Prokuroria e Serbisë urdhëroi një hetim kundër Arven Ballerit, i cili dyshohet për terrorizëm

sudija
Burim: Gazeta Express

Prokurori për krim të organizuar ka lëshuar urdhër për hetim ndaj Arven Ballerit, (emri i mëparshëm Rafet Hoxha), i lindur në Podujevë, i cili dje është arrestuar në Bujanoc nën dyshimin se ka kryer veprën penale të terrorizmit, raporton RTV.

Prokuroria në një komunikatë bën me dije se hetimi është duke u zhvilluar për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se Balleri ka kryer veprën penale të komplotit për kryerjen e veprave penale nga Nëni 346 Paragrafi 2 i Kodit Penal dhe veprën penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

Siç thuhet, Balleri, i cili është shtetas i Serbisë, ka organizuar një grup kriminal, anëtarë të të cilit për momentin janë disa persona të paidentifikuar nga Serbia dhe vendet e tjera fqinje. Në periudhën nga fillimi i vitit deri më 27 dhjetor ka organizuar prokurimin e një sasie të madhe armësh zjarri, municioni, lëndësh plasëse dhe minave shpërthyese, të cilat i ka transportuar së bashku me anëtarë të tjerë të paidentifikuar të një grupi të organizuar kriminal në automjete të përgatitura paraprakisht.

Anëtarët e grupit ruanin armët në vende të fshehura dhe më pas i dyshuari Balleri do të gjente blerës dhe anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal transportonin një pjesë të armëve te blerësit në pjesën qendrore të Serbisë dhe Kosovës, si dhe në vendet e rajonit dhe Evropën Perëndimore, për shitje. 

I dyshuari Arven Balleri, pas një marrëveshje të mëparshme me blerës ende të paidentifikuar, më 27 dhjetor 2022, së bashku me të dyshuar të tjerë, nga një vend i panjohur në territorin e Serbisë në orët e mëngjesit ka marrë sasi të mëdha të armëve të zjarrit, municionit, lëndëve plasëse dhe mjete eksplozive i paketuar në një qese të madhe të zezë, të cilin i dyshuari e ka transportuar në zonën e Bujanocit sipas planit të parapërgatitur, me qëllim që t'ia dorëzojë blerësve të panjohur.

Ai e ka futur çantën në bagazhin e automjetit “BMW” në Bujanoc, të cilin e ka sjellë të njëjtën ditë një anëtar i panjohur i grupit me qëllim që në një moment të përshtatshëm t’ua dorëzojë klientëve të panjohur, gjë e cila është penguar sepse i është hequr liria Ballerit.

Në bagazh u gjetën tetë pushkë automatike, një pushkë e kalibrit të vogël me optikë dhe një silenciator, një pistoletë automatike "Scorpion" me silenciator, dymbëdhjetë korniza për pushkë automatike, një pajisje trombloni për një pushkë automatike, tre bomba M 75 ngjyrë të zezë, tre ndezëse dhe siguresë për bomba M 75 dhe 272 copë municione të kalibrit të ndryshëm.

Pas seancës, prokurori për krim të organizuar i propozoi gjyqtarit për procedurë paraprake të Departamentit Special për Krimin e Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd që Ballerit t'i caktohet masa e paraburgimit.

Anëtarët e Agjencisë për Siguri dhe Informim, Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Shërbimit për luftën kundër krimit të organizuar të MPB-së, me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar, në një aksion të koordinuar, dje në Bujanoc kanë arrestuar AB, të nacionalitetit shqiptar.