Hanrahan në Beograd e Prishtinë: Sinjal ringjalljeje e aktivitetit diplomatik të SHBA në rajon

Hanrahan, poseta, ilustracija
Burim: Kosovo online/Ilustracija

Mesazhet e Uashingtonit të cilat Brendan Hanrahan zyrtar i lartë i Byrosë për Çështje Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, u përcolli zyrtarëve në Beograd dhe Prishtinë kanë mbetur pas dyerve të kyçura deri tani, por vizita e tij në rajon, sipas vlerësimit të analistëve, dëshmon se SHBA vazhdojnë të angazhohen strategjikisht në Ballkanin Perëndimor. Hanrahan sikurse besohet, ka "ngrohur terrenin" dhe tani mund të priten vizita të tjera.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Hanrahan në Beograd erdhi prej Sarajevës, ku, sipas deklaratës së Presidencës së B&H, përsëriti se SHBA mbetet partner i palëkundur dhe i përkushtuar i B&H dhe vazhdojnë të forcojnë raportet mes dy vendeve bazuar tek paqja, stabiliteti dhe qëllimet e përbashkëta ekonomike dhe prosperitet.

Zyrtari i administratës Tramp në Beograd bisedoi me presidentin e Sërbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefin e diplomacisë, Marko Gjuriq.

“Veçanërisht i’u referuam partneritetit strategjik mes Sërbisë dhe SHBA dhe zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat nga energjitike, e deri tek inteligjenca artificiale, duke theksuar se produktiviteti i bashkëpunimit ekonomik, duhet të jetë bazë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Theksova se Sërbia ngelet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, për dialogun, të cilin e shikojmë si të vetmen rrugë drejt zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Vuçiq pas takimit me Hanrahan.

“Raportet mes Sërbisë dhe SHBA në të cilat tashmë ndjehet frymë e freskët e ajrit, presin të ardhme të madhe”, shprehu besim ministri i punëve të jashtme i Sërbisë Marko Gjuriq gjatë takimit me zyrtarin amerikan.

Gjuriq e informoi atë për situatën në Kosovë dhe shprehu shqetësim serioz për provokimet, frikësimet dhe veprimet e dhunshme të vazhdueshme të Prishtinës. Tha se veprime të tilla kërcënojnë seriozisht vazhdimin e dialogut dhe shtoi se është e domosdoshme të forcohet presioni ndërkombëtar mbi Prishtinën në mënyrë që të ndalet eskalimi dhe të sigurohen kushtet për vazhdimin e dialogut.

Pas Beogradit, Hanrahan mbërriti në Prishtinë, ku vendi i takimit me Albin Kurtin, kryeministrin kosovar në mandatin teknik, ishte i pazakontë-në rezidencën e ambasadorit amerikan.

Sikurse u njoftua nga kabineti i Kurtit, temat e bisedimit ishin zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet me Sërbinë, marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA, përfshirë fushën e investimeve, diplomacisë dhe mbrojtjes, si dhe përparimi i Kosovës në rrugën e saj euroatlantike. Kurti tha se Kosova përherë do të jetë partner i besueshëm i Amerikës.

Në Prishtinë Hanrahan sot u takua me komandantin e KFOR Enriko Barduani, i cili e informoi atë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbarë rajonin ndërsa u njoftua se zyrtari amerikan do të bisedojë edhe me përfaqësuesit e opozitës-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin dhe funksioneren e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hiqmete Bajramin.

Sipas vlerësimit të bashkëpunëtorit të Rrugës së Tretë të Re Petar Doniq, vizita në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë e Brendan Hanrahanit, mund të shikohet si pjesë e punës përgatitore për vizita potenciale të mëdha nga SHBA dhe administrata e Tramp, duke patur parasysh biografinë e Hanrahanit, sikurse tha, vazhdon kontinuiteti i mandatit paraardhës të vendosjes së diplomacisë ekonomike në plan të parë.

Ai kujton se ky zyrtar i Departamentit të Shtetit më herët ka punuar për çështjet ekonomike me sekretarin e shtetit të SHBA Marko Rubio kur rubio ishte në Senat. 

“Ky është fluks i lehtë njerëzish që kanë përvojë nga sektori privat në shtet. Ai tani ka vizituar pikat kryesore në Ballkan, Bosnjë-Hercegovinën e cila ka situatë mes Republikës Sërbe dhe Federatës, Sërbinë dhe Kosovën. Kjo është dhe strategji për zbutjen e rrezikut, kështu që dhe nëse vendosin të mos bëjnë asgjë, nuk ndezën llampat e kuqe, çojnë nivelet më të ulëta të administratës shtetërore për të përgatitur terrenin”, thotë Doniq për Kosovo Onlajn.

