Basha: “Infrakos“ merr nën kontroll katër stacione; Rizvanolli: Jemi të përkushtuar në vendosjen e rendit në mbarë teritorin
Ministri kosovar i infrastrukturës dhe transportit në mandatin teknik Dimal Basha u shpreh sot se u mor kontrolli nga “Infrakos“, firma hekurudhore e Kosovës, i stacioneve hekurudhore të Zveçanit si dhe në tre stacione të tjera në territorin e Lleposaviqit.
“Këtu jemi së bashku me ministrat Sveçla e Rizvanolli, si dhe me drejtorin e 'Infrakos', zotin Bujar. Strukturat paralele të Sërbisë vijuan të operonin këtu, ndërsa ne njëkohësisht vendosëm institucionet tona. Kontrolli ndaj stacioneve hekurudhore në Zveçan, si dhe në tre stacione të tjera, u mor nga 'Infrakos'“, u tha Basha mediave në Zveçan.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në rehabilitimin e shinave të hekurudhave ku sikurse theksoi, u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë dhe banorëve të Zveçanit dhe Lleposaviqit.
“Ndaj jemi të interesuar që institucionet e Kosovës të kenë qasje më të lirë dhe të kemi mundësinë që sa më parë të zbatojmë projektin e rehabilitimit të infrastrukturës hekurudhore, si dhe të vendosim rendin dhe ligjin“, tha Basha.
Ky i fundit shtoi se i është mirënjohës drejtorit të “Infrakos“, ministrave të ekonomisë dhe punëve të brendshme në mandatin teknik Artana Rizvanolli dhe Xhelal Sveçlës si dhe agjencive të zbatimit të ligjit për bashkëpunimin dhe mbështetjen ku sikurse tha, për sigurimin e qasjes së shpejtë dhe të pandërprerë të institucioneve.
Ministrja Artana Rizvanolli, e cila me Bashën dhe Sveçlën ishin mëngjesin e sotëm në stacionin e Zveçanit ku nën asistencën e policisë u mor në kontroll godina e stacionit, u shpreh se ndërmarrja publike në Kosovë gjithnjë e më shumë zgjeron shërbimet e veta dhe merr kontrollin e pronave në të gjitha komunat, përfshirë dhe komunat në veri të Kosovës.
“'Infrakos” i’u bashkangjit listës së ndërmarrjeve publike ku stacionet hekurudhore u morën nën kontroll. Derimë tani Posta e Kosovës ka çelur më shumë se dhjetë zyra në komunat veriore, ndërsa Telekomi i Kosovës zgjeron rrjetin 5G”, ka thënë Rizvanolli.
Kjo e fundit u shpreh se Ndërmarrja “Ibër-Lepenc“ drejton liqenin e Ujmanit dhe hidrocentralin, ndërsa “sistemi paralel i ujësjellësit” është mbyllur.
“Në veri tani operon Ujësjellësi Rajonal Mitrovica, që është i liçensuar nën kontrollin e institucioneve dhe siguron ujë të sigurtë që përditë kontrollohet“, tha Rizvanolli.
Kjo e fundit shtoi se institucionet kosovare janë të predispozuara në vendosjen e ligjit dhe rendit në mbarë territorin e Kosovës, si dhe sigurimin e shërbimeve kontrollore kualitative për të gjithë qytetarët.
“Jemi të përkushtuar në atë që të gjithë qytetarët të kenë qasje kualitative, shërbime të liçensuara e të kontrolluara që ofrojnë institucionet e Kosovës“, tha Rizvanolli.
0 komentet