Bilçik: Është koha për të formuar AKS, këtë vit duhet të shkojmë drejt përfundimit të dialogut

Vladimir Bilčik
Burim: Kosovo Online

Deputeti i Parlamentit Evropian dhe raportuesi i këtij organi përfaqësues të Bashkimit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, ka thën për Zërin e Amerikës se shpreson që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë vullnetin për normalizimin e marrëdhënieve dhe se këtë vit ne me të vërtetë duhet të shkojmë duke i dhënë fund dialogut.

Bilçik thotë se BE-ja po i dërgon mesazhe të qarta Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit se në vitin 2024 pret zbatimin e marrëveshjeve të arritura për normalizimin e marrëdhënieve.

"Ne po u dërgojmë atyre mesazhe të qarta dhe shpresojmë që ata të gjejnë vullnetin për ta bërë këtë. Nga përvojat e mia me Presidentin Vuçiq - mendoj se ka një mirëkuptim dhe vullnet për të bërë përparim. Këtë e kemi parë, sidomos kur bëhet fjalë për leternjoftimet, targat, energjia, dhe kur është fjala për prakticitetin në terren. Dhe kjo është e rëndësishme. Mendoj se i takon Prishtinës që të zgjidhë një çështje të madhe me rëndësi për Serbinë dhe mbrojtjen e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë - dhe kjo është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Është koha që kjo të realizohet, mendoj se do të mundësojë vërtet progres dhe shpresoj se Prishtina do të ketë fuqinë dhe përgjegjësinë për të vepruar me mirëbesim në ditët dhe javët në vijim. Është e rëndësishme që tensionet në rajon të reduktohen. Është absolutisht e domosdoshme që sulmet, si ai në Banjskë, të mos përsëriten. Ashtu siç nuk ka sulme ndaj ushtarëve të NATO-s dhe KFOR-it. Ngjarjet e kaluara duhet të hetohen tërësisht në mënyrë që asnjë nga palët të mos ket arsye për të rritur tensionet. Është inkurajuese që Beogradi ka treguar gatishmëri për të inkurajuar serbët që të shkojnë në zgjedhje. Shpresoj se zgjedhjet në veri të Kosovës do të mbahen dhe do të ketë një marrëveshje politike se si të realizohet e gjitha. Rendi i ditës është i qartë dhe kompleks. Këtë vit ne me të vërtetë duhet të shkojmë drejt përfundimit të dialogut”, tha Bilçik.

I pyetur se si e interpreton qëndrimin e Serbisë se zgjerimi i kornizës negociuese për Serbinë me Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj do të thotë se Bashkimi Evropian po ia mbyll derën Serbisë, gjë që u deklarua së fundmi nga presidenti i Serbisë, Bilçik thotë se nevojitet angazhimi I vërtetë për të gjitha marrëveshjet – duke përfshirë edhe ato të arritura më shumë se një dekadë.

"Duhet angazhim nga të dyja palët. Ekziston një marrëveshje për nevojën për përparim dhe zbatim. Unë mendoj se të gjithë e pranojnë këtë. Kjo nuk është çështje nënshkrimesh - por e mirëkuptimit të ndërsjellë që është konfirmuar. Gjithashtu, ne kemi konkluzione të qarta nga dhjetori vitin të kaluar që i referohen konkluzioneve në lidhje me kapitullin 35. Për këtë ka një afat dhe presim që institucionet e Bashkimit Evropian të sqarojnë se çfarë duhet bërë. Atmosfera pas dialogut është plot emocione dhe deklarata të forta nga të dyja palët. Është e nevojshme të fokusohemi në negociatat praktike. Për këtë nevojitet vullnet i mirë. Ne kemi një udhërrëfyes të qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët", shton ai.

Ai shton se negociatat janë duke vazhduar dhe se që nga muaji mars ka pasur disa takime, madje edhe në nivelin më të lartë, dhe fakti që nga muaji mars nuk ka pasur asnjë dokument që i është paraqitur publikut - nuk do të thotë se nuk ka diskutime por se duhet rezultati përfundimtar, që është normalizimi i marrëdhënieve.

"Ato zgjasin dhe frekuenca e kontakteve është e lartë. Kjo është ajo që është e rëndësishme. Unë do ta konsideroj të kënaqshme kur të vendoset një normalizim i lehtë i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Dhe mendoj se të gjithë të tjerët do të jenë të kënaqur Duhet të punojmë për të arritur rezultate. Aktualisht jemi në një proces që po funksionon, por ai proces do të konsiderohet i suksesshëm vetëm kur të japë fryte. Një rezultat i kënaqshëm është normalizimi i marrëdhënieve – dhe kjo do të kërkojë që të dyja palët të marrin vendime të rëndësishme dhe hapa për të ecur përpara”, përfundon Bilçik.