Zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Jellena Gjukanoviq, dënohet me gjashtë vjet burg për spiunazh

Jelena Đukanović, suđenje
Burim: Kosovo Online

Zyrtarja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jellena Gjukanoviq, u dënua sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë vjet burg për veprën penale “spiunazh”.

Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt të vitit të kaluar dhe koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënim.

Trupi gjykues theksoi se mbrojtja ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti më 2 shtator 2025 aktakuzë kundër Gjukanoviqit, duke e ngarkuar se nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin më 28 shkurt 2025, si zyrtare lokale e OSBE-së në Kosovë, në Zyrën Rajonale në Mitrovicë, “me vetëdije të plotë dhe me qëllim të drejtpërdrejtë ka kryer disa veprime që përbëjnë ndihmë aktive për shërbimin e inteligjencës – Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) të Republikës së Serbisë”.

Ajo akuzohet se ka ofruar “të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme që i ka siguruar gjatë ushtrimit të detyrave të saj zyrtare në kuadër të OSBE-së, përmes komunikimeve të shumta me Aleksandar Vllajiq, tashmë i dënuar për spiunazh dhe agjent rezident i BIA-s”.