BE-ja, EULEX-i dhe vendet e Quint-it i dërguan letër autoriteteve të Kosovës: Përdorimi i flamujve dhe simboleve është e drejtë kushtetuese e komuniteteve

pristina
Burim: Kosovo Online

Bashkimi Evropian, vendet e Quint-it dhe EULEX-i i kanë dërguar një letër autoriteteve në Prishtinë, në të cilën kujtojnë se përdorimi i simboleve dhe flamujve të komuniteteve në Kosovë është një e drejtë e mbrojtur me kornizën kushtetuese dhe ligjore, duke bërë thirrje për zbatim të qëndrueshëm dhe jodiskriminues të saj.

Siç mëson Kosovo online, në letrën e nënshkruar nga ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shefi i Misionit të EULEX-it, thuhet se korniza kushtetuese dhe ligjore mbron të drejtën e të gjitha komuniteteve për të ruajtur, shprehur dhe zhvilluar identitetin e tyre, edhe përmes përdorimit dhe shfaqjes së simboleve dhe flamujve.

BE-ja, EULEX-i dhe vendet e Quint-it theksojnë se përdorimi i simboleve, përfshirë flamujt kombëtarë dhe flamujt e komuniteteve, është një e drejtë e mbrojtur dhe se autoritetet në Prishtinë kanë detyrimin jo vetëm të përmbahen nga ndërhyrjet e pajustifikuara, por edhe të sigurojnë kushtet për ushtrimin e saj të barabartë.

Ata vënë në dukje gjithashtu se korniza ligjore nuk është plotësisht e kompletuar, pasi aktet nënligjore ende nuk janë miratuar, dhe vlerësojnë se kjo mangësi nuk i vë në dyshim të drejtat ekzistuese, por krijon pasiguri juridike dhe rrit rrezikun e veprimeve të paqëndrueshme ose diskriminuese në praktikë.

Po ashtu, ata u bëjnë thirrje institucioneve në Prishtinë që, si prioritet, të miratojnë aktet e nevojshme nënligjore për të sqaruar zbatimin e kornizës ligjore ekzistuese, për të garantuar siguri juridike dhe për të vendosur një praktikë të qëndrueshme në të gjithë territorin.

Në letër thuhet gjithashtu se përgatitja e këtyre akteve duhet të realizohet në konsultim të ngushtë me komunitetet pakicë, si dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

BE-ja, Quint-i dhe EULEX-i theksojnë se të gjitha çështjet që lidhen me përdorimin e simboleve dhe flamujve të komuniteteve, përfshirë shënimin e festave dhe ngjarjeve përkujtimore, duhet të zgjidhen në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore në fuqi, duke respektuar parimet e konsistencës, proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit.

Letra i është dorëzuar ministrit në detyrë për Pushtetin Lokal, Elbert Krasniqi, ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe kryetarëve të 38 komunave të Kosovës.

Letra e BE-së, EULEX-it dhe vendeve të Quint-it u është drejtuar autoriteteve të Kosovës në prag të 28 qershorit, kur serbët shënojnë një nga festat e tyre më të mëdha fetare dhe kombëtare, Vidovdanin.

Kujtojmë se vitin e kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë e vlerësoi vendimin e Komunës së Graçanicës për ta shënuar dhe festuar Vidovdanin me përdorimin e simboleve dhe flamujve të Serbisë si “tejkalim të kompetencave të përcaktuara me ligj”.

Sipas interpretimit të gjykatës, një vendim i tillë “cenon rëndë karakterin unik dhe kushtetues të Kosovës” dhe “rrezikon seriozisht rendin publik dhe bashkëjetesën ndëretnike, si dhe mund të shkaktojë tensione ndëretnike”.

Sipas vlerësimit të analistëve, një vendim i tillë i gjykatës ka prapavijë politike, ndërsa, siç kanë theksuar ata, shtrohet pyetja se si një ndalim i tillë deri më tani nuk e ka përfshirë edhe flamurin e Shqipërisë.

Flamujt kanë qenë gjithmonë të parët në shënjestër kur një popull ka qenë nën presion, theksuan bashkëbiseduesit e Kosovo online, duke folur për arsyen pse simbolet e komunitetit serb, i cili jeton prej shekujsh në Kosovë, nuk kanë vend as në shtizat e flamujve.

Gjatë shënimit të Betejës së Kosovës në Gazimestan më 28 qershor, Policia e Kosovës prej vitesh kryen kontrolle të detajuara në hyrje të kompleksit dhe nuk lejon futjen e flamujve serbë dhe bluzave me simbole serbe.

Vitin e kaluar, në Gazimestan u ndaluan 15 persona për shkak të shfaqjes së simboleve dhe “këndimit të këngëve nacionaliste”.