Përçarja në LDK hapi çështjen e pasardhësit – a mund të barazohet Përparim Rama me Kurtin?

Perparim Rama
Burim: Kosovo Online

Si pasojë e përçarjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ditët e fundit janë shtuar thirrjet që kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, të japë dorëheqje. Si një nga opsionet për ta pasuar atë është përmendur emri i kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe anëtarit të LDK-së, Përparim Rama. Përgjigjet e bashkëbiseduesve të Kosovo online në pyetjen nëse Rama ka fuqi të mjaftueshme për ta ringritur LDK dhe të barazohet me kryeministrin e Kosovës në mandat teknik dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë të ndryshme. Ndërsa disa mendojnë se ky “homo novus” do ta stabilizonte partinë, të tjerë vlerësojnë se një partie si LDK nuk i duhet një lider postmodern.

Shkruan: Millena Milladinoviq

Disa anëtarë të LDK-së deklaruan dje se kanë nënshkruar kërkesën për shkarkimin e Abdixhikut, ndërsa janë mbledhur edhe më shumë se 150 nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë. Sipas Armend Zemajt, dega nga e cila ai vjen ka kërkuar zgjedhje të parakohshme brenda partisë dhe rishqyrtimin e rezultateve të zgjedhjeve të qershorit.

Përveç Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit, edhe emri i Përparim Ramës është përmendur si kandidat i mundshëm për kryetar të ardhshëm të LDK-së.

Përparim Rama ushtron detyrën e kryetarit të Prishtinës që nga viti 2021. Gjatë kësaj periudhe ai ka kritikuar publikisht autoritetet qendrore, duke i akuzuar se po bllokojnë projektet e mëdha për kryeqytetin.

Megjithatë, lidhur me mundësinë e marrjes së drejtimit të LDK-së, arkitekti dhe urbanisti i shkolluar në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar më herët se “nuk është i interesuar”.

Sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, Përparim Rama është një lider postmodern, gjë që nuk i përshtatet një partie me histori si LDK. Me ndjeshmërinë e tij evropiane, theksojnë ata, ai nuk do të mund t’i bënte ballë liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili zhvillon një “luftë të pistë politike”.LDK-së, e cila sipas tyre po endet pa një ide të qartë dhe ndodhet në rënie të vazhdueshme, Rama nuk do t’i ndihmonte ta rikthente lavdinë e dikurshme. Megjithatë, ka edhe nga ata që besojnë se pikërisht ai do ta stabilizonte partinë dhe, rrjedhimisht, edhe krizën politike në Kosovë.

Pa kornizë konceptuale

Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Përparim Rama nuk është profili i duhur për të udhëhequr LDK-në, pasi nuk ka një kornizë konceptuale për drejtimin e partisë.

Muhaxhiri tha për Kosovo online se LDK po përballet me shumë probleme për shkak të rezultateve të dobëta zgjedhore, ndërsa lideri i saj, Lumir Abdixhiku, nuk dëshiron ta ndryshojë mënyrën e tij të udhëheqjes.

“Megjithatë, figura të tjera të rëndësishme në LDK nuk janë më të gatshme ta pranojnë këtë qasje dhe këtë stil drejtimi. Rikthimi i Vjosa Osmanit nuk solli rezultatet pozitive që priteshin. Për këtë arsye tani kemi probleme të mëdha brenda LDK-së dhe ato do të vazhdojnë, sepse palët nuk janë të gatshme për kompromis dhe përkeqësimi i marrëdhënieve do të vazhdojë”, tha Muhaxhiri.

Sa i përket raportimeve në media se kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, mund ta zëvendësojë Abdixhikun në krye të LDK-së, Muhaxhiri nuk beson se ai ka profilin e duhur për një detyrë të tillë.

“LDK është një parti shumë e rëndësishme, me një traditë të madhe që nga fundi i viteve ’80. Ajo ka qenë e pranishme në të gjitha kapitujt e historisë së re të Kosovës dhe ka një ndikim të madh. Nuk mendoj se Rama ka kornizën konceptuale për ta udhëhequr partinë. Ai është një lloj lideri postmodern, gjë që nuk i përshtatet një partie tradicionale si LDK-ja. Në Prishtinë nuk ka sjellë ndryshime të mëdha pozitive. Ai fitoi dy herë zgjedhjet, por mendoj se fitoi më shumë sepse kundërshtarët e tij ishin të dobët dhe partitë e tjera politike nuk investuan shumë në fushatë, veçanërisht Vetëvendosja. Kurti nuk investoi në Prishtinë as katër vjet më parë dhe as vitin e kaluar”, tha analisti.

