Gjykimi i liderëve të UÇK-së: A do të kenë dëshmitarët mbrojtjen e duhur këtë herë?

Suđenje liderima OVK
Burim: Kosovo Online

Në gjykimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi para Dhomës së Specializuar në Hagë, Prokuroria paralajmëroi dëshminë e më shumë se 300 dëshmitarëve, dhe një nga çështjet kyçe për suksesin e kësaj procesi është pikërisht siguria e tyre. Gjykimet e mëparshme gjyqësore, në të cilat temë ishin krimet e luftës të kryera nga UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj, u shoqëruan me mbrojtje joadekuate të dëshmitarëve, dhe shembulli më drastik ishte gjykimi kundër Ramush Haradinajt.

Në vitin 2012, Haradinaj u shpall i pafajshëm në një aktgjykim të shkallës së dytë para Tribunalit të Hagës, por gjatë procesit, disa dëshmitarë vdiqën në rrethana të çuditshme ose tërhoqën deklaratat e tyre.

Prokuroria Speciale është e vetëdijshme për këtë, ndaj prokurori Aleks Vajting në fillim të gjykimit theksoi se një nga sfidat në procedurën kundër katër komandantëve të UÇK-së është atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

“Është reale dhe shumë e përhapur dhe kjo është një nga arsyet pse kjo gjykatë ndodhet në Hagë dhe pse në vendimet e saj gjykata ka pohuar se ky frikësim ka vazhduar edhe sot e kësaj dite”, tha Vajting.

Ai gjithashtu tha se dëshmitarët kanë nevojë për guxim.

“Do të shohim që ndonjëherë dëshmitarët që thirren për të dëshmuar nuk do të duan t'i tregojnë kësaj gjykate atë që dinë, për shkak të frikës se çfarë do të ndodhë me ta ose me familjet e tyre, duke përfshirë se dikush do t'i shënojë si bashkëpunëtorë ose tradhtarë sepse ata bashkëpunojnë me këtë institucion”, tha ai.

Ish-prokurori për krime lufte, Vlladimir Vukçeviq, thekson për Kosovo Online se mbrojtja e dëshmitarëve në gjykimin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së është vendimtare, por edhe shumë specifike, sepse vetëm përmes dëshmitarëve mund të sigurohen prova të vlefshme procedurale, d.m.th. prova në bazë të të cilave vendimi mund të merret, shfajësues ose dënues.


"Edhe ne e kishim atë hall. Kur isha në Amerikë si prokuror, me ftesë të Ministrisë së tyre të Drejtësisë, vura re se shqiptarët përmendeshin vazhdimisht në histori për mafian. Mafia shqiptare mori rolin e mafies italiane - kur mësojnë për ndonjë komunikim mes anëtarëve ato njësitë e tyre me prokurorinë e kërkojnë menjëherë, i japin para dhe e paralajmërojnë. Nëse e shohin që vazhdon të komunikojë me ne, kërcënojnë se do ta likuidojnë, ose një anëtar të familjes së tij dhe në fund vijon likuidimi”, thotë Vukçeviq.

Ai shton se sa delikate është mbrojtja e dëshmitarëve, tregon më së miri procesi që është zhvilluar konkretisht kundër Ramush Haradinajt në Hagë, apo puna për mbledhjen e informacioneve për “Shtëpinë e Verdhë”. Vukçeviq thekson se derisa Karlla dell Ponte ishte Kryeprokurorja, Shefi i Departamentit Hetues në Hagë kërkoi mbështetjen e Prokurorisë Serbe për Krimet e Luftës në hetimin e krimeve të Haradinajt dhe dëgjimin e dëshmitarëve.


“Ai tha se po ndjekin gjurmët e krimeve të Hardinajt, duan të marrin në pyetje dëshmitarët, të shohin nëse ka ndonjë gjë që do t'u vinte në dobi... Ne sollëm njerëz për të dëshmuar, por mbrojtja e dëshmitarëve u shfaq sërish si një problem. Një dëshmitar është vrarë në Podgoricë, në vendbanimin "Masline”, e ka goditur një xhip. Dëshmitari tjetër ka ikur në Gjermani, ne i kemi njoftuar gjermanët për këtë, por është gjetur në Berlin, i varur në park, nën dyshimin se ka kryer vetëvrasje. Është një çështje kaq delikate”, thekson Vukçeviq.

Megjithatë, ai thotë se tashmë Prokuroria e Specializuar dhe trupat gjyqësore duhet të mbrojnë dëshmitarët, pasi pa këtë nuk do të mund ta përfundojnë procesin.


"Unë besoj se dëshmitarët tani janë të sigurt. Atë nuk duhet ta marrin lehtë. Ata që kanë themeluar gjykatën dhe prokurorinë nuk do të ngatërrohen me të", tha Vukçeviq, por shtoi gjithashtu se kërcënimet ndaj dëshmitarëve nuk do ta befasonin atë, edhe pse thotë, përvoja i thotë se “kërcënojnë vetëm kur u thonë, asnjëherë me iniciativën e tyre”.

Kur bëhet fjalë për “Shtëpinë e Verdhë”, që përmendet shpesh, ai tregon se nuk është zbuluar nga Dik Marti, por nga prokuroria serbe.


Jurist Millan Antonijeviq vë në dukje dallimin mes gjykimit të liderëve të UÇK-së dhe procedurave të tjera para Tribunalit të Hagës, duke thënë se siguria e dëshmitarëve, të cilës, siç thotë, Gjykata Speciale i kushton vëmendje, garantohet në një mënyrë tjetër.

Ai gjithashtu thekson se në procedurën kundër Thaçit dhe të tjerëve ka shumë më pak informacion për dëshmitarët.

“Për të gjithë ata që duan të shohin drejtësinë ndërkombëtare, është e qartë se siguria e dëshmitarëve është çelësi dhe se me këtë do të matet edhe vetë suksesi i procedurave që po zhvillohen kundër liderit të UÇK-së”, tha Antonijeviq për Kosovo Online.


Ai thekson se nuk e di saktësisht se cili është vlerësimi aktual i sigurisë, për të cilin janë përgjegjës institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

"Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të lejojë asnjë incident dhe duhet të reagojë qartë ndaj çdo kërcënimi të drejtuar ndaj dëshmitarëve dhe familjeve të tyre, të analizojë nëse ka ndonjë tërheqje nga dëshmia dhe cilat janë arsyet për këtë," tha Antonijeviq.

Ai thotë se është e nevojshme që të gjithë të shohin “drejtësinë ndërkombëtare”, të cilën mbi të gjitha e meritojnë viktimat e krimeve të luftës dhe konflikteve.

I gjithë rajoni meriton të shohë drejtësinë, të gjitha viktimat edhe familjet e atyre që edhe në këtë moment janë të zhdukur, si nga komuniteti serb, ashtu edhe nga ai shqiptar, autorë e të cilit janë pjesëtarët e UÇK-së”, përfundoi Antonijeviq.

Se çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve të krimeve të UÇK-së në Kosovë është me të vërtetë problematike, tregon edhe fakti se asnjë nga analistët kosovarë të cilëve Kosovo Online iu kërkua të përgjigjet në pyetjen nëse dëshmitarët janë të sigurt në Kosovë, nuk deshi të komentojë temën.