A ka të drejtë ambasadori Gero kur krahason marrëdhëniet mes Francës dhe Britanisë së Madhe me Serbinë dhe Kosovën?
Shembulli i pajtimit mes Francës dhe Britanisë së Madhe, të cilin e theksoi ambasadori francez në Kosovë, Ollivier Gero para disa ditësh në kontekstin e modelit për pajtimin mes Serbisë dhe Kosovës, sipas mendimit të bashkëbiseduesve të Kosovo Online, është jo adekuate, sepse nuk ka asnjë paralele nëse marrim parasysh këto marrëdhënie të parë nëpër histori.
Historiani Stanisllav Sretenoviq, këshilltar shkencor në Institutin për Histori Bashkëkohore, thotë për Kosovo Online se i duket e çuditshme paralelja e bërë nga ambasadori Gero.
“Ambasadori do të duhej të sqaronte se çfarë donte të thoshte në mënyrë që ne të mund ta analizonim atë. Ai mund t'i referohej luftës njëqindvjeçare midis anglezëve dhe francezëve, në shekujt 14 dhe 15, dhe dëbimin e anglezëve nga kontinenti evropian, domethënë nga Franca. Së dyti, ai mund t'i referohej incidentit në Fashoda në Afrikën Lindore në 1898, pas së cilës u nënshkrua Antanta e Përzemërt midis Francës dhe Anglisë në 1904, dhe e cila u shoqërua me bujë të madhe. Momenti i tretë, duke folur historikisht, është refuzimi përfundimtar i Anglisë për t'u bashkuar me Komunitetin Ekonomik Evropian, i cili u frymëzua nga politika franceze. De Goll nuk i ka pëlqyer anglezët në Komunitetin Evropian, por më vonë francezët prapë pranuan hyrjen e Anglisë në Komunitetin Evropian dhe në Bashkimin Evropian, kështu që në fund anglezët u larguan vullnetarisht”, thotë Sretenoviq.
I pyetur nëse këto momente problematike gjatë historisë së konfliktit dhe pajtimit mes dy fuqive janë të krahasueshme me çështjen e Serbisë dhe Kosovës, Sretenoviq thotë se nuk sheh një krahasim të vlefshëm.
“Nuk është e krahasueshme sepse ka kohë të ndryshme, kontekste, çështja e sovranitetit, shkatërrimi i strukturave të shoqërive, shteteve, konteksti ndërkombëtar dhe rënia e komunizmit dhe pasojat e tij në Evropën Lindore. Kur shikon të gjitha këto, ky krahasim nuk ka asnjë lidhje. Përfundimisht, pajtimi franko-gjerman mund të merret si shembull, por përsëri shumë i kufizuar dhe do të ishte më i vlefshëm për serbët dhe kroatët sesa për Serbinë dhe Kosovën e Metohinë, sepse kjo është një çështje e një vendi sovran nga i cili një pjesë i territorit është i ndarë”, thotë Sretenoviq.
Ish-ambasadori i Serbisë në Londër, Dejan Popoviq, po ashtu thotë për Kosovo Online se nuk sheh asnjë paralele mes marrëdhënieve midis Anglisë dhe Francës dhe Serbisë dhe Kosovës, përveç nëse siç thotë ai, mesazhi i ambasadorit francez ishte se të gjitha konfliktet mund të kapërcehet.
Popoviq kujton se një pjesë e Francës ishte nën kurorën angleze deri në shekullin e 15-të dhe se francezët arritën të çliroheshin nga kurora angleze në Luftën Njëqindvjeçare, por ai vëren se ishte një kohë feudalizmi kur Anglia nuk konsiderohej të kanë kolonizuar pjesë të Francës, por sipas parimit të trashëgimisë së kurorës, mbreti anglez pretendonte pjesë të territorit francez. Kalle, kujton ai, pushoi së qeni territor anglez në fund të shekullit të 15-të dhe fillimit të shekullit të 16-të dhe u kthye në duart e francezëve.
“Kjo është një pjesë e historisë dhe nuk besoj se ambasadori e ka pasur këtë paralele në mendje. Paralelja që ai ndoshta kishte parasysh është se francezët dhe anglezët ishin rivalë tradicionalë për supremacinë në këtë pjesë të botës. Nga Lui XIV që ishte në luftë me Dukën e Uellingtonit, përmes Lui XV që po humbiste luftërat me anglezët në mesin e shekullit të 18-të, te Napoleoni dhe luftërat e tij kur Anglia ishte vazhdimisht kundërshtari kryesor dhe ne e dimë se si përfundoi - me internimin e Napoleonit në Shën Helena e cila është një koloni angleze në Atlantikun e Jugut. Në shekullin e 19-të, ne patëm një konflikt të mundshëm midis dy fuqive koloniale në territoriet në Afrikë, kur pothuajse ishte një luftë në Fashoda, në Sudanin e sotëm të Jugut, ku njësitë franceze dhe angleze ranë në kontakt me qëllimin - kush do ta kontrollonte i pari atë pjesë të Nilit. Pastaj, dalëngadalë, armiku i përbashkët, pra Perandoria Gjermane, filloi të afronte Anglinë dhe Francën, kështu që në vitin 1904 u krijua Antanta e Përzemërt, kur ata vendosën të kapërcejnë konfliktet e tyre të mëparshme dhe të bëhen aleatë në konfliktin e afërt me Gjermaninë”, thotë Popoviq.
Ajo aleancë dhe miqësi, shton ai, kaloi nëpër disa lëkundje përgjatë shekullit të 20-të. Ata ishin bashkë në të dyja luftërat botërore, si dhe në Luftën e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik.
“E gjithë kjo mund të shërbejë vetëm si shembull se mund të kapërcehen konfliktet dhe se mund të arrihet pajtimi, por marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të krahasohet me raportin mes Britanisë së Madhe dhe Francës. Me gjithë respektin për ambasadorin e Francës, këto janë gjëra të pakrahasueshme. Ndoshta dikush mund të krahasojë marrëdhëniet midis Sudanit dhe Sudanit të Jugut, për shembull. Ata ishin një shtet deri në vitin 2011 kur Sudani i Jugut u shkëput dhe tani ata kanë krijuar disa marrëdhënie miqësore. Mund të jetë një paralele, por në të vërtetë nuk shoh ndonjë paralele mes Anglisë dhe Francës. Vetëm nëse mesazhi nga ambasadori nuk ishte se mund të tejkalohen të gjitha konfliktet”, thotë Popoviq.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Ollivier Gero, të kujtojmë, ka postuar në Twitter një foto me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nikolas Abot duke parë së bashku transmetimin televiziv të kurorëzimit të mbretit Çarlls III. Ai ka postuar një koment me atë foto se Franca dhe Britania e Madhe janë miq dhe aleatë përgjithmonë. Ai po ashtu ka thënë se është një shembull tjetër i pajtimit mes fqinjëve që dikur kanë pasur probleme me njëri-tjetrin dhe atij komenti i ka shtuar flamujt e Serbisë dhe Kosovës, duke aluduar se të njëjtën gjë duhet ta bëjnë të dyja palët.


0 komentet