave. Ne nuk do të pajtohemi me diçka të tillë”, theksoi Simiq.
Ai nënvizoi se është i turpshëm trajtimi i KQZ-së ndaj Listës Serbe, e cila ka 10 kryetarë komunash në 10 komunat me shumicë serbe dhe e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi të gjitha 10 mandatet, nga të cilat një iu “vodh” përmes inxhinierisë zgjedhore.
“KQZ dje mbajti mbledhjen dhe mori vendimin për përbërjen e këshillave zgjedhorë. Përsëri vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e KQZ-së, e cila sa i përket përfaqësimit thotë se KQZ i fton subjektet e konfirmuara politike të nominojnë nga një anëtar në këshillin zgjedhor dhe se KQZ duhet të sigurojë përfaqësim të drejtë, bazuar në popullsi dhe përfaqësim në nivel komunal”, shpjegoi Simiq.
Ai shtoi se Listës Serbe, edhe pse është obligim, nuk i është dorëzuar vendimi i KQZ-së, por për të kanë mësuar vonë mbrëmë përmes anëtarit të tyre.
“Ne menjëherë filluam me hartimin e ankesës, të cilën e dorëzuam sot në orën 10”, theksoi Simiq.
Ai shtoi se sa i përket vendimit për qendrat e numërimit të votave, ai i është dërguar Listës Serbe sot në orën 9:28, kështu që, në vend të afatit prej 24 orësh, ata patën vetëm disa orë kohë për të dorëzuar ankesën.
“Kjo është turp për të gjithë në KQZ, për përfaqësuesit ndërkombëtarë, sepse për herë të tretë brenda të njëjtit vit flasim për shkeljen e të drejtave të serbëve, ndërsa asgjë nuk ndryshon. Turp është edhe për ata që mendojnë se janë vëzhgues neutralë, sepse tri herë brenda një viti kemi të njëjtin problem, moscertifikimin e Listës Serbe, ndërsa disa parti të tjera e kalojnë këtë pa problem”, theksoi Simiq.
Ai paraqiti të dhëna konkrete që lidhen me numrin e kryesuesve të këshillave zgjedhorë në komunat me shumicë serbe.
Kështu, në Novobërdë, Lista Serbe, e cila në zgjedhjet lokale mori 61,39 për qind të votave, do të ketë vetëm tre nga 23 kryesues, ndërsa Vetëvendosje, me shtatë herë më pak vota, do të ketë dyfish më shumë kryesues, po ashtu edhe PDK dhe LDK, ndërsa partia e Nenad Rashiqit, edhe pse pa vota në zgjedhje, do të ketë dy kryesues.
Në Leposaviq, Lista Serbe, pavarësisht se ka fituar 75 për qind të votave në zgjedhjet lokale, do të ketë shtatë nga 25 kryesues, po aq sa Vetëvendosje, e cila ka fituar vetëm 1,56 për qind të votave.
“Rashiq, politikani i preferuar i Kurtit, do të ketë katër nga 25 kryesues”, tha Simiq.
Në Shtërpcë, Lista Serbe do të ketë vetëm dy nga 17 kryesues, megjithëse ka fituar 62,02 për qind të votave. Po aq kryesues do të ketë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në zgjedhje ka pasur – 0 vota. Po aq do të ketë edhe partia "Për liri, drejtësi dhe mbijetesë", megjithëse ka fituar 7,44 për qind të votave.
Ndërkohë partitë shqiptare, me dukshëm më pak vota në zgjedhje, do të kenë më shumë kryesues – Vetëvendosje dhe PDK nga katër, dhe LDK – tre.
Simiq theksoi gjithashtu se Lista Serbe në Zubin Potok, ku ka fituar bindshëm 75,12 për qind të votave, do të ketë tre nga 15 kryesues, po aq sa Vetëvendosje dhe PDK me 14 ose 15 herë më pak vota, si edhe LDK me 75 herë më pak vota.
Situata nuk ndryshon shumë as në Zveçan, ku LS me 86,77 për qind të votave do të ketë dy kryesues, po aq sa LDK, e cila nuk ka marrë asnjë votë. Ndërkohë, Vetëvendosje dhe PDK do të kenë nga tre kryesues.
