Odalloviq: Në aktakuzën kundër Thaçit përmenden 445 persona të burgosur, të torturuar dhe të vrarë
Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Velko Odalloviq deklaroi se aktakuza e Gjykatës Speciale në Hagë kundër katër liderëve të UÇK-së i referohet 445 shqiptarëve, serbëve dhe romëve, të cilët janë burgosur, keqtrajtuar, rrahur dhe vrarë në vitet 1998 dhe 1999, transmeton Danas.
Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit përfshin ish-presidentin e Kosovës dhe një nga liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe gjykimi është caktuar të fillojë të martën, më 4 prill.
Odalloviq tha për Radio Televizionin e Serbisë se shpreson që ky të jetë një nga grupet që do të gjykohet, sepse, sipas fjalëve të tij, ka pasur shumë më tepër krime se sa ishte përfshirë në atë aktakuzë.
Ai tha se aktakuza është e rëndësishme edhe nga aspekti i personave të zhdukur, sepse flitet për 43 burgje të paligjshme që janë regjistruar dhe konfirmuar se kanë ekzistuar.
Ndryshe, në zonën e Kosovës dhe Metohisë kanë qenë 145 të tillë, kanë theksuar zyrtarët ndërkombëtarë. Një numër i madh i atyre që kërkojmë sot ishin në ato burgje, një numër i madh fatkeqësisht u vranë. Është e sigurt se një numër prej tyre janë transportuar në Shqipëri”, tha Odalloviq.
I pyetur nëse aktakuza mund të hedhë dritë mbi atë që ndodhi në “shtëpinë e verdhë”, Odalloviq tha se mbulon edhe disa kampe në Shqipëri dhe se ka shumë hapësirë nëse ka gatishmëri dhe prova të mjaftueshme të mbledhura.
“Problemi këtu është sigurisht ajo që pamë në disa përpjekje për të gjykuar liderët dhe pjesëtarët e të ashtuquajturës UÇK, ku u zhdukën dëshmitarët. Shumë hoqën dorë, por numri më i madh u zhduk”, tha Odalloviq dhe shtoi se gjykata ka një përgjegjësi të madhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë procedurë.
0 komentet