Todoroviq: Vendimi në rastin e të ndaluarve në Gazimestan më 1 korrik, të gjithë u deklaruan të pafajshëm

Advokat Todorović.jpg
Burim: Kosovo Online

Vendimi në rastin e 36 personave të ndaluar në Gazimestan pas shërbesës përkujtimore do të shpallet më 1 korrik, deklaroi avokati Nikolla Todoroviq, duke shtuar se të ndaluarit sot, në Gjykatën Themelore, u deklaruan të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.

“Ndaj tyre është iniciuar procedurë për kundërvajtje për veprën e prishjes së rendit dhe qetësisë publike. Dje u janë konfiskuar dokumentet personale. Sot të gjithë u deklaruan të pafajshëm. Vendimi do të shpallet më 1 korrik, në orën 09:00”, tha ai.

Ai theksoi se mbrojtja nuk ka parë asnjë provë për veprat për të cilat akuzohen dhe se kërkesa është e paqartë.

“Nuk kemi parë asnjë provë që policia ka paraqitur për këtë vepër, prandaj kërkesa është mjaft e paqartë. Do të shohim, shpresojmë që të gjithë të lirohen nga përgjegjësia dhe të mos ketë asnjë dënim”, tha ai.

Todoroviq theksoi se mes të ndaluarve ka shumë shtetas të huaj, të cilët nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi dokumentet nuk u janë kthyer.

“Njerëzit janë në vështirësi. Ata duhet të presin shpalljen e vendimit”, tha ai.

Seanca e sotme dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë zgjati tre orë.

Kujtojmë se, pas shërbesës përkujtimore në Gazimestan dje, Policia e Kosovës ndaloi një numër të madh serbësh, mes tyre edhe një të mitur.

Pas marrjes në pyetje, ata u liruan nga ndalimi, por dokumentet personale iu konfiskuan.

Personat e ndaluar janë nga Kosova, Serbia qendrore dhe rajoni.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të ndaluarit provokuan të pranishmit duke brohoritur parulla provokuese që përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes, duke shkelur kështu dispozitat ligjore.

Zyra për Kosovë dhe Metohi e Qeverisë së Serbisë njoftoi dje se do të informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë për ndalimet, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të turpshëm dhe represiv të regjimit të Albin Kurtit.

Nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) thanë sot për Kosovo online se kanë monitoruar dhe vazhdojnë të monitorojnë aktivitetet që autoritetet e Kosovës po zhvillojnë në lidhje me kremtimin e djeshëm të Vidovdanit.

Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë deklaroi për portalin tonë se ka ndjekur zhvillimet gjatë shënimit të Vidovdanit përmes monitorimit të rregullt dhe angazhimit me partnerët dhe institucionet.

Lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës dhe arrestimin e serbëve në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, nga UNMIK-u i thanë Kosovo online se kanë ndjekur situatën, duke theksuar se është e rëndësishme që të gjitha tubimet publike të zhvillohen në mënyrë paqësore, me respekt për diversitetin, liritë themelore dhe në përputhje me ligjet në fuqi.