Millatoviq: Më mirë të jesh pjesë e Ballkanit të Hapur, sesa Ballkanit të mbyllur
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë se me çështjen e anëtarësimit në “Ballkanin e Hapur” do të merret Qeveria dhe Parlamenti i ardhshëm i Malit të Zi dhe se është më mirë të jesh pjesë e Ballkanit të Hapur sesa Ballkanit të mbyllur, transmeton Danas.
“Ideja e Bashkimit Evropian u krijua si një ide e bashkëpunimit ekonomik rajonal rreth Beneluksit, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Dhe ne në Ballkan shpesh harrojmë rëndësinë e integrimit tonë ekonomik rajonal kur flasim për integrimin evropian. Përmirësimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi rajonal është diçka që unë, si ekonomisti e kam mbrojtur gjithmonë”, tha Millatoviq për NIN, duke folur për nismën “Ballkani i Hapur”.
Ai tha se prioritet i të gjitha prioriteteve është anëtarësimi në BE.
“Përderisa ky është qëllimi ynë kryesor, unë nuk shoh problem në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal në të njëjtën kohë. Për më tepër, mendoj se është pjesë integrale e integrimeve tona në BE”, ka theksuar Millatoviq.
I pyetur nëse e njeh presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe nëse Vuçiqi i ka uruar pas fitores në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, Millatoviq ka thënë se nuk ka pasur mundësi ta takojë drejtpërdrejt.
“I jam mirënjohës atij për urimin që kam marrë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale. Gjithashtu, patëm një bisedë telefonike që u zhvillua me ton miqësor dhe të drejtë. Të dy shprehëm gatishmërinë tonë për të punuar në përmirësimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjen e çështjeve që rëndojnë rajonin”, tha Millatoviq.
komentet