Shluka: Berja e zgjedhjeve dhe ndarja e fondeve nga buxheti gjatë fushatës është goditje për ekonominë e Kosovës
Bashkëpunëtori i OJQ Iniciativa e Re Shoqërore Aleksandar Shluka thotë për Kosovo onlajn se shpenzimet për bërjen e zgjedhjeve të reja dhe fondet e dhëna në formën e ndihmës financiare për grupe të ndryshme qytetarësh në kontekstin e fushatës elektorale, sigurisht që paraqesin goditje të madhe për ekonominë e Kosovës, sepse fjala është për shpenzime që nuk kanë qenë parashikuar.
Procesi zgjedhor, i katërti brenda një viti e gjysmë, sipas fjalëve të Shlukës është shpenzim i madh sepse Komisioni Qëndror Zgjedhor duhej të përshpejtonte disa procedura dhe të siguronte urgjentisht pajisje zgjedhore, çka kushtojnë më shumë se zakonisht.
Kosto shtesë, thotë, do të jenë ndarjet e fondeve në formën e ndihmës financiare për grupe të ndryshme qytetarësh që shpalli kryeministri në mandatin teknik Albin Kurti dhe të cilat janë në kontekstin e fushatës parazgjedhore, ndonëse Qeveria do të mbrohet se kjo nuk është kështu.
"Kemi ndarje fondesh prej 100 eurosh për pensionistët, personat e punësuar në bizneset private, ndihmë të caktuar për grupe njerëzish në sektorin publik, ndihmë për studentët... Tani dhe kjo ndarje e paralajmëruar fondesh prej dy milionë eurosh për të ashtuquajturat lehtësime për të inkurajuar diasporën të vijë në Kosovë, sërish është në kontekstin e zgjedhjeve. Kur e gjithë kjo numërohet së bashku me ciklet e mëparshme, me vetë mbajtjen e zgjedhjeve, ky padyshim që është shpenzim i madh për buxhetin e Kosovës, duke pasur parasysh se dy nga katër ciklet zgjedhore, ishin të paplanifikuara. Këto janë shpenzime që në përgjithësi nuk ishin parashikuar dhe kjo sigurisht që është goditje e madhe për ekonominë", thotë Shluka.
Sikurse shton, dhe në ciklet e mëparshme egzistonin lloje të ngjashme ndihmash, por beson se nuk ishin në këtë nivel si tani, çka flet se në cilën pozitë ndodhet Vetëvendosja dhe që u nevojiten votat.
"Ata hodhën bast me këto zgjedhje dhe tani po tentojnë disi të marrin rezultatin më të mirë të mundshëm. Sigurisht që kjo do të tërheqë një pjesë të mirë të votave sepse këto përfitime afatshkurtra sigurisht që janë domethënëse për grupe të caktuara të popullatës, veçanërisht grupet e cënueshme shoqërore. Nuk do të thoja se kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë atë kthesë thelbësore dhe për të bërë hap para për Vetëvendosjen, por ata shfrytëzojnë çdo burim të mundshëm për të rritur mbështetjen e tyre", vlerëson bashkëbiseduesi ynë.
Lëvizje të tilla të Qeverisë në mandatin teknik, sikurse beson Shluka, përfaqësojnë keqpërdorim të fondeve publike.
"Për të patur strategji të vazhdueshme ndihme për ato grupe, diçka që do të miratohej si program qeveritar e madje pavarësisht që qeveria tani është në mandat teknik, mund të thoshim: 'ok, ky është ndonjë program afatgjatë, nuk është diçka ad hoc dhe këtë mund t’a vëzhgojmë jashtë fushatës zgjedhore'. Por, duke pasur parasysh se, si në ciklet e mëparshme zgjedhore, shumica e këtyre vendimeve erdhën në kontekstin parazgjedhor, mendoj se është shumë e qartë se çfarë po tentohet dhe ky është abuzim me financat publike", qartëson ai.
Kur është fjala për premtimet e opozitës për rritjen e pagave dhe pensioneve, por dhe uljen e taksave, Shluka thotë se opozita ndërton fushatën e vet me premtime dhe se në kuadër të premtimeve zgjedhore, gjithçka mund të dëgjosh.
"Atyre këto sigurisht asgjë nuk do t’u kushtojë nëse nuk vijnë në pushtet. Dhe nëse vijnë në pushtet, me gjasa do të shikojmë se nuk zbatohet aq lehtë, por që është shumë i mirë si premtim elektoral. Atje kemi dy gjëra që kanë efekt negativ sinergjik në buxhet. E para është ulja e taksave, çka do të thotë pak fitim për shtetin nga qytetarët sepse buxheti është më pak i mbushur dhe nga ana tjetër thuhet se do të rriten pagat dhe pensionet çka do të thotë më shumë fonde për shtetin çka më pak para për shtetin, që nuk diskutohet. Si do t'i marrë shteti paratë për të bërë ato lëshime? Ndaj këto janë disa masa populiste", shton ai.
Sikurse konkludon, opozita mund të bëjë veçse premtime dhe të shpresojë se qytetarët do t'i njohin ato premtime, ndërsa nga ana tjetër, qeveria ka të gjitha levat për të përdorur burimet publike në kontekstin e fushatës, të cilat aktorët e tjerë nuk i kanë.
0 komentet