Staniq: Masat e Qeverisë së Serbisë do të rezultojnë me kursime, por nuk mund të ketë një rënie të përgjithshme të çmimeve

Bojan Stanić
Burim: Kosovo Online

Ndihmësdrejtori i Sektorit për analiza strategjike, shërbime dhe internacionalizim të Odës Ekonomike të Serbisë, Bojan Staniq, thotë se masat që ka ndërmarrë Qeveria e Serbisë për kufizimin e marzhave tregtare për 23 grupe produktesh duhet të japin rezultat në një afat të shkurtër dhe se do të realizohen kursime të caktuara, por që nuk mund të vijë deri te rënia e përgjithshme e çmimeve.

„Masat e Qeverisë së Serbisë janë të orientuara te 23 grupe produktesh që lidhen me konsumin e përditshëm – produkte ushqimore, higjiena personale, pastrimi... Tashmë është e dukshme se çmimet në këto grupe produktesh kanë rënë. Megjithatë, nëse e shohim normën e inflacionit, e cila aktualisht është jashtë kornizës së Bankës Kombëtare të Serbisë që është deri në 4,5 për qind, ndërsa inflacioni është aktualisht 4,9 për qind dhe nuk është ndjeshëm i rritur, është fakt se kjo nuk mund të shkaktojë deflacion, pra të vijë deri te një rënie e përgjithshme e çmimeve“, shpjegon Staniq për Kosovo online.

Falë këtyre masave, siç shton ai, do të arrihen kursime të caktuara, por nga ana tjetër, ato nuk do të kenë ndonjë ndikim të madh në BPV. Njerëzit që do të kursejnë, siç thotë ai, nuk do t’i investojnë paratë e kursyera në mallra luksoze ose „në shufra ari“, por paratë e kursyera do t’i përdorin përsëri për konsum, gjë që nuk do të reflektohet në BPV.

„Kur flasim për opsionet afatgjata se si të rritet standardi i jetesës, kjo nënkupton para së gjithash përshpejtimin e aktivitetit ekonomik në vend dhe rritjen reale të pagave në mënyrë që të ringjallet fuqia blerëse e popullsisë dhe kështu të ngrihet standardi i jetesës. Kjo në rrethanat aktuale nuk është e mundur, duke pasur parasysh ngadalësimin e ekonomisë evropiane, e cila është partneri ynë kryesor tregtar i jashtëm dhe faktin që ekziston pasiguri e lidhur me luftërat tregtare dhe me atë se çfarë do të ndodhë në tregun e energjisë, prandaj në këtë drejtim të gjithë i drejtohen vitit 2027 kur pritet rimëkëmbja evropiane“, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Staniq thekson se aktiviteti ekonomik në Serbi bazohet kryesisht në projektet infrastrukturore dhe se ekziston rritje reale e pagave, por edhe vëren se si pasojë e rritjes së përshpejtuar ekonomike dhjetëvjeçare ka ardhur deri te njëfarë shtresëzimi i popullsisë dhe se ekziston një grup më i vogël njerëzish që tërheq mesataren, ndërsa nga ana tjetër është shumica.

„Kjo nuk është vetëm rast në Serbi, por edhe në rajonin më të gjerë. Edhe këto masa që Qeveria ka zbatuar në Serbi janë bazuar edhe në praktikat që janë zbatuar në disa vende të Bashkimit Evropian si Hungaria dhe Rumania“, thotë Staniq.

Ai shpjegon se zinxhiri i formimit të çmimeve, nga prodhimi primar bujqësor deri te raftet në tregtinë me pakicë, është shumë kompleks dhe se fajësia për rritjen e çmimeve nuk mund të hidhet vetëm mbi një anë.

Ai thekson gjithashtu se nëse masat për kufizimin e marzhave tregtare do të zgjasnin më shumë se gjashtë muaj, kjo do të sillte pasoja më të mëdha për tregun e shitjes me pakicë.

„Këto masa gjashtëmujore do të kenë një efekt negativ në tregun me pakicë, duke pasur parasysh se marzha nga çmimi i blerjes deri te çmimi i shitjes nuk është vetëm fitim i dyqaneve, por nga ajo mbulohen edhe kostot në rritje të fuqisë punëtore, qirasë dhe energjisë elektrike. Nëse masat do të zgjasnin më shumë se gjashtë muaj, në një moment patjetër do të ndodhte efekt i derdhjes te hallkat e tjera të zinxhirit, pra te përpunimi dhe shpërndarja dhe në fund te prodhimi primar, i cili, sipas Odës Ekonomike, është nën presionin më të madh për shkak të një sistemi joefikas të prodhimit, nivelit të zhvillimit më të ulët krahasuar me mesataren evropiane, si dhe qasjes së kufizuar në subvencione dhe infrastrukturë që mbështet prodhimin bujqësor...“, thotë ai.

Ai nënvizon se masat e Qeverisë duhet të japin rezultat në afat të shkurtër dhe se ato janë mbështetje për popullatën.

„Megjithatë, tregu duhet të funksionojë përgjithësisht sipas parimeve të ofertës dhe kërkesës së lirë, por gjithçka varet nga mundësia që ekonomia të rikthehet në normat e rritjes që kishim deri në vitin 2024 dhe që në bazë të qarkullimit më të madh të kompanive të vijë edhe rritja e pagave në sektorin privat, ndërsa në atë shtetëror kjo tashmë po ndodh përmes ndërhyrjeve të shpeshta të qeverisë në rritjen e pagave të arsimtarëve, punëtorëve shëndetësorë, pensioneve..., në mënyrë që të vijë deri te një rritje e prekshme dhe reale e pagave për të gjitha shtresat e punëtorëve“, përfundon Staniq.