Fillipoviq: Të rinjtë e arrestuar pranë Deçanit nuk kanë nxitur urrejtje, vendimi për paraburgim do të merret nesër
Tre të rinjtë të cilët u arrestuan të dielën në afërsi të manastirit të Deçanit për shkak të fjalës “Kosova është Serbi” në targat e tyre nuk kanë nxitur urrejtje dhe intolerancë, për të cilën i akuzon prokuroria, tha avokatja e tyre Jovana Filipoviq, dhe shtoi se nesër pritet të merret vendim për paraburgim.
Tre të rinjtë, Rajko Krivokapiq (34), Marinko Jovanoviq (24) dhe Dragutin Llallatoviq (24), të cilët u arrestuan të dielën pas kremtimit të lavdisë së manastirit në Deçan, kanë nënshtetësi malazeze dhe janë të gjithë me origjinë nga Nikshiqi.
“Si fillim, ata u ndaluan nga policia. Aktualisht janë në stacionin policor në Pejë, i kemi vizituar sot. Pas kësaj kemi biseduar me ushtruesin e detyrës së prokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë. Kërkesa për caktimin e paraburgimit është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan. Sipas informacioneve që kemi marrë sot nga ushtruesi i detyrës së prokurorit, seanca për paraburgim do të mbahet nesër, në ora 10, në degën e gjykatës në Deçan”, ka thënë Fillipoviq për Kosovo online.
Ajo shpjegoi se të rinjtë akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës.
“Ajo që është vërtet shqetësuese është se duket se kjo vepër është e dedikuar ekskluzivisht për pjesëtarët e kombësisë serbe, d.m.th për joshqiptarët, sepse të vetmet raste që kemi pasur mundësi t'i shohim deri më tani dhe prej të cilave ka pasur me dhjetëra, kanë qenë rastet kundër pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët kinse e kryejnë këtë krim kundër pjesëtarëve të popullatës shqiptare”, ka theksuar Fillipoviq.
Ajo shprehet e bindur se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër penale ndaj të rinjve.
“Përkatësisht, në kornizat e targave kishin një ngjitëse ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Megjithatë, e njëjta ngjitëse ishte e mbuluar me një shirit tjetër dhe nuk mund të shihej. Makina e tyre ka qenë e parkuar në parkingun përballë manastirit të Deçanit dhe nuk dihet se si është hequr ajo afishe. Pra, i takon organeve kompetente të përcaktojnë se si ka ndodhur dhe kush është fajtori real sepse shiriti me të cilin është ngjitur mbishkrimi është shqitur”, tha Fillipoviq.
0 komentet