Zyra për KeM: Aktgjykimi ndaj Arsiqit konfirmim i një sistemi që mbështetet në frikësim dhe mohimin e të drejtave të serbëve
Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se dënimi me burg i shqiptuar në rigjykimin ndaj Dushko Arsiqit për krim të pretenduar lufte është konfirmim i instrumentalizimit politik të gjyqësorit të Prishtinës dhe i një sistemi që mbështetet në “frikësimin dhe mohimin e të drejtave të serbëve”.
“Ky është edhe një shembull se në Prishtinë nuk ka as demokraci dhe as gjykata në shërbim të së drejtës dhe drejtësisë, por ato shërbejnë ekskluzivisht për represion ndaj serbëve”, thuhet në njoftim.
Siç theksojnë nga Zyra për KeM, në gjykim nuk është provuar që Arsiqi ka kryer çfarëdo krimi, ndërsa fakti që aktakuza kundër tij është ngritur vetëm tri ditë pasi ai ka paraqitur padi për kthimin e pronës që ishte shitur në mënyrë të paligjshme, tregon se ky rast nuk ishte asgjë tjetër veçse “përpjekje për të fshehur vjedhjen dhe për t’u dhënë amnisti uzurpatorëve të pronës serbe”, gjë që, siç theksohet, për fat të keq nuk ndodh për herë të parë para gjyqësorit të Prishtinës.
“Kjo lloj dhune ndaj së drejtës dhe drejtësisë është bërë e zakonshme në ‘Kosovën’ e vetëshpallur dhe shoqëria atje nuk do të jetë demokratike përderisa praktika të tilla pseudojuridike lejohen dhe tolerohen”, shtohet në njoftim.
Zyra për KeM thekson se “proceset e montuara” për krime të pretenduara lufte kundër personave të nacionalitetit serb nuk janë vetëm shembull flagrant i shkeljes së të drejtave individuale të njeriut, por, siç theksojnë, janë pjesë e një fushate të organizuar frikësimi ndaj serbëve si kolektiv, “ndërsa motivet dhe shtysat e një fushate të tillë janë njëkohësisht të natyrës kriminale dhe të bazuara në urrejtje shoviniste ndaj një populli të tërë”.
Dushko Arsiq nga Matiçani afër Prishtinës u dënua në rigjykim para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë me 13 vjet burg për krim të pretenduar lufte në vitin 1999 në fshatin Butovc.
Kjo është aktgjykimi i tretë këtë vit për krime lufte.
Më herët, më 2 shkurt, u dënua Muhamed Alidemaj me 13 vjet burg, ndërsa më 3 shkurt Srgjan Lazoviq me dymbëdhjetë vjet e gjysmë.
0 komentet