Ai përmendi edhe Parteshin si një paradoks të veçantë, sepse Lista Serbe në atë komunë do të ketë tre nga shtatë kryesues, ndërsa partia e Nenad Rashiqt, megjithëse pa vota në zgjedhje, katër kryesues.
Situata është e ngjashme edhe në Ranillug, ndërsa në Mitrovicën e Veriut Lista Serbe, e cila në zgjedhjet lokale fitoi 65,36 për qind të votave, do të ketë më së paku kryesues në këshillat zgjedhorë.
Simiq vuri në dukje se në pesë vendvotime në Mitrovicën e Veriut, partia nuk do të ketë fare anëtarë të këshillave, që do të thotë se nuk mund ta kontrollojë procesin.
“Përsëri dikush po përpiqet me marifetlleqe dhe vendime të paligjshme administrative të ndikojë në procesin zgjedhor dhe të krijojë kushte që favorizojnë ata që janë afër regjimit në Prishtinë”, u shpreh qartë Simiq.
Në Graçanicë, Lista Serbe, e cila fitoi 63,92 për qind të votave, do të ketë gjashtë nga 34 kryesues, ndërsa partitë shqiptare do të kenë plot 22. Ndërkaq partia e Nenad Rashiqit, me 10 herë më pak vota se LS, do të ketë gjithashtu gjashtë kryesues.
Ai shtoi gjithashtu se në Kllokot, sipas vendimit aktual të KQZ-së, Lista Serbe dhe partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” kanë nga një kryesues, ndërsa të tjerët kanë më shumë.
“Në 28 komuna me shumicë shqiptare, Lista Serbe nuk ka asnjë kryesues. Në 10 komuna serbe, partitë shqiptare, Vetëvendosje, PDK dhe LDK, kanë gjithsej 107 kryesues. Kështu duket demokracia dhe respektimi i përbërjes etnike dhe numrit të banorëve në komunat e Kosovës”, theksoi Simiq.
Prandaj, përsëriti ai, Lista Serbe ka dorëzuar ankesë, por vuri në dukje edhe paradoksin se IPŽP para zgjedhjeve parlamentare kishte miratuar të njëjtën ankesë, por KQZ nuk e kishte marrë parasysh dhe nuk kishte lënë afat të mjaftueshëm, ndërsa ankesën e tyre para zgjedhjeve lokale – Paneli e kishte refuzuar.
“Është e qartë se ne serbët në këto hapësira duhet të ecim nëpër rrugën më të vështirë. Me këtë nuk kemi problem, por kemi problem me ata që kanë plot gojën demokraci dhe sundim të ligjit, e pastaj shkruajnë raporte për proceset demokratike, por nuk e përmendin fare përbërjen e këshillave zgjedhore…”, vërejti Simiq.
Ai theksoi se, nëse serbët minimizohen në këshillat zgjedhore, dhe duke qenë se aty votohet në rast të shkeljes së ligjit, përfaqësuesit e Listës Serbe gjithmonë do të mbeten të tejkaluar me vota.
“Prandaj po luftojmë për këtë. Duam demokraci të vërtetë, që kur të kandidojmë në zgjedhje, të kemi pjesëmarrje të barabartë”, tha Simiq.
Ai porositi se, pavarësisht gjithçkaje që po bëhet, ata nuk kanë të drejtë dhe nuk do të tërhiqen.
“Me unitet dhe harmoni, vendime të tilla nuk do të pengojnë që serbët t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre”, porositi Simiq.
Në pyetjen se çfarë do të bëjë Lista Serbe për të parandaluar atë që ndodhi në zgjedhjet e kaluara parlamentare, kur praktikisht iu mor një mandat, Simiq theksoi se do të përdorin të gjitha mekanizmat për të parandaluar falsifikimin e rezultateve zgjedhore.
“Do të angazhojmë numrin më të madh të vëzhguesve, por në Kosovë ka disa mijëra vendvotime dhe nuk mund t’i ndjekim të gjitha. Jemi përballur që vëzhguesve tanë të përpiqet t’u ndalohet monitorimi i votimit me arsyetimin se s’ka vend apo se rrezikohet fshehtësia. Këtë nuk do ta lejojmë. Ftojmë edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe mediave të përfshihen. Kjo është betejë për të gjithë ne, për të drejtën dhe drejtësinë”, theksoi Simiq.
