Nikollovski: Po punohet intensivisht për hyrjen e mundshme të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”

Ljupko Nikolovski
Burim: Facebook

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Lupça Nikollovski, tha sot se pritet që Maqedonia e Veriut të jetë nikoqire e Panairit të Ushqimit, i cili do të organizohet nga Iniciativa “Ballkan i Hapur” dhe të punohet intensivisht për zgjerimin e mundshëm të Iniciativës në Mal të Zi.

Data e Panairit, i cili duhet të mbahet këtë vit, ende nuk është përcaktuar dhe diskutimet janë në vazhdim.

Sipas Nikollovskit, bëhet fjalë për një manifestim si Panairi i Verës i vitit të kaluar në Beograd, dhe qëllimi është që ky manifestim të bëhet tradicional.

“Bëhet fjalë për një manifestim që do të ngrihej nën kujdesin e “Ballkanit të Hapur”. Do të fillojmë një mbledhje të kryeministrit për të rënë dakord për datën, u diskutua që të jetë tek ne dhe të bëhet traditë. Plani është organizimi i Panairit në bashkëpunim me biznesin tonë dhe partnerë të tjerë. Ne dëshirojmë të shfrytëzojmë hapësirat e hotelit Aleksandar Palace për konferenca, parking dhe objektin e qendrës sportive Boris Trajkovski, tërë kompleksin”, tha Nikollovski në konferencën për media.

Ai thekson gjithashtu se me Malin e Zi po punohet intensivisht për zgjerimin e mundshëm të “Ballkanit të Hapur” edhe me këtë vend.

“Të dielën do të udhëtoj për në Mal të Zi, ku do të takohem me kryeministrin Abazoviq dhe zëvendëskryeministren përgjegjës për bujqësinë. Do të kemi një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë vetëm me “Ballkanin e Hapur”. Ka një dëshirë të madhe për të paraqitur të dhënat tona se sa është ulur pritjet në kufi, sa është rritur transporti, sa është rritur vlera e bashkëpunimit. Ne do t'i paraqesim të gjitha këto informacione. Ne po punojmë në atë drejtim me Malin e Zi, po flasim drejtpërdrejt dhe hapur”, ka thënë Nikollovski.

Ministri shtoi se të gjitha kompanitë e mëdha nga Maqedonia e Veriut po kërkojnë për partner Malin e Zi.

“Vazhdojnë të përmendin se 26 lloje të dokumenteve nuk nevojiten më, procesi është përshpejtuar ndjeshëm, ata vazhdimisht tregojnë për avantazhet e Ballkanit të Hapur. Ata posaçërisht kërkojnë Malin e Zi, kërkojnë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, por mbi të gjitha Malin e Zi”, thekson ministri.

Siç vuri në dukje Nikollovski, thirrjet politike për zgjerimin e “Ballkanit të Hapur” janë ende të vlefshme për vendet e tjera të rajonit.