Athina mohon Kurtin se Greqia është afër njohjes së Kosovës
Kryeministri në Prishtinë, Albin Kurti, tha se Greqia është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, gjegjësisht se është më e afërta nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njeh ndryshimin e këtij vendimi, por zyrtarë nga Athina e mohojnë këtë dhe thonë se qëndrimi i vendit për këtë çështje mbetet i njëjtë, raporton Euroaktiv.
I pyetur nga Euroactiv për deklaratën e Kurtit, një burim i qeverisë greke ishte kategorik:
"Pozicioni grek mbeti i pandryshuar".
Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në mënyrë të njëanshme në vitin 2008.
Duke folur në televizionin polak të dielën, Kurti tha se Prishtina “ka punuar shumë në aspektin diplomatik për t'iu bashkuar Kosova shumicës së vendeve të BE-së.
“Greqia është në krye të këtyre vendeve, e cila është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e tregon edhe statusi i zyrës sonë në Athinë”.
Euroaktiv kujton se Greqia ka një Zyrë Ndërlidhëse të akredituar nga UNMIC në Prishtinë, ndërsa Kosova ka hapur Zyrën për Çështje Ekonomike dhe Tregtare në Athinë. Athina njeh edhe pasaportat e lëshuara nga Kosova.
Për një kohë të gjatë, Greqia është parë si “lidhja më e dobët” në mesin e pesë vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën. Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, në mars të këtij viti vizitoi Kosovën për të gjashtën herë, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani.
Në një deklaratë pas takimit, Osmani vlerësoi përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për liberalizimin e vizave dhe integrimet euroatlantike në Kosovë.
“Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, ku presidentja Osmani tregoi gatishmërinë e saj për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në deklaratën e atëhershme të Presidencës së Kosovës.
Por pak ditë më vonë, gjatë një vizite në Serbi, presidentja greke Katerina Sakelaropoulou tha se asgjë nuk do të ndryshojë kur është fjala për qëndrimin e Athinës për pavarësinë e Kosovës.
Ky konfirmim erdhi sërish në fund të gushtit nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Athinë. Pas atij takimi, Vuçiq tha se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin zyrtar të Greqisë për mosnjohjen e Kosovës.
komentet