Blinken: De-përshkallëzimi i menjëhershëm i domosdoshëm në veri të Kosovës, plani i BE-së është rruga më e mirë përpara

Entoni Blinken
Burim: Kosovo Online

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, ka bërë të ditur se ka diskutuar për rëndësinë e uljes së tensioneve dhe rikthimit në dialog me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Blinken përmes një postimi në Twitter ka thënë se gjatë bisedës me Vuçiqin e ka mirëpritur vendimin për lirimin e tre policëve të Kosovës.

"Kam biseduar me Presidentin serb Vuçiq për të theksuar rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve. Mirëpres lirimin e policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rruga më të mirë përpara", tha Blinken.

Gjithashtu, Blinken shton se ka kërkuar edhe nga Kurti që të zbatojë planin trepikësh të BE-së për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

"Kam biseduar me Kryeministrin e Kosovës për të inkurajuar de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e udhëhequr nga BE. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara", tha Blinken.

Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, gjatë bisedës me Vuçiqin, Blinken ka përsëritur se “përgjegjësit për sulmet ndaj KFOR-it duhet të mbajnë përgjegjësi” dhe i bëri thirrje Serbisë që menjëherë të ndërmarrë hapa për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja e normalizimit, ndërsa në bisedën me Kurtin, ai tha se kryetarët e komunave në veri funksionet e tyre të kryejnë nga lokacionet tjera.