Mënyra e punës së Departamenti i Shtetit, thotë ai, është e tillë që fillimisht dërgojnë një numër diplomatësh ose njerëzish nga Departamenti i Shtetit që nuk janë sikurse sekretari i Shtetit ose një hap poshtë tij për të përgatitur terrenin, për ta "ngrohur", për të folur me palët kryesore të interesuara dhe pastaj në bazë të kësaj përgatitet mbërritja e ardhshme.

Doniq beson se është shumë e sigurt që Hanrahan bashkëbiseduesve të vet në Beograd dhe Prishtinë, u përcolli mesazhe të caktuara nga Uashingtoni që kanë të bëjnë me dialogun edhe pse deri më tani nuk ka ndonjë njoftim nga pala amerikane.

“Më herët është thënë se ky rajon nuk është në fokusin e administratës Tramp për shkak të pikave të nxehta të rëndësishme gjeopolitike. Dhe sërish nga ana tjetër, vurëm re muajin e kaluar që Tramp përmendi shumë herë Sërbinë dhe Kosovën dhe se në Uashington ka patur takim të sekretarit të shtetit dhe ambasadorit tonë dhe tani që kjo vizitë është zhvilluar, mund të konkludojmë se diçka po përgatitet, por nuk e dimë ende se çfarë. Nga ana tjetër, duhet të vijë dhe ambasadori i ri amerikan në Beograd i cili është njeriu ynë por që formalisht ende nuk e ka marrë detyrën. E gjithë kjo mund të sinjalizojë rvitalizimin e ndonjë aktiviteti të rëndësishëm diplomatik e politik mes Amerikës dhe Sërbisë, por që amerikanët këtë e bëjnë me avash dhe me themel. Kështu që ky është niveli i parë i bisedës", thotë bashkëbiseduesi ynë.

Rivitalizimi i aktivitetit diplomatik, shton, lidhet dhe me Prishtinën pasi prej këndvështrimit të SHBA, këto “kanë lidhje“.

"Nëse duan të stabilizojnë dhe zgjidhin situatën që Bashkimi Europian deri më tani nga këndvështrimi i vet ka qenë i ngadalshëm në drejtim, ata sigurisht dëshirojnë të adresojnë të gjitha çështjet që kanë lidhje dhe këto janë çështjet e Kosovës dhe Sërbisë dhe Sërbisë me Bosnjën, pra në përgjithësi rajonin në tërësi", thotë Doniq.

Vizitën e Hanrahanit në Kosovë, analisti politik Dorajet Ymeri e shikon si provë e vazhdimit të angazhimit strategjik të SHBA në rajon me synim ruajtjen e synimeve të tyre afatgjata në Ballkanin Perëndimor.

“Pavarësisht vështirësive në të cilat ka Kosova në proçesin e konstituimit të institucioneve, SHBA nuk ndalen të operojnë në kuadër të strategjisë së vet në rajon. Ata vazhdimisht dërgojnë diplomatë që të promovojnë axhendën e tyre. Është e qartë se SHBA është partner i domosdoshëm në Kosovë dhe për këtë arsye është e nevojshme që qeveria e re të burojë nga shumica funksionale në Kuvend. Moskonstituimi i Kuvendit dhe qeveria aktuale nuk mund të funksionojnë me kapacitet të plotë” shtoi Ymeri në deklaratë për Kosova pres.

Ai ndërkaq është shprehur se mungesa e emërimit të ambasadorit të SHBA në Kosovë, si dhe në disa vende në rajon, është sinjal e mungesës së interesit aktiv të Amerikës për rajonin në rrethanat aktuale.

“Ky është reflektim i politikës së administratës aktuale e cila mund të interpretohet si qasje më e tërhequr ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo vonesë në emërime është sinjal pesimizmi që SHBA nuk e shikojnë më rajonin tonë si prioritet” ka thënë Ymeri.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj është shprehur se vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë Brendan Hanrahan, është tregues se pavarësisht axhendës së mbingarkuar dhe zhvillimeve globale në të cilat SHBA është e përfshirë, interesi për Kosovën vazhdon të egzistojë.

Dhe ai megjithatë e konsideron shqetësuese vonesën e emërimit të ambasadorit të ri amerikan në Kosovë.

“Tashmë prej disa kohësh nuk kemi ambasador të SHBA në vend, çka për mua dhe LDK është shqetësuese, pasi mungesa e përfaqësimit në këtë nivel, mund të interpretohet si mesazh qeverisë dhe klasës politike se interesimi për partneritet mund të vijë prej nesh dhe të mos jetë i thjeshtë” ka thënë Zemaj.

Gjithashtu opinion është se bllokada politike në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e SHBA e cila do të mund të kontribuonte në zgjidhjen e ngërçit politik.