Prezantohet në Shkup panairi më i madh rajonal i verërave “Vizioni i verës i Ballkanit të Hapur”

Në Shkup u mbajt prezantimi i panairit më të madh rajonal të verërave “Vizioni i verës i Ballkanit të Hapur”, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me ministritë e linjës së Serbisë dhe Shqipërisë.
Vitin e kaluar, në kuadër të Ballkanit të Hapur, vera u promovua si produkti më i rëndësishëm i rajonit, gjë që u konfirmua edhe në panairin e verës “Vizioni i verës i Ballkanit të Hapur”, i cili edicionin e parë e pati vitin e kaluar në Beograd dhe shkaktoi vëmendje të madhe mediatike. Me qëllim të forcimit të potencialit të këtij panairi të përbashkët të verës, në periudhën para edicionit të dytë të tij këtë vjeshtë, vendet anëtare të Ballkanit të Hapur po organizojnë promovime panairesh në të gjithë rajonin.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, theksoi se vendet e Ballkanit të Hapur janë bashkë, se kanë qenë gjithmonë bashkë dhe se do të jenë gjithmonë bashkë në këto fusha, por ndryshimi është se në të kaluarën nuk kanë bashkëpunuar, dhe se bashkëpunimi tashmë mund të shihet pikërisht përmes manifestimeve dhe aktiviteteve të tilla si panairi i verës "Vizioni i verës i Ballkanit të Hapur", i cili po rritet në një nga tre panairet më të mëdha të verës në botë.
“Rezultatet e Ballkanit të Hapur tashmë shihen në shifra. Shkëmbimi dhe tregtia midis tre vendeve u rrit me 25 për qind. Shkëmbimi me Serbinë ka kaluar 1.1 miliardë euro, që është niveli më i lartë në 17 vitet e fundit. Vetëm vitin e kaluar shkëmbimi me Shqipërinë është rritur me 40 për qind, me Serbinë me 50 për qind. Ne kemi vendosur korsi të gjelbra për transportuesit që të mos presin në kufi. Ne po prezantojmë sisteme elektronike të identifikimit që do t'i lejojnë punëtorët të lëvizin lirshëm midis tre shteteve tona. Dhe ne praktikisht i zbatojmë tri liritë e BE-së, këtu në vendin tonë, në Ballkan, siç i vjen për shtati”, tha Kovaçevski.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Lupço Nikollovski, theksoi se vizioni i disa viteve më parë, se si duhet të funksionojë Ballkani, sot është një histori suksesi.
“Rajoni është i bashkuar, me kufij të hapur, me bashkëpunim të shtuar ekonomik dhe shumë përfitime të tjera për qytetarët e të tre vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur. Nëse nisemi nga thënia e famshme se “E vërteta është në verë”, kjo është e vërteta jonë, një Ballkan i bashkuar, i bukur. Ne jemi një brez politikanësh që marrin vendime të guximshme. Pas kësaj do të kujtohemi si gjenerata që hapi kufijtë dhe krijoi të ardhmen për të gjithë rajonin”, tha ministri Nikolovski.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë Arian Jaupllari tha se vendi i tij ka potencial në vreshtarinë dhe prodhimin tradicional të verës.
“Në vitin 2022 kemi pasur një prodhim prej 30 mijë hektolitra verë me një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2021. Sot jemi të pranishëm me etiketat tona në panairet më të rëndësishme të sektorit. Ne presim edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Verërave dhe Vreshtarisë. Korniza ligjore që është në përputhje me legjislacionin e BE-së që organizon pjesën më të madhe të sektorit rrit edhe sigurinë e produktit final nga sektori”, tha Jaupllari.
Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Serbisë, Jellena Tanaskoviq, ftoi të interesuarit në Panairin e Verës, i cili do të mbahet në Beograd nga 16 deri më 19 nëntor të këtij viti.
“Dua t'ju ftoj të gjithëve të vini dhe të jeni të pranishëm në një tjetër event që do të jetë i paharrueshëm. Më duhet të citoj presidentin tim, i cili dëshiron të thotë se Ballkani i Hapur tregoi se si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund t'i tregojnë botës se sa shumë mund të bëjmë së bashku. Mendoj se kemi treguar se së bashku nuk jemi vetëm një partner adekuat që ka diçka për të treguar, por një partner që është shumë serioz në atë që bën dhe që vit pas viti hedh hapa seriozë për të kaluar kufijtë”, tha Tanaskoviq.
komentet