Një raund tjetër i diplomacisë fluturuese të Escobarit dhe Lajçakut: A do të fillojë më në fund formimi i BKS
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të takohen sonte dhe nesër me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës, dhe sipas bashkëbiseduesve të Kosovo Online, me kërkesat për tërheqjen e forcave speciale policore nga veriu do të jenë në ballë të këtyre bisedimeve, si edhe çështja e kryetarëve jolegjitimë të komunave me shumicë serbe, përkatësisht organizimi i zgjedhjeve të reja. Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe edhe kësaj radhe mund të mbetet në nivelin e apelit.
Edhe pse thirrja e BE-së nga e shtuna, dërguar Prishtinës dhe Beogradit për marrjen e masave për de-përshkallëzimin, thuhej se kjo përfshin fillimin e punës për themelimin e BKS-së "pa vonesa apo parakushte të mëtejshme", nuk u përmendën hapat konkretë që autoritetet e Kosovës duhet të marrin për të përgatitur terrenin politik dhe juridik për formimin e BKS-së.
Predrag Rajiq nga Qendra për Stabilitet Social thotë për Kosovo Online se është e qartë se tensionet nuk mund të qetësohen derisa të formohet BKS dhe të fillojë konkretisht procesi i formimit, por se pyetja e madhe është nëse Escobar dhe Lajçak tani do të vendosin për atë lloj presioni drejt Prishtinës.
“Nuk mendoj se në Perëndim është pjekur ende vullneti për të filluar atë proces, por vendimet e fundit të Uashingtonit, konkretisht vendosja e sanksioneve ndaj Prishtinës, japin njëfarë shprese se mund të ushtrojnë këtë lloj presioni ndaj Kurtit. Perëndimi deri më tani nuk është marrë me shkakun, por me trajtimin e pasojave dhe sot në Prishtinë ndoshta do të insistojnë që të tërhiqen forcat speciale dhe kryetarët jolegjitimë dhe të gjendet një zgjidhje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa ata do të vazhdojnë të flasin për BKS-në në mënyrë abstrakte. Ka mundësi që pushimin veror në punë ta shfrytëzojnë si justifikim dhe sërish të zgjatet pafundësisht”, thotë Rajiq.
I pyetur se pse serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme të përsëritura në veri nëse para kësaj nuk ka asnjë hap nga Qeveria e Kosovës drejt përgatitjes së bazës ligjore për themelimin e BKS-së, Rajiq thotë se duhet analizuar mirë.
“Do të duhet të shohim se cilat do të jenë lëvizjet e tyre, ndaj të shohim se si mund të pozicionohet Beogradi në përputhje me rrethanat”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Drejtori i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, Dragisha Mijaçiq, thotë për Kosovo Online se Lajçak dhe Escobar janë duke u bashkuar për të disatën herë në një mision për të zgjidhur situatën e konfliktit që rezultoi nga dërgimi i forcave speciale policore nga Kurti në veri të Kosovës, si dhe se zhvillimi i ngjarjeve në ditët në vijim do të varet nëse të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së do të arrijnë të përpiqen të bindin Kurtin që të tërheqë policinë nga veriu.
“Këtë herë situata është shumë më e komplikuar se më parë, por mesazhet që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Amerika janë gjithashtu më të forta. Kurtit iu dërguan kërkesa të qarta, forcat speciale policore të tërhiqen nga qendrat administrative dhe zonat urbane të zonave serbe në veri të Kosovës, pas kësaj është e nevojshme të negociohet zgjidhja e situatës së krizës përmes organizimit të zgjedhjeve të reja por edhe përmes formimi i BKS-së. Çështja kryesore është nëse Lajçak dhe Escobar do të kenë sukses në përpjekjen e tyre për ta bindur Kurtin që të tërheqë policinë, nga kjo do të varet zhvillimi i ngjarjeve në ditët në vijim”, vlerëson Mijaçiq.
Në deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Gjuzepe Borel, lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës që nga e shtuna, thuhet se Kosova pritet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri, që kryetarët e komunave përkohësisht duhet t'i kryejnë detyrat e tyre në objekte të tjera, e jo në ndërtesa komunale, që zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe që serbët e Kosovës të marrin pjesë në ato zgjedhje.
“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të sillen me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksit të saj. Këtu përfshihet fillimi i punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe pa vonesa apo parakushte të mëtejshme”, tha Borel.
Lajçaku dhe Escobari, siç njoftoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, do të qëndrojnë edhe në Beograd. Vizita e tyre në Prishtinë dhe Beograd synon të angazhohet në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.


komentet