Sefa: Shqipëria mban rekordin për papunësinë e të rinjve

Ergis Sefa
Burim: Kosovo Online

Eksperti për financim nga BE-ja dhe kapitalin e rrezikut, Ergis Sefa, deklaroi se, pavarësisht se Shqipëria po shënon trend të uljes së papunësisë, ajo ende ka numrin më të madh të të rinjve që janë të papunë.

“Për fat të keq, ekziston një ndryshim në nivelin e punësimit në varësi të grupmoshave. Është karakteristike që Shqipëria, në krahasim me rajonin, por edhe me vendet e BE-së, ka shkallën më të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve të moshës 18 deri në 30 vjeç,” deklaroi Sefa për Kosovo online.

Në këtë ndikojnë një sërë faktorësh, ndër të cilët janë edhe migrimet.

Sefa veçon gjithashtu mungesën e interesimit të të rinjve – pa dallim gjinor – për të ndjekur shkolla që ofrojnë edukim për profesione deficitare.

“Fakti mbetet që kemi një shkallë papunësie në mesin e të rinjve që është pothuajse dy herë më e lartë në krahasim me atë të përgjithshme dhe me vendet e tjera. Nëse shkalla e përgjithshme e papunësisë është 8.8 për qind, te të rinjtë ajo arrin në 19 për qind – pra më shumë se dyfish. Ky është niveli më i lartë në rajon,” paralajmëron Sefa.

Duke komentuar të dhënat nga raporti i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ku thuhet se rajoni shënon “nivel historikisht të ulët” të papunësisë, analisti Ergis Sefa thekson se arsyeja kryesore për këtë është largimi gjithnjë e më i madh i të rinjve.

“Nëse bëjmë krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është një nga ato vende që ka ulje të shkallës së papunësisë, por jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të vendeve të punës apo sepse vazhdojnë të krijohen vende të reja pune, por edhe për shkak të faktit që ka një largim të fuqisë punëtore, kryesisht të rinjve që po ikin, kryesisht drejt Bashkimit Evropian,” thekson Sefa.

Ai shton se, sipas të dhënave statistikore, Shqipëria shënon trend të uljes së papunësisë krahasuar me vitin e kaluar.

“Aktualisht jemi në nivelin prej 8.8 për qind papunësi, dhe kjo është një ulje në krahasim me 9.5 për qind sa ishte më parë,” precizon ai.

Sipas tij, shkaqet janë të shumta, por më së shumti ndikon rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve.

“Turizmi është sektori që ka peshën kryesore, por kemi rritje edhe në disa sektorë të tjerë më specifikë, siç është sektori i teknologjive të informacionit. Ky është gjithashtu sektori me pagat më të larta, megjithëse edhe në sektorin e turizmit kemi një rritje të konsiderueshme të pagave,” thekson ky analist.

Ai thekson se analiza tregon dy probleme kryesore kur bëhet fjalë për tregun e punës në Shqipëri.

"Problemi i parë është se sektorët që patën rezultate më të këqija, siç është bujqësia, po shkojnë drejt zhdukjes, domethënë drejt një rënieje të ndjeshme të fuqisë punëtore në këta sektorë. Kjo mund të krijojë një valë të re emigrimi të fuqisë punëtore nga bujqësia dhe sektorët e lidhur me të. Problemi i dytë ka të bëjë me ndryshimin e aftësive teknike që kërkon tregu i punës. Ne tashmë kemi disa profesione specifike, dhe ato kërkojnë arsim të ri teknik dhe profesional, dhe të rinjtë dhe të rejat duhet të shkojnë në atë drejtim, dhe të ndjekin më pak arsim të përgjithshëm në fushën e ekonomisë, drejtësisë ose degëve të tjera të ngjashme", beson Sefa.

Ai thekson se në Shqipëri është mundësuar aftësimi profesional dhe se të rinjtë kanë mundësi që, përmes qendrave publike apo private për trajnim profesional, të ndjekin kurse të ndryshme me qëllim që të përshtaten me kërkesat e tregut të punës.

Gjithashtu vëren se disa prej këtyre kurseve janë falas, ndaj i fton të rinjtë ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre.

Nga ana tjetër, sektori i ekonomisë po përballet me humbje të fuqisë punëtore.

Sefa saktëson se kjo prek bujqësinë, por edhe për fasonërinë.

“Arsyeja është rënia e vlerës së euros dhe forcimi i lekut shqiptar, por edhe ndryshimi i strukturës së kërkesës. Sot ka më pak kërkesë për produkte të thjeshta industriale, ndërkohë që është rritur kërkesa për produkte me cilësi më të lartë. Fuqia punëtore në këto kategori ka dy zgjedhje. Ose duhet të rikualifikohet, pra të rrisë nivelin profesional, sepse produktet që kërkohen janë gjithnjë e më të sofistikuara. Ose do të duhet të ndryshojë profesion, sepse këto sektorë të ekonomisë duhet ose të transformohen për të qenë konkurrues, ose do të veniten dhe do të zhduken,” përfundon Sefa.