Seanca e gjyqit ndaj firmës "Ibar-Lepenac"; Avokati: Jakshiq vërtetoi se moteli "Jezero" u shemb paligjshmërisht

Rušenje motela Jezero
Burim: Kosovo Online

Seanca e dytë për padinë e familjes Jakshiq nga Zubin Potoku ndaj kompanisë "Ibar-Lepenac" është mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Jugut ku u dëgjuan pronari i motelit të rrënuar "Jezero", Jordan Jakshiq dhe drejtori i kompanisë "Ibar-Lepenac", Faruk Mujka. Siç konfirmoi për Kosovo Onlajn Vasilije Arsiq avokati i familjes Jakshiq, klienti i tij prezantoi sot prova për shembje të paligjshme.

"Jakshiq provoi se objekti në pronësinë e tij ishte shembur paligjshmërisht. Provat materiale që kemi paraqitur si palë paditëse vërtetojnë faktin e padiskutueshëm se i gjithë procesi i shembjes së objekteve në Liqenin e Ujmanit është i paligjshëm dhe në shkelje të të gjitha ligjeve," tha Arsiq.

Ai shpreson se gjykata do t'i shqyrtojë realisht provat materiale të paraqitura gjatë procedurës. Arsiq deklaroi se padia është zgjeruar ndërkohë edhe ndaj Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

"Ata morën pjesë në shembjen e ndërtesës. Po presim përgjigjen e tyre, kështu që gjykata do të marrë vendim në këtë kuptim", tha Arsiq.

Seanca e parë e gjyqit në procedurat ndaj kompanisë "Ibar-Lepenac" u mbajt më 12 gusht.

Familja Jakshiq ngriti padi me një propozim për përcaktimin e masës së përkohshme, e cila do të parandalonte prishjen eventuale të objekteve ose ndryshimet në situatën egzistuese në terren deri në përfundim të procedurave gjyqësore.

Pavarësisht kësaj, moteli u prish më 30 korrik me urdhër të kompanisë. Deri më tani në liqenin e Ujmanit janë shembur 30 objekte.