Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë, Kurti të tërheqë trupat nga veriu dhe do të ketë paqe
Kosova është pjesë e Serbisë, është shumë e qartë dhe është e shkruar në Kushtetutën e Serbisë, e vërteton edhe Rezoluta e OKB-së e vitit 1999. Cili është problemi, ka thënë presidenti Aleksandar Vuçiq në një intervistë për “La Stampa”.
Vuçiq theksoi se serbët që jetojnë në veri të Kosovës dhe në enklava pothuajse çdo javë ndihen të sulmuar nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës dhe se ka burime të besueshme që e vërtetojnë këtë.
Prishtina nuk ka të drejtë të mbajë policinë speciale në veri. Ata ndalojnë, pengojnë, ngacmojnë njerëzit tanë. Kurti gjithmonë ka thënë - 'Ne jemi një vend sovran, kemi të drejtë t'i vendosim forcat tona ku të duam'. Është e qartë se nuk mundet. Dhe, ai ka bërë edhe më shumë se kaq”, ka theksuar Vuçiq.
Serbët, kujton ai, filluan të protestojnë për shkak të zgjedhjeve të paligjshme dhe jolegjitime për kryetar, duke thënë se ka komuna ku kryetarin e kanë zgjedhur 11 persona.
“Nuk është demokratike të kesh 0.02 për qind. Edhe amerikanët dhe BE-ja e dënojnë sjelljen e tij. Por ai nuk dëshiron ta dëgjojë”, ka nënvizuar Vuçiq.
I pyetur se çfarë kërkon nga Kurti për të ndalur protestat, ai është përgjigjur:
“Të marrë kryetarët e tij të supozuar në jug dhe të largojë trupat e tij nga veriu. Atëherë do të ketë pajtim të vërtetë mes serbëve dhe shqiptarëve. Ne e duam, jemi gati për shumë kompromise. Në anën tjetër, ka nga ata që qëllimi i vetëm është të dëbojnë serbët dhe të tregojnë muskujt e tyre. Ne po i qetësojmë njerëzit, por nëse vazhdon kështu, kjo nuk do të jetë e mundur”.
Në konstatim se Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, e ka qortuar Prishtinën, Vuçiq tha se u është shumë mirënjohës partnerëve amerikanë që theksuan se kush ishte faji dhe kush i dëshironte këto incidente, por gjithashtu theksoi se na duhet më shumë.
“Presion nga bashkësia ndërkombëtare që Prishtina të veprojë në mënyrë racionale. Jemi gati për dialog. Nuk ka qenë e lehtë të kuptosh negociatat ashtu siç pritej në Bruksel”, shtoi Vuçiq.
Në vërejtjen se ai tashmë ka marrë pjesë shumë herë në procesin e negociatave me BE-në, i cili nga jashtë duket si kohë e humbur, sepse akuzat e ndërsjella vazhdojnë, ndërsa tensionet rriten, Vuçiq tha qartë se Beogradi dëshiron formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe më pas do të jetë gati për biseda të tjera.
I pyetur nëse ka ende ndërmend të anëtarësohet në BE, ai kujton se Serbia është në rrugën evropiane.
“Ne jemi në atë rrugë dhe këto janë vlerat tona. Së bashku me Malin e Zi jemi vendi më i përparuar në të gjithë rajonin. Ekonomia jonë përbën 50 për qind të ekonomisë në Ballkanin Perëndimor. Ne i përkasim Evropës, shpresoj se do të përparojmë më shpejt në të ardhmen”, tha presidenti i Serbisë.
I pyetur se çfarë do të ndodhë me sanksionet ndaj Rusisë, që është një nga kushtet që ai refuzon t'i përmbushë, ai kujtoi se Serbia ka votuar për katër nga pesë rezolutat e OKB-së në përputhje me vendet e tjera të BE-së.
“Ne nuk kemi asnjë problem të mbështesim integritetin territorial të Ukrainës. Krima, Donbas, Zaporozhje dhe Herson i përkasin asaj. Ne dënojmë agresionin. Nëse po flasim për procesin e anëtarësimit, gjashtë muaj para anëtarësimit, duhet të jemi plotësisht në linjë me politikën e jashtme evropiane”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse kjo do të thotë se “për momentin nuk ka sanksione, por do të shohim më vonë, ai u përgjigj se ka disa dallime që rrjedhin nga ajo që ka përjetuar Serbia 25 vjet më parë.
Pasi ende blen gaz me çmime të favorshme nga Moska, i pyetur nëse do të hiqte dorë prej saj, Vuçiq tha se Serbia po vendos edhe për opsione të tjera.
“Po vendosim edhe për opsione të tjera, me interkonektorin Bullgari-Serbi do të marrim gaz nga Azerbajxhani dhe gaz natyror të lëngshëm nga Aleksandropulos. Po e bëjmë bashkë me Komunitetin Evropian”, tha ai.
Në përgjigje të vërejtjes se lideri i Republikës Serbe Milorad Dodik shkoi për të takuar Putinin dhe i pyetur se kur e kishte dëgjuar për herë të fundit presidentin e Rusisë, ai tha se nuk kishte folur me Putinin për më shumë se një vit, por se ai ishte takuar me shumë liderë të Bashkimit Evropian që vizituan Putinin dhe biseduan me të.
“Mendoj se nuk është asgjë negative të flasësh me dikë. Por unë nuk e bëj këtë sepse të gjithë do të thoshin - shikoni serbët. Atë që duan të na ndalojnë, ia lejojnë vetes”, ka deklaruar presidenti i Serbisë.
I pyetur nëse i konsideron Rusinë dhe Kinën si aleatë të besueshëm, ai u përgjigj se partneri i Serbisë është kushdo në botë që i përmbahet ligjit ndërkombëtar.
“Nuk kemi turp ta themi këtë. Italia, për shembull, është miku ynë i madh edhe pse e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Unë shpesh flas me Tajanin dhe Melonin. Kina po bëhet një investitor gjithnjë e më i rëndësishëm për ne, siç janë Rusia, Kazakistani, Ukraina. Kjo është politikë”, ka theksuar Vuçiq.
I pyetur se kur do të ndalet lufta në Ukrainë dhe të ulet në tryezë, duke thënë se e njeh mirë Putinin, ai u përgjigj:
“Po kjo është e saktë. Do të doja t'i shihja të dy, Zelensky dhe Putin, sa më shpejt të jetë e mundur, të ulur në të njëjtën tryezë. Kjo është gjithmonë më mirë se të bësh luftë”.
Ai deklaroi gjithashtu se të dy duhet të gjejnë një emërues të përbashkët dhe gjithashtu Perëndimi, së bashku me ukrainasit.
“Koncesionet janë të nevojshme nga të dyja anët. Përndryshe do të kemi më shumë konflikte. Sa më shpejt të jetë e mundur, do të ishte më e mira për njerëzimin, për mbarë botën. E di që nuk është popullor, sepse ka një lloj ndalimi të paqes, por është koha për të bërë një përpjekje të madhe politike për të arritur çdo lloj armëpushimi. Por jo me vendosjen e njëanshme të kushteve”, thotë presidenti i Serbisë.
I pyetur nëse ka frikë se mund të shpërthejnë konflikte të reja, për shembull, në Ballkan, Vuçiq tha:
“Unë besoj dhe shpresoj se jo, por po flas për palën serbe, jo në emër e të tjerëve”.
0 komentet