Gjykimi i Zlatan Arsiqit vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes
Gjykimi i Zlatan Arsiqit nga Ajnovci, afër Kamenicës, i cili akuzohet se ka kryer një krim të supozuar të luftës në vitin 1999, vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Avokati Vasilije Arsiq tha se mbrojtja ka prova të forta materiale që japin alibi për Arsiqin dhe se dëshmia e sotme dëshmon se i akuzuari ka qenë në një vend tjetër në kohën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja.
Dëshmitari i mbrojtjes B.T, i cili është nga i njëjti fshat me të akuzuarin, ka mohuar se Zlatan Arsiq ka qenë pjesëtar i MPB-së të Serbisë, duke thënë se Arsiqin e ka parë me uniformën e Policisë së Kosovës pas përfundimit të konfliktit.
Avokati i të akuzuarit Vasilije Arsiq pas seancës deklaroi se prokuroria ende nuk i ka paraqitur provat materiale në të cilat bazohet aktakuza.
“Që nga fillimi i këtij rasti, ne insistojmë që aktakuza nuk ka prova materiale, se ajo bazohet vetëm në deklaratat e disa dëshmitarëve që janë edhe kontradiktore në gjithë këtë procedurë. Edhe dëshmitarët e prokurorisë me dëshminë e tyre dëshmuan se aktakuza nuk ishte e bazuar, se nuk kishte prova materiale. E përsëris se ne si mbrojtje kemi prova të forta materiale që dëshmojnë alibinë e të akuzuarit Zlatan Arsiq dhe dëshmia e sotme e dëshmitarit të mbrojtjes dëshmon se ai me të vërtetë ka qenë në një vend tjetër në kohën kur pretendohet se ka ndodhur kjo ngjarje”, tha Arsiq.
Më 28 korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Zlatan Arsiqit para Departamentit Special të Gjykatës Themelore për kinse kryerjen e një krimi lufte kundër popullatës civile në Kamenicë.
Siç është njoftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Arsiq akuzohet se e ka rrahur dhe keqtrajtuar të damtuarin me inicialen B.M në stacionin policor në Kamenicë në mars të vitit 1999 si polic, si dhe dyshohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupet paraushtarake morën pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve.
Në nëntor, Zlatan Arsiq u deklarua i pafajshëm për krimet për të cilat akuzohet.
Në seancën e kaluar, të mbajtur më 11 janar, janë marrë në pyetje dëshmitarët e Prokurorisë.
komentet