Ai tha gjithashtu se Lista Serbe ka dëshmuar se gëzon mbështetjen më të madhe të popullit serb dhe beson se do ta ketë sërish.
“Nuk mund të ndikojmë në Gjakovë, Skënderaj, Podujevë dhe Prizren që dikush të marrë më shumë se 150 vota. Do të doja që në ato komuna të kishte aq serbë, por nuk ka. Ato nuk janë vota serbe, por disa të tjerë kanë vendosur kush i merr ato mandate”, kritikoi Simiq.
Në pyetjen për takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, ai u përgjigj se Lista Serbe ka detyrim të takohet me ta, në mënyrë që t’u përcjellë situatën në të cilën ndodhet populli serb.
“Fatkeqësisht, përveç njëfarë mirëkuptimi, nuk shohim veprime konkrete që do të sjellin ndryshim në terren. Ndonjëherë pyes veten se cila është arsyeja e atyre takimeve”, theksoi Simiq.
Ai nënvizoi se populli serb mund të mbështetet vetëm te shteti i vet dhe te presidenti Aleksandar Vuçiq.
“E dimë çfarë ka ndodhur tre vitet e fundit kur Albin Kurti ka shkelur të gjitha të drejtat e popullit serb, dhe e dini çfarë ka përjetuar Lista Serbe, se kundër të gjithë drejtuesve dhe serbëve më të njohur po zhvillohen procese për sulm ndaj rendit kushtetues. Po ushtrohet dhunë institucionale ndaj çdo serbi që nuk dëshiron të jetë i bindur ndaj Prishtinës. Kjo as mund, as duhet të na frikësojë”, porositi Simiq.
Ai theksoi se, nga njëra anë, është bekim të jetosh në hapësirën e Kosovës dhe një nder i madh, kur e di që mbi 40 mijë serbë besojnë se do të luftosh për ta dhe do të mundësosh kushte normale jete në shekullin XXI.
Megjithatë, ai shprehu dyshimin se Paneli për Ankesa dhe Parashtresa do ta ndryshojë vendimin e KQZ-së, dhe theksoi se Lista Serbe është e ekspozuar ndaj një dhune të planifikuar institucionale.
“Edhe nën kushte të ngjashme kemi dalë në zgjedhjet e kaluara dhe kemi fituar bindshëm. Prandaj i ftoj qytetarët për përgjegjësi, unitet dhe bashkim”, theksoi Simiq.
Në pyetjen se çfarë gjendje kanë gjetur kryetarët e rinj në komunat që kanë marrë, Simiq tha se ai ka qenë në Zveçan dhe ka parë se ndërtesa e komunës i ngjante gjithçkaje, vetëm jo një institucioni.
“Kur e sheh këtë, pyet veten kush ka qenë në atë ndërtesë dhe cili ka qenë qëllimi. A ka mundur ndonjë qenie njerëzore të qëndrojë aty? Ata kanë shkatërruar gjithçka, kanë larguar të gjithë pajisjet kompjuterike, lagështia ka kapluar nga kati i parë deri te i treti. Dikush me qëllim ka dashur ta shkatërrojë gjithçka”, është i bindur Simiq.
Ai theksoi se në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan, mbi 90 për qind e të punësuarve në administratën komunale janë shqiptarë, nga të cilët më pak se tre për qind flasin serbisht, dhe shtroi pyetjen se si u kanë ofruar shërbime serbëve.
Ai shtoi se në Zveçan janë gërmuar muret, ndërsa në Zubin Potok Policia e Kosovës ka ndezur zjarr mbi parket, kanë nxjerrë prizat, kondicionerët janë djegur. Në Zubin Potok, tha ai, në sheshin ku dikur luanin fëmijët, Policia e Kosovës e ka kthyer në parking, duke demonstruar forcë.
Simiq u bëri thirrje qytetarëve për durim, sepse për ndryshime të mëdha nevojitet kohë, dhe shtoi se kryetarët kanë kërkuar raporte për gjendjen financiare dhe për atë çfarë është bërë me pronën komunale, e cila shpesh është uzurpuar.
0 komentet