Milkoviq dhe Delleviq: Prokuroria nuk ka prova që të konfirmojnë fajësinë e sërbëve të akuzuar për terrorizëm
Avokatët mbrojtës të katër sërbëve ndaj të cilëve Prokuroria Speciale i akuzon për ushtrimin e akteve terroriste, Millosh Delleviq dhe Predrag Milkoviq theksuan pas seancës së sotme, se prokuroria nuk ka prova se ndonjëri prej të pandehurve, ka ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues, ndaj shpresojnë për lirim nga akuzat. Konkluzionet parashikohen të mbahen më 2 korrik.
Sot para departamentit të posaçëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës ka vijuar gjykimi ndaj Millun Millenkoviqit, Dejan Pantiqit, Aleksandar Vllajiqit dhe Miomir Vakiqit ndërsa Millenkoviq, Pantiq dhe Vakiq vendosën që të mbrohen me heshtje, pasi thanë se deklaratat e detajuara i kanë dhënë në polici, Aleksandar Vllajiq u vetmbrojt dhe i’u përgjigj pyetjeve të avokatëve, prokurorit dhe trupit gjykues.
Avokati i tij Millosh Delleviq thekson se Vllajiq sot sqaroi dy detaje nga aktakuza-që është parë në vendngjarje dhe që ka folur në telefon.
“Ai sot ka sqaruar gjykatën se jeton jo larg ambjenteve të KZK dhe se atë ditë u kthye nga qyteti dhe përshkoi atë rrugë si çdo ditë tjetër, para ambjentit të Komisionit. Gjithashtu sqaroi se telefonoi bashkëshorten e vet i frikësuar për sigurinë si pasojë e sirenave, rrëmujës dhe shpërthimeve që ndodhën atë ditë” ka thënë Delleviq.
Ai tha se prokuroria nuk ka asnjë provë që Vllajiq të ketë telefonuar të akuzuarin tjetër-Millun Millenkoviq dhe se kjo është veçse një supozim i zakonshëm.
“Konkluzionet janë planifikuar për në 2 korrik. Pas kësaj do të shpallet vendimi dhe përfundimi i këtij gjyqi në shkallën e parë. Pres lirimin e klientit tim pasi me të vërtetë nuk ka prova që të ketë kryer ndonjë vepër penale” ka thënë Delleviq.
Avokati i Millun Millenkoviqit, avokat Predrag Milkoviq gjithashtu ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë provë që të mbështesë aktakuzën.
“Në fund të këtij gjykimi dhe para konkluzioneve, mund të them se prokuroria nuk ka absolutisht asnjë provë të vetme që ndonjëri prej të pandehurve të ketë ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues. Që mos të them që arritën në një farë mënyre të provonin sulmin terrorist” ka thënë Milkoviq.
Ky i fundit thekson se mbrojtja tek konkluzionet do të elaborojë të gjithë rastin qysh nga nisja dhe do t’i tregojë gjykatës pikat më të rëndësishme që i konsideron në interes të të pandehurit.
“Sipas meje këtu niveli i dyshimit është jashtëzakonisht i vogël, kjo nuk ka shkuar mirë përtej dyshimit të bazuar, kemi vetëm disa supozime dhe pak a shumë spekulime, të cilat mbështeten nga disa raporte informative të policisë që bëjnë punën e tyre për prokurorinë” konkludoi Milkoviq.
Katër sërbët akuzohen se, në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë kryer sulm terrorist në ambientet e Komisionit Zgjedhor Komunal më 6 dhjetor të vitit 2022 kur gjatë protestës së sërbëve, u hodhën dy granata dore dhe dy bomba shokuese, të cilat, sikurse thuhet në aktakuzë, rrezikuan jetën e njerëzve.
Në paraburgim ndodhen Millun Millenkoviq dhe Aleksandar Vllajiq, ndërsa të tjerët mbrohen nën liri.
0 komentet