Vazhdoi gjykimi i Zllatan Arsiqit nga Hajnoci
Gjykimi i Zllatan Arsiqit nga Hajnoci, afër Dardanës, i cili akuzohet se ka kryer një krim të supozuar të luftës në vitin 1999, vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit të dëmtuar para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kur u pyet nga mbrojtja, dëshmitari B. M. tha se nuk e mbante mend datën e saktë, as muajin kur Arsiqi e sulmoi atë, por se ndoshta ishte shkurt ose mars, ka thënë i dëmtuari se nuk i dinte emrat e dy serbëve që e sollën në stacionin policor dhe shtoi se emrat i kishte mësuar më vonë.
Më 28 korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Zllatan Arsiqit para Departamentit Special të Gjykatës Themelore për kinse kryerjen e një krimi lufte kundër popullatës civile në Dardanë.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës, Arsiq akuzohet se në mars të vitit 1999 si polic e ka rrahur dhe ngacmuar të dëmtuarin me iniciale B.M., në stacionin policor në Dardanë dhe se, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paraushtarake, ai dyshohet se ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve.
komentet