Sorenseni e theu akullin: A mund të ketë përparim në dialog nëse Bislimi nuk ka legjitimitet?
Raundi përgatitor i dialogut, në të cilin delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit u pritën në takime të ndara në Bruksel për herë të parë nga Peter Sorensen, nuk premton shumë. Përfaqësuesi i BE-së për dialogun planifikon së shpejti edhe një takim trepalësh, por përveç dilemës se cila do të ishte tema për të cilën të dyja palët do të pranonin të diskutojnë në këtë moment, mbetet e hapur edhe çështja nëse Besnik Bislimi, nënkryetar i qeverisë së Kosovës në dorëheqje, ka legjitimitet për të përfaqësuar qëndrimet e palës së Prishtinës si kryenegociator.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Diplomati danez e theu akullin. Jo atë të Grenlandës, por atë të Brukselit. Në detyrën që më 1 shkurt e trashëgoi nga Mirosllav Lajçaku, ai u takua sot me Petar Petkoviqin, kryenegociatorin e Beogradit, dhe dje me kryenegociatorin e Prishtinës, Besnik Bislimin.
Pas bisedës me Bislimin, Sorensen deklaroi se në tryezë ishte një spektër i gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve dhe shtoi se planifikon të jetë së shpejti mikpritës i një takimi trepalësh.
Temperaturën e dialogut, i cili prej muajsh është i ngrirë thellësisht, e ngriti Bislimi me deklaratën se në takimin me Sorensenin ka hapur një sërë temash të rëndësishme për diskutim, duke përmendur edhe faktin se ka biseduar me ndërmjetësin e BE-së edhe për shqiptarët në “Luginën e Preshevës”.
“Dëgjuam dje që Bislimi ka hapur disa tema të supozuara, si çështja e Preshevës, Bujanocit, por këto nuk janë tema të dialogut. Dihet cilat janë temat e dialogut: çështja e Kosovës dhe Metohisë, pozita e popullit serb, formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, çfarë mund të bëjmë për të arritur me zgjidhje kompromisi në paqe dhe stabilitet në Kosovë që janë të domosdoshme si për popullin serb ashtu edhe për atë shqiptar. Ndërsa çështja e Preshevës dhe Bujanocit është çështje e Serbisë Qendrore dhe nuk mund të jetë pjesë e dialogut, edhe pse Prishtina përpiqet ta shtyjë këtë. Kjo nuk është temë e dialogut dhe këtë ia kam thënë Sorensenit, i cili e ka kuptuar,” deklaroi sot Petkoviq pas takimit në Bruksel.
Sipas vlerësimit të docentit të Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, "karta" e përhershme – "Lugina e Preshevës" dhe statusi i shqiptarëve në jug të Serbisë – është përdorur këtu për nevoja të brendshme politike në Kosovë. Surlliq konsideron se Prishtina po e pengon procesin e dialogut, pasi në thelb nuk ekziston legjitimiteti i qeverisë aktuale për të marrë vendime që mund të konsiderohen si lëshime të mëdha politike në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
“Ky vakum përdoret për promovimin e temave për përdorim të brendshëm politik, si për shembull ‘karta’ e përhershme – ‘lugina e Preshevës’ dhe statusi i shqiptarëve në jug të Serbisë, edhe pse kjo nuk ka qenë kurrë temë e normalizimit të marrëdhënieve, as nuk është pranuar ndonjëherë nga Brukseli dhe nuk është paraqitur si çështje problematike për t'u diskutuar në këtë proces. Këtu në rend të parë është në tryezë statusi i komunitetit serb dhe formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe. Edhe vetë Sorensen po e shmang këtë temë, i vetëdijshëm se situata politike nuk është e mirë as në Prishtinë e as në Beograd për të folur për ndonjë përparim domethënës”, thekson Surlliq për Kosovo online.
Ndryshe, largimi i Bislimit në Bruksel u shoqërua me një sërë komentesh negative, disa nga opozita, disa nga analistë në Prishtinë, të cilët kundërshtojnë legjitimitetin e tij për të përfaqësuar Kosovën në këtë rast.
