Gogiq: Osmani solli përçarje në LDK, partisë i nevojiten reforma
Politologu Ognjen Gogiq deklaroi se disa cikle zgjedhore kanë treguar se Lumir Abdixhiku nuk është lideri që mund ta rikthejë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në rrugën e suksesit dhe se kësaj partie i nevojiten reforma. Ai vlerëson se ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rikthimin e saj në LDK ka sjellë përçarje shtesë, gjë që është reflektuar edhe në rezultatin zgjedhor.
Gogiq tha për Kosovo online se zgjedhjet e qershorit treguan se LDK-ja nuk arriti të rimëkëmbet ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet e dhjetorit dhe se mund të thuhet se vetëm e ruajti pozitën e saj dhe zbuti rënien e mëtejshme.
“Në përqindje kanë dalë më mirë, por në numrin absolut të votave kanë shënuar sërish rënie. LDK-ja nuk mund të jetë e kënaqur me këto rezultate. U pa se Vjosa Osmani nuk kontribuoi në masën e pritur në rritjen e mbështetjes për partinë. Bëhet fjalë për një varg vendimesh të gabuara të marra nga udhëheqja e partisë, pa një përpjekje serioze për të rishqyrtuar punën e vet dhe për të gjetur mënyrën se si të konsolidojë LDK-në”, tha Gogiq.
Duke folur për përçarjet brenda partisë, ai rikujtoi se çështja e përgjegjësisë ishte hapur edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit, kur Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen, por ajo nuk ishte pranuar në kuvendin e partisë në janar.
“Tani duket sikur udhëheqja e partisë është plotësisht nën kontrollin e tij dhe e mbron atë nga përgjegjësia politike”, vlerësoi Gogiq.
Njëkohësisht, ai thekson se kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut po bëhen gjithnjë e më të zëshme, duke rikujtuar se një kërkesë të tillë e kanë bërë publikisht edhe kryetarët e komunave të Pejës dhe Lipjanit.
“Ata i kanë bërë thirrje hapur Abdixhikut që të japë dorëheqje, por ai e ka refuzuar këtë. Megjithatë, duket se këta dy kryetarë komunash janë zëdhënës të një rryme brenda LDK-së, e cila si lider të ri e sheh Përparim Ramën, kryetarin e Komunës së Prishtinës. Po formohet një bllok që po përpiqet të sigurojë ndryshime në parti”, tha Gogiq, duke rikujtuar se dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Sipas tij, funksionarët më të spikatur të LDK-së angazhohen për ndryshime, por Abdixhiku dhe njerëzit e afërt me të vazhdojnë të kontrollojnë mekanizmat kryesorë të vendimmarrjes.
“Ekziston një hendek mes vullnetit të udhëheqjes dhe disponimit të bazës së partisë, gjë që e dobëson edhe më tej LDK-në. Nëse nuk do të ketë forcë për ndryshime, LDK-ja nuk do të ketë perspektivë serioze në skenën politike të Kosovës. Bëhet fjalë për një parti që prej një kohe të gjatë është në rënie të vazhdueshme të mbështetjes. Në këtë kontekst, thirrjet që Vjosa Osmani të jetë sërish kandidate për presidente janë të pakuptimta, sepse as rezultatet e saj zgjedhore dhe as disponimi brenda partisë nuk tregojnë se ekziston mbështetje për këtë, e aq më pak nga partitë e tjera politike”, shpjegon Gogiq.
Duke folur për raportin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me opozitën, Gogiq tha se ai nuk ndërhyn drejtpërdrejt në marrëdhëniet e brendshme të partive, por përfiton nga mungesa e unitetit të tyre.
“Politikës së tij i përshtatet fakti që partitë opozitare nuk arrijnë të merren vesh as brenda vetes, as mes tyre, për të formuar një bllok të përbashkët kundër tij. Ky është avantazhi i tij më i madh. Kurti nuk është politikan që merret me pazare politike dhe që ofron lëshime për të siguruar mbështetje. Ai pret mbështetje të pakushtëzuar, pa ofruar asgjë në këmbim”, tha Gogiq.
Ai shton se Kurti nuk përpiqet të ndikojë në marrëdhëniet brenda LDK-së, por ia lë partisë që vetë t’i thellojë problemet e saj të brendshme.
“Kjo i shkon për shtat atij, sepse votuesit shohin mungesën e unitetit si brenda partive opozitare, ashtu edhe mes tyre, ndaj i drejtohen Kurtit si e vetmja alternativë politikisht e konsoliduar”, theksoi Gogiq.
Gogiq vlerëson se nuk është rastësi që pikërisht kryetarët e komunave që kanë arritur fitore në zgjedhje po kërkojnë ndryshime në krye të LDK-së.
“Prandaj është paradoksale që anëtarësia e LDK-së, në këtë moment, nuk i jep mbështetje më të madhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili është dëshmuar si një lider karizmatik, i aftë t’i bëjë ballë Kurtit dhe të sjellë një frymë të re në skenën politike”, vlerësoi Gogiq.
Sipas tij, ciklet e shpeshta zgjedhore kanë treguar se Abdixhiku nuk është lideri që mund ta rikthejë LDK-në në rrugën e fitoreve.
“Partisë i nevojiten reforma, por ajo po tregon se nuk është në gjendje t’i zbatojë ato. Duket se brenda LDK-së ekziston një lloj oligarkie që e pengon këtë. Një nga rezultatet e mundshme është përçarja, përkatësisht që kryetarët e komunave të cilët kërkojnë ndryshime, nëse nuk arrijnë t’i realizojnë ato brenda partisë, të kërkojnë një alternativë politike jashtë saj”, tha Gogiq.
Duke folur për rolin e Vjosa Osmanit, ai thekson se ajo nuk është përgjegjëse për përçarjen në LDK, por se ka kontribuar në thellimin e ndarjeve.
“Osmani u largua nga LDK-ja pothuajse gjashtë vjet më parë dhe nuk mund të jetë fajtori i vetëm për gjendjen në parti. Është e vërtetë se largimi i saj i dha një goditje serioze politike LDK-së, por shtrohet pyetja pse struktura drejtuese e partisë nuk arriti ta konsolidojë LDK-në gjatë këtyre gjashtë viteve. Për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë udhëhequr partinë”, tha Gogiq.
Ai shton se rikthimi i saj shkaktoi ndarje të reja, në vend që të sillte energji të re.
“Ajo nuk solli sinergji dhe as nuk e ripërtëriu mbështetjen. Shumë veta ia kanë zënë për të madhe ndryshimet e saj politike dhe rikthimin në LDK pasi bashkëpunimi me Kurtin dështoi, duke pritur që kjo parti t’ia zgjaste karrierën politike”, tha ai.
Megjithatë, ai vlerëson se përgjegjësi më të madhe se Osmani mban udhëheqja aktuale e LDK-së.
“Përgjegjësia më e madhe bie mbi Abdixhikun, i cili, megjithëse ishte i vetëdijshëm për ndarjet dhe polemikat që shkakton Osmani, i hapi rrugë rikthimit të saj në parti. Përgjegjësia, para së gjithash, u takon atyre që e kanë drejtuar LDK-në gjatë gjithë kësaj kohe, e jo Osmanit”, përfundoi Gogiq.
0 komentet