Canaj: Kosova nuk i përket vetëm shqiptarëve, por të gjithëve që jetojnë këtu

Bljerim Canaj Kontekst
Burim: Kosovo Online

Kur them se Albin Kurti është pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Amerikës, mendoj para së gjithash për politikën që ai ndjek. Kjo politikë na ka sjellë në situatën në të cilën ndodhemi tani. Megjithatë, nuk mendoj se karriera e tij politike ka përfunduar, sepse Vetëvendosje ende gëzon mbështetje të madhe. Ndonjëherë mendoj se është e vështirë të bëhet ndonjë marrëveshje politike pa Kurtin. Në vend të një qeverie të re, pres zgjedhje të reja në Kosovë, tha në podcastin KOntekst Blerim Canaj, analist politik nga Prishtina.

Canaj ka shërbyer si diplomat në Gjermani dhe Austri, në një terren që e njeh mirë. Një pjesë të shkollimit e ka kryer jashtë vendit, pas studimeve në Prishtinë. Sot është profesor i historisë politike dhe thotë se përvoja diplomatike dhe ajo akademike e ndihmojnë ta kuptojë më mirë situatën politike në Kosovë. Si analist, ai është i njohur për publikun kosovar si mysafir i shpeshtë në mediat në gjuhën shqipe. Në një bisedë për Kosovo online në gjuhën serbe, ai foli për krizën institucionale që ka karakterizuar këtë vit në Kosovë.

“Përfitime nga kriza kanë vetëm ministrat. Në të njëjtën kohë, ne nuk kemi pasur parlament, kështu që ministrat dhe kryeministri nuk i përgjigjen askujt. Por, për këtë arsye kemi sanksione, të cilat mund të konsiderohen si fitorja më e madhe e diplomacisë serbe, ose e diplomacisë së Aleksandar Vuçiqit. Ndonjëherë kam ndjesinë se Kurti dhe Vuçiq ushqejnë njëri-tjetrin përmes politikës që bëjnë, ndërsa më së shumti humbet Kosova, e cila është nën sanksione,” vlerëson Canaj.

Ai beson se integrimi është zgjidhja më e mirë për pozitën e komunitetit serb në Kosovë.

“Çdokush që merret me politikë duhet të përpiqet të bisedojë me serbët në Kosovë dhe t’u shpjegojë atyre se janë pjesë e këtij shteti. Ne po jetojmë një realitet të ri në shekullin XXI, gjithçka që na ka ndodhur, ka mbetur në shekullin XX. Realiteti i ri është ky - Kosova nuk është më pjesë e Serbisë,” tha mysafiri i KOntekstit.

Për veten thotë se nuk është nacionalist, por patriot.

“Patrioti nuk është njeri që merret me nacionalizëm. Patriotizmi është diçka tjetër. Unë nuk mund të jem patriot nëse urrej ndonjë serb. Jam patriot nëse e dua shtetin tim, nëse e respektoj atë dhe nëse i respektoj serbët. Unë mendoj se Kosova nuk i përket vetëm shqiptarëve, por të gjithëve që jetojnë këtu. Kosovën e përbëjnë shqiptarët, serbët, gorançinjtë, turqit, romët…,” përfundoi Canaj.

Duke folur për të drejtat e serbëve në Kosovë, ai i referohet Kushtetutës dhe ligjeve.

“Sipas Kushtetutës, minoriteti serb është pjesë e kësaj republike dhe ata duhet të punojnë për këtë. Nuk mund të mendoj unë për minoritetin serb — ata duhet të mendojnë për veten e tyre. Nuk besoj se ekziston ndonjë shqiptar normal që do të donte që qoftë edhe një serb në Kosovë të përjetojë atë që unë kam përjetuar gjatë viteve ’90. Nëse një serb e përjeton këtë, atëherë neve nuk na duhet shtet. Unë kam studiuar tre vjet e gjysmë në një universitet paralel në vitet ’90, më e keqja është kur një i ri studion dhe në fund të studimeve pyet: ‘çfarë tani?’. Unë nuk dua që të rinjtë serbë ta bëjnë këtë pyetje, nuk duam të jemi një kopje e keqe e viteve ’90. Por serbët nuk duhet të jetojnë me iluzione, kjo është realiteti i ri - aq sa Kosova më përket mua, aq i përket edhe serbëve. Pyetja është çfarë do të bëjmë bashkë për këtë vend,” beson Canaj.

Duke komentuar veprimet e njëanshme të Prishtinës, ai thotë se gjithmonë ka qenë kundër heqjes së dinarit dhe se valuta serbe nuk e pengon.

“Politikanët e kanë keqpërdorur këtë çështje për të thënë se po vendosin sovranitet në Kosovë. Qeveria duhet të zhvillojë dialog me serbët në Kosovë dhe të gjejë një zgjidhje për këtë problem, në mënyrë që njerëzit të jenë të kënaqur dhe të mos ndihen të kërcënuar,” thotë Canaj.

Ai e konsideron keqpërdorim edhe njoftimin për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin kosovar, që Albin Kurti e premtoi gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.

“Si është e mundur që tani i ka rënë ndër mend të merret me këtë çështje, nuk është koha për këtë. Kurti, apo cilido kryeministër tjetër, duhet të bisedojë me partitë serbe për këtë temë. Më së miri është që serbët dhe shqiptarët të ulen bashkë dhe të mendojnë si të ecim përpara,” thekson bashkëbiseduesi ynë.

Duke folur për veriun, ai thotë se është reale që serbët të marrin sërish pushtetin lokal dhe të jenë kryetarë komunash në katër komunat që dy vjet e gjysmë janë drejtuar nga shqiptarët. Sa i përket kthimit të gjeneralit turk në krye të KFOR-it, në një moment kur Turqia i ka dorëzuar dronë Kosovës, ai nuk sheh mesazhe të fshehta, por vazhdimësi.

“Ai ka qenë më parë këtu, i njeh trupat dhe e di si funksionon KFOR-i. Asgjë nuk varet nga Turqia, nga KFOR-i varet kush do të jetë komandant. KFOR-i nuk merret me politikë, ai ka mandatin e vet dhe e kryen mirë. Shqiptarët kanë respekt për misionin që kujdeset për sigurinë e qytetarëve. Sa i përket dronëve, Kosova ka ushtrinë e saj dhe mund të blejë armatim. Ne nuk flasim më për Rezolutat, sepse që nga viti 2008 Kosova është e pavarur. Nga Rezoluta 1244 vlen vetëm KFOR-i, dhe është mirë që është këtu. Unë besoj se do të qëndrojë edhe për shumë vite, sepse KFOR-i është simbol i sigurisë së Kosovës,” përfundon Canaj.

Të gjithë bisedën e Blerim Canajt me Dragana Biberoviq mund ta shikoni në videon e bashkëngjitur.