KUSH është KUSH – Antero Lopes: Shefi i ri i EULEX-it, diplomat dhe polic portugez që e njeh mirë Kosovën
Antero Lopes nga Portugalia është emëruar shefi i ri i Misionit të EULEX-it në Kosovë.
Lopes do ta udhëheqë misionin e EULEX-it nga 10 gushti 2026 deri më 14 qershor 2027. Ai është një zyrtar i lartë ndërkombëtar me 40 vjet përvojë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë pothuajse tri dekada në pozita të larta drejtuese në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka punuar në misione komplekse dhe shumëdimensionale paqeruajtëse në Evropë, Afrikë dhe Azi, ndërsa është interesante se kjo nuk është hera e parë që angazhohet në Kosovë dhe në Ballkan.
Sipas biografisë së tij zyrtare, Lopes ka punuar pothuajse gjashtë vjet në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa për dy vjet ka qenë i angazhuar në kuadër të forcave paqeruajtëse të UNPROFOR-it në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, ku ka ushtruar detyrën e komandantit rajonal dhe shefit të operacioneve.
Gjatë angazhimit të tij në Kosovë, ai është marrë kryesisht me çështje të sundimit të ligjit dhe zhvillimit institucional.
Në vitin 2000 ishte zëvendëskomisar i Policisë së OKB-së në administratën kalimtare të OKB-së në Timorin Lindor (UNTAET), ndërsa më vonë, në vitin 2006, ushtroi detyrën e komisarit të Policisë së OKB-së në misionin UNMIT.
Lopes ka punuar edhe në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse të OKB-së, ku mbajti postin e zëvendëskëshilltarit për policinë dhe mori pjesë në zhvillimin e komponentit policor të misioneve paqeruajtëse.
Ai ka marrë pjesë në vlerësimin, planifikimin dhe mbështetjen e operacioneve të OKB-së në vende si Haiti, Liberia, Sierra Leone, Republika Demokratike e Kongos, Bregu i Fildishtë dhe Afganistani.
Gjatë karrierës së tij ai ka kombinuar udhëheqjen strategjike me komandimin operacional dhe ka fituar përvojë të gjerë në bashkëpunimin me qeveritë në nivelin më të lartë politik dhe institucional.
Ai e njeh mirë veprimin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, si dhe kornizat e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Strategjinë politike e harmonizon me aktivitetet operacionale për të siguruar qëndrueshmëri dhe efikasitet, ndërsa në punën e tij promovon integritetin, përfshirjen, llogaridhënien dhe punën në ekip.
Ekspertiza e tij përfshin diplomacinë, sundimin e ligjit, menaxhimin e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reformat institucionale. Ai ka drejtuar ekipe të mëdha shumëdisiplinore dhe shumëkombëshe në mjedise sfiduese dhe politikisht të ndjeshme.
Ai ka menaxhuar me sukses operacionet, burimet njerëzore, politikat publike dhe proceset reformuese, ka udhëhequr tranzicione dhe riorganizime të misioneve, ka rritur efikasitetin e punës dhe ka arritur rezultate duke përdorur në mënyrë racionale burimet.
Lopes dallohet për aftësitë e tij në ndërmjetësim, negociata, vendimmarrje dhe analizë nën presion, ndërsa ka përvojë të veçantë në ndërlidhjen e politikës, sigurisë dhe drejtësisë.
Para se t’i bashkohej shërbimit ndërkombëtar, Lopes ishte oficer policie në Portugali, ku punoi në detyra operative dhe drejtuese, përfshirë luftën kundër kriminalitetit, planifikimin strategjik dhe reformat institucionale.
Ai është diplomuar në shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe studimet evropiane, duke studiuar në Universitetin e Lisbonës dhe në Kolegjin e Evropës në Bryzh. Gjithashtu ka përfunduar programin për drejtues të lartë në fushën e menaxhimit në Universitetin e Harvardit.
0 komentet