Canaj: Sa më shumë që Vetëvendosje sulmon Listën Serbe, ajo do të bëhet gjithnjë e më e forte
Diplomati dhe profesori universitar Blerim Canaj ka deklaruar se pas sulmeve ndaj kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, fshihen “arsye dhe lojëra politike”, ndërsa përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar Listën Serbe bën që kjo parti të bëhet “gjithnjë e më e fortë”.
Canaj thekson se ekspertët juridikë pajtohen që deklarata e Bashës se Kuvendi është konstituar është “kundër Kushtetutës” dhe se ky proces duhet të përfshijë zgjedhjen e kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve të parlamentit.
Ai thekson se ngecja ka ardhur për shkak të kandidatit të Listës Serbe.
“Pas asaj që ndodhi në Banjskë, dhe po flas si qytetar i këtij shteti, edhe unë do të isha kundër bashkëpunimit me Listën Serbe. Por nuk mund ta bllokosh sepse kjo është kundërkushtetuese. Lista Serbe ka nëntë deputetë në parlament dhe serbët i besojnë Listës Serbe”, thekson Canaj për Kosovo online.
Ai konsideron se bëhet fjalë për një vendim politik të Vetëvendosjes dhe se në këtë mënyrë partia më e madhe serbe në Kosovë vetëm sa po forcohet më shumë.
“Sa më shumë që Kurti e bllokon Listën Serbe, ajo do të jetë gjithnjë e më e fortë, sepse duket që vetëm LS mbron interesat e serbëve në Kosovë. Nëse do të kishte dashur ta bllokonte Listën Serbe, nuk do t’i kishin dhënë 300 mijë euro për zgjedhje, por menjëherë pas Banjskës do të mundoheshin të thoshin nëse ajo është parti terroriste apo kundërkushtetuese. Pra, kur atij (Albin Kurtit) i duhet Lista Serbe, ai bashkëpunon me të, ndërsa tani kur i duhet politikisht, për shkak se po afrohen zgjedhjet, punon kundër. Pas zgjedhjeve jam i sigurt se do të jetë ndryshe”, thotë Canaj.
Organizatat e veteranëve të UÇK-së kërkojnë shkarkimin e Bashës për shkak të një punimi shkencor të botuar në vitin 2012, ndërsa Canaj konstaton se Vetëvendosje gjithmonë ka “luajtur me UÇK-në”.
Njëkohësisht, sjelljen e opozitës ai e interpreton si “lojë politike”.
“Tani është e rrezikshme për opozitën të votojë për Listën Serbe sepse atëherë me siguri do të sulmohen nga Vetëvendosje, se janë bashkëpunëtorët e tyre. Për këtë arsye nuk votuan as ‘pro’ as ‘kundër’, por u përmbajtën. E gjithë kjo është një lojë politike”, thekson Canaj.
0 komentet