Kështu, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaroi se në kushtet e krizës politike dhe mungesës së institucioneve të reja pas zgjedhjeve, as Bislimi dhe askush tjetër nga qeveria aktuale nuk ka legjitimitetin për të përfaqësuar Kosovën në dialog.
Ish-ambasadorja Alma Lama gjithashtu beson se derisa të formohet një qeveri e re bazuar në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka legjitimitetin për të marrë pjesë në dialog. Lama madje kritikoi Bashkimin Evropian për dërgimin e një ftese palës së Kosovës në këto rrethana, raportoi KosovaPress.
Sipas Surlliqit, Bislimi nuk ka as kompetenca, as mundësi dhe as legjitimitet për të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Qeveria në Prishtinë, shton ai, është në mandat teknik, dhe për këtë arsye nuk sheh asnjë hapësirë, e as interes nga Lëvizja Vetëvendosje që të bëjë ndonjë lëvizje në këtë proces.
„Përkundrazi, atyre u konvenon që të qëndrojnë fort në qëndrimin se po sigurojnë sovranitetin në veri, dhe përmes masave të dhunshme e tregojnë dhe e dëshmojnë përditë se po luftojnë për atë sovranitet“, thekson Surlliq, duke shtuar se tema e normalizimit të marrëdhënieve nuk është në tavolinë as për opsionet opozitare, edhe nëse në të ardhmen arrijnë të formojnë qeverinë, pasi ajo ende paraqitet si diçka e imponuar nga Bashkimi Evropian dhe si diçka e panevojshme.
Edhe analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson se cilësia në të cilën Bislimi përfaqëson Kosovën është një çështje shumë e rëndësishme.
"I rëndësishëm është dhe legjitimiteti pasi momentalisht Kosova nuk ka parlament funksional, e kështu që zoti Bislimi nuk mund t'u ofrojë asnjë informacion apo të jetë racional në dialog. Ky takim në Bruksel është veçse formalitet me synim që të tregojë se dialogu vazhdon, por nuk ka ndonjë fuqi apo ndikim real sepse nuk kemi qeveri të re, as dhe parlament. Ndaj ndikimi dhe fuqia e Bislimit është minimale, kështu që nuk mund të marrë asnjë vendim të rëndësishëm në këtë kontekst politik” ka deklaruar Muhaxhiri për Kosov online.
Ai beson se Beogradi dhe Prishtina nuk kanë vullnet për të përmirësuar kualitetin e dialogut dhe se takimet e veçanta të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit me Peter Sorensen në Brukesl kanë qenë veçse formalitet i pastër.
“Këto takime për zotin Sorensen kanë qenë veçse prezantim, por mendoj se ai do ta kuptojë shumë shpejt kontekstin dhe peshën e këtij dialogu” ka thënë Muhaxhiri.
Një nga temat që Sorensen do të insistojë në dialogun e rinovuar, siç beson Surlliq, do të jetë ekonomia dhe tregtia e lirë, sepse ka ende vetëm një vendkalim Merdare nëpër të cilin mund të kalojnë mallrat serbe.
"Ekonomia po vuan gjithashtu dhe prandaj mendoj se kjo do të jetë një nga temat që Sorensen do të insistojë. Gjithashtu duhen shumë pak lëshime dhe shumë pak vullnet politik dhe arritja e lirisë së qarkullimit, të paktën e produkteve, mund të paraqitet si një sukses i madh”, thotë Surlliq.
Përndryshe, Besnik Bislimi njoftoi dje se në takimin me Sorensenin janë hapur një sërë temash, siç është menaxhimi i integruar i pikëkalimeve, për të cilin, sipas tij, ka vonesa të mëdha nga ana e Serbisë në përmbushjen e obligimeve.
Nga ana tjetër, Petar Petkoviq deklaroi sot se në takimin me përfaqësuesin special për dialog i ka dorëzuar një listë me 50 veprime konkrete eskaluese të Prishtinës dhe ka theksuar shkallën e përndjekjes së serbëve në Kosovë nga institucionet e Prishtinës dhe policia e Kosovës. Ai shtoi se Bashkësia e Komunave Serbe është çështje kyçe për të ndalur përndjekjen dhe për të arritur deeskalim, duke theksuar se ajo përfaqëson „shtyllën kurrizore të dialogut“.
0 komentet