Sipas Muhaxhirit, Përparim Rama nuk ka shumë projekte të mëdha me të cilat mund të krenohet dhe t’i përdorë si model për qeverisjen e Kosovës, nëse do të bëhej lider i LDK-së dhe kandidat i mundshëm për kryeministër.

Sipas tij, LDK-së i duhet tani një politikan me autoritet dhe përvojë, i aftë për të kapërcyer përçarjet e mëdha brenda partisë.

“Nuk mendoj se Përparim Rama është personi që mund ta bëjë këtë. Ai, në fakt, nuk ka marrëdhënie të mira as me Abdixhikun dhe as me grupin tjetër në parti, prandaj LDK-në e pret një periudhë shumë e vështirë në të ardhmen e afërt”, tha Muhaxhiri.

Ndjeshmëri evropiane

Hulumtuesi i studimeve të sigurisë, Nikolla Vujinoviq, deklaroi për Kosovo online se Rama është figura e tretë më e rëndësishme në LDK, pas kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmanit.

“Ai është njeriu i tretë në LDK. Pas Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit vjen Përparim Rama, por fakti është se ai ndodhet në këtë pozitë sepse është kryetar i Prishtinës dhe menaxhon një buxhet prej 150 milionë eurosh. Pikërisht në cilësinë e kryetarit të Prishtinës ai është përplasur me pushtetin qendror”, tha ai.

Sipas tij, problemi më i vogël është se kush do të jetë lider i LDK-së; problemi më i madh është se çfarë përfaqëson sot kjo parti.

“LDK është në rënie të lirë, endet pa një ide të qartë. Ata u përpoqën ta ndalnin këtë rënie me rikthimin e Vjosa Osmanit, por nuk ia dolën. Nuk jam i sigurt se Rama është njeriu që mund ta ndalë këtë rënie”, deklaroi Vujinoviq.

Sipas tij, themeluesit e partisë duhet të përcaktojnë se cilët janë kandidatët që mund ta udhëheqin LDK-në, në vend që të provojnë sërish me “fytyra të njohura”, siç ndodhi me Vjosa Osmanin.

Ai theksoi se Përparim Rama ka një ndjeshmëri evropiane dhe nuk i përket kulturës politike karakteristike të politikanëve kosovarë.

“Pikërisht për këtë arsye ai nuk është një kundërshtar i mirë për Kurtin, sepse thjesht nuk është në gjendje të bëjë luftë të pistë politike”, shtoi bashkëbiseduesi ynë.

Vujinoviq tha se ditët e fundit është vërejtur një fushatë kundër Ramës, pasi në Vetëvendosje e shohin atë si liderin e ardhshëm të LDK-së.

“Është e qartë se në Vetëvendosje e shohin atë si liderin e ardhshëm të LDK-së. Për këtë arsye kemi sulme nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ku pretendohet se ai në fakt nuk është përfaqësues i LDK-së, por se mbahet në pushtet nga PDK-ja dhe se, përmes administratës komunale, u del në ndihmë interesave të PDK-së. Kemi gjithashtu sulme nga Basha dhe anëtarë të tjerë të lartë të Vetëvendosjes, të cilët e quajnë kriminel, të varur nga droga e kështu me radhë”, tha Vujinoviq.

Ai shtoi se e gjithë kjo tregon se Vetëvendosja ka frikë se Rama mund të bëhet lider i LDK-së.
Megjithatë, Vujinoviq vlerëson se Rama nuk mund ta ndalë “rënien e lirë” të LDK-së dhe nuk mund ta ndihmojë këtë parti të rikthehet në lavdinë e dikurshme.

“Atyre u duhet një ndryshim i plotë, një ndryshim i tërë konceptit politik dhe më në fund të kuptojnë se janë në opozitë, sepse më duket se edhe sot, pesë vjet pasi kaluan në opozitë, ata ende nuk e kanë kuptuar këtë”, përfundoi bashkëbiseduesi ynë.

Stabilizimi i DSK-së

Diplomati Albert Prenkaj ka theksuar se në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ekziston një garë për postin e kryetarit të partisë, duke vlerësuar se kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, do të stabilizonte situatën brenda kësaj force politike, por edhe në spektrin më të gjerë politik.

Prenkaj deklaroi për Kosovo online se spektri politik në Kosovë është kryesisht i orientuar djathtas dhe konservator, ndërsa herë pas here janë shfaqur parti të qendrës së majtë, të cilat nuk kanë pasur jetëgjatësi.

Njëkohësisht, shtoi ai, kanë ekzistuar edhe prirje për organizime politike me orientim teist, të cilat kanë qenë të përfaqësuara në një përqindje të vogël në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë, karakterizohet si një parti e qendrës së djathtë, anëtare e Partisë Popullore Evropiane (EPP), organizata më e vjetër transnacionale politike e qendrës së djathtë, e themeluar në vitin 1976.

Prenkaj tha se pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, partia ka kaluar nëpër kriza të udhëheqjes dhe se një situatë e tillë vazhdon edhe sot.

"Dihet se gjatë viteve ’90 LDK udhëhoqi rezistencën paqësore kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke organizuar sistemin e njohur të institucioneve paralele në Kosovë. Pas luftës së vitit 1999 dhe vdekjes së presidentit historik dhe liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, partia kaloi nëpër kriza të udhëheqjes. Sot LDK përballet me nevojën për një lidership të ri. Rezultatet në tre zgjedhjet e fundit tregojnë se performanca e saj ka qenë e pamjaftueshme.

Me kalimin e partisë Guxo nga satelite e Vetëvendosjes, si dhe me rikthimin në LDK të ish-presidentes Vjosa Osmani dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, u krijua përshtypja se ajo do t’i rikthente LDK-së numrin e madh të votave që kishte sjellë te Vetëvendosje. Ky rikthim ndodhi kryesisht me insistimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, ky investim politik nuk dha rezultatet e pritura, që do të thotë se ish-presidentja e Kosovës, bashkëpunëtore e afërt e Albin Kurtit, nuk rezultoi një lidere që mund t’i bënte ballë Kurtit", tha Prenkaj.

Ai shtoi se është e qartë se brenda LDK-së ekziston një garë për udhëheqjen e re, edhe pse Abdixhiku i reziston kësaj, duke besuar se ende ka forcën dhe mbështetjen për të drejtuar partinë.

"Në thelb, Abdixhiku është shprehur publikisht se karta e tij është Vjosa Osmani si opsion për kandidate për presidente të shtetit dhe një marrëveshje e mundshme për koalicion qeverisës me Albin Kurtin. Duket se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë së LDK-së nuk pajtohet me këtë drejtim politik. Brenda partisë kundërshtohet publikisht si mundësia e një koalicioni me Vetëvendosjen, ashtu edhe kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente të republikës. Ndërkohë janë mbledhur nënshkrime që sfidojnë pozitën e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku", shtoi ai.

Si një nga opsionet për kryetar të ri të partisë, Prenkaj përmendi kryetarin e Prishtinës dhe anëtarin e LDK-së, Përparim Rama, i cili, sipas tij, komunikon më drejtpërdrejt me qytetarët, gjë që ka sjellë rezultate konkrete në komunën që drejton.

"Flitet për një kandidat të mundshëm për kryetar të ri të LDK-së, një lider që do të mund ta sfidonte qeverisjen e Albin Kurtit dhe politikën e deritanishme të Vetëvendosjes. Një nga politikanët për të cilët flitet është Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, një homo novus që ka sjellë një frymë të re nga Londra dhe që mund ta çojë partinë në një nivel më të lartë. Krahasuar me paraqitjet e liderëve të mëparshëm opozitarë, Rama duket më i drejtpërdrejtë në komunikim, gjë që ka prodhuar rezultate konkrete në kryeqytet", tha Prenkaj.

Sikurse theksoi, Rama, ose edhe një alternativë tjetër, do ta stabilizonte LDK dhe, rrjedhimisht, edhe dinamikën institucionale e politike në Kosovë.

"Mendoj se opsioni i Përparim Ramës, por edhe ndonjë alternativë tjetër, do ta stabilizonte LDK-në, e bashkë me të edhe spektrin politik, si dhe dinamikën institucionale dhe shtetërore në Kosovë", ka thënë Prenkaj.