EULEX: Po monitorojmë aktivitetet që autoritetet e Kosovës po zhvillojnë në lidhje me shënimin e Vidovdanit

policija privela osobe na Gazimestanu
Burim: Kosovo Online

Nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) thanë për Kosovo online se kanë monitoruar dhe vazhdojnë të monitorojnë aktivitetet që autoritetet e Kosovës po zhvillojnë në lidhje me festimin e djeshëm të Vidovdanit.

Në pyetjen e Kosovo online nëse gjatë veprimeve të Policisë së Kosovës në Gazimestan ka pasur tejkalim të kompetencave, EULEX-i bëri të ditur se, nëse gjatë monitorimit të tij konstatohen mangësi serioze, ato do t’ua bëjë të ditura autoriteteve kompetente.

“Kemi monitoruar dhe aktualisht po monitorojmë aktivitetet që autoritetet e Kosovës po zhvillojnë në lidhje me shënimin e Vidovdanit. Nëse gjatë monitorimit tonë konstatohen mangësi serioze, do t’ua bëjmë të ditura autoriteteve kompetente”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Policia e Kosovës dje, në Ditën e Vidovdanit, pas përfundimit të parastosit në Gazimestan, mbylli portat, formoi një kordon policor dhe nisi ndalimin e personave që kishin marrë pjesë në tubim. Në mesin e të ndaluarve ishte edhe një baba me vajzën e tij.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, janë ndaluar 37 persona. Sipas policisë, këta persona provokuan të pranishmit duke brohoritur parulla provokuese që përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes, duke shkelur kështu dispozitat ligjore.

Pas marrjes në pyetje, të ndaluarit u liruan dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë për kundërvajtje. Seanca para gjyqtarit është caktuar për sot në orën 13:00.

Zyra për Kosovën dhe Metohinë e Qeverisë së Serbisë njoftoi dje se do të informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë për ndalimet, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të turpshëm dhe skandaloz represioni nga regjimi i Albin Kurtit.

Lista Serbe vlerësoi se bëhet fjalë për një përpjekje për frikësimin e serbëve dhe një dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë, për të cilën kanë njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, i dërgoi një letër Zyrës së Shtëpisë së Bardhë për Partneritete të Bazuar në Besim dhe Fqinjësi, në të cilën u bëri thirrje urgjente zyrtarëve amerikanë t’i kushtojnë vëmendje përshkallëzimit të represionit dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut ndaj komunitetit serb në Kosovë.