Misini: Me tregun e lirë të energjisë elektrike rriten kostot e biznesit dhe çmimet

Škumbin Misini
Burim: Kosovo Online

Profesori i ekonomisë Shkumbin Misini vlerëson se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një gjë e mirë, por se institucionet kompetente të Kosovës është dashur ta shtyjnë vendimin për futjen e tregut të lirë të rrymës të paktën për një vit, sepse me të kanë ardhur edhe kosto shumë më të larta.

Ai thekson se për disa kompani çmimet e energjisë elektrike janë rritur deri në 300 për qind.


„Rasti më i fundit është një kompani, pronari i së cilës deklaroi se me rritjen e çmimit të energjisë elektrike rriten edhe kostot e biznesit, e me këtë edhe çmimet. Kur konsumatori sheh çmimet e produkteve të tjera që janë më të lira, kjo automatikisht i bën ndërmarrjet kosovare jokonkurruese. Kjo ndikon në largimin e fuqisë punëtore, sepse kur qarkullimi është më i vogël, ndërmarrjet e ulin numrin e punëtorëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në treguesit makroekonomikë. Kur qarkullimi është më i vogël, paguhen më pak taksa, e kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e buxhetit të Kosovës“, ka deklaruar Misini për Kosovo online.

Sipas tij, nuk ka pasur një selektim të duhur mes kompanive, duke dhënë si shembull se konsumi i energjisë elektrike i një kompanie prodhuese nuk është i njëjtë me konsumin e një kompanie mediatike apo televizive me mbi 50 të punësuar që operon në tregun e lirë.

„Institucionet kompetente të Kosovës është dashur ta shtynin këtë për një periudhë prej të paktën një viti. Që nga momenti kur është marrë vendimi, kostot janë shumë më të larta“, thotë ai.

Vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nënkupton që të gjitha ndërmarrjet private dhe publike me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor më të madh se 10 milionë euro janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke zgjedhur vetë furnizuesin e licencuar, përkatësisht të kalojnë në furnizim me çmime që përcaktohen nga kërkesa dhe oferta